Takimi me Bushatin , Mogherini: Zbatimi i “drejtësisë” vendimtar, rezultate konkrete...

23 Shtator 2016, 12:50Politika TEMA

Përfaqësuesja e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini deklaron se zbatimi i Reformës në Drejtësi është vendimtar edhe për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Në takimin që ka zhvilluar me ministrin e jashtëm shqiptar Ditmir Bushati në Nju Jork, Mogerini rikonfirmoi angazhimin dhe mbështetjen e BE-së për këtë reformë jetike për vendin.

Zyrtarja e lartë europiane vlerësoi angazhimet e ndërmarra për përmbylljen e paketës kushtetuese lidhur me reformën në drejtësi, si dëshmi e vullnetit të qëndrueshëm politik për të avancuar në këtë proces.

Ministri Bushati konfirmoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me reformat shtet-konsoliduese dhe theksoi se në këtë kontekst, miratimi me unanimet i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi dhe fillimi i procesit të zbatimit të saj përfaqëson një arritje domethënëse në këtë drejtim dhe përbën bazë solide për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit.

Në takim u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet më të fundit në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ata gjithashtu u ndalën në arritjet e rëndësishme në vend, veçanërisht përmbushjen e prioriteteve kyçe për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit.

Shkëmbyem pikëpamje mbi domosdoshmërine e thellimit të bashkëpunimit midis BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm në kuadrin e menaxhimit të krizave, por edhe në ato fusha që e bëjnë më të lehtë e më të shpejtë anëtarësimin e Shqipërisë dhe rajonit. Procesi i zgjerimit është dhe duhet konsideruar si pjesë e procesit të konsolidimit të mëtejshëm të BE, sepse përbën interes të dyanshëm dhe afatgjatë.

Bushati zhvilloi edhe një takim me homologun gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili vlerësoi rolin e posaçëm që Shqipëria luan në rajon. Të dy ministrat vunë në pah impaktin pozitiv të Procesit të Berlinit, i cili ka jetësuar një bashkëpunim të përforcuar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje