“Drejtësia”, dy mijë denoncime që ishin stok në KLD, në duart e vëzhguesve të huaj për “Vetting”

16 Tetor 2016, 13:56Kronika TEMA

Partnerët tanë ndërkombëtarë me sa duket e kanë marrë seriozisht zbatimin e ligjit të “Vettingut”, teksa kanë vendosur ta fillojnë atë me shqyrtimin e ankesave për gjyqtarët në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për të dalë në një mendim të qartë për “filtrimin” e këtyre gjyqtarëve.

Atë që nuk e bëri prej vitesh Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për konstatuar dhe ndëshkuar praktikat abuzive në gjykata, pritet t’a realizojnë institucionet e Vetingut, të cilët do të kalojnë në skaner të trefishtë njerëzit e drejtësisë.

Mbi dy mijë denoncime të qytetarëve ndaj 400 gjyqtarëve në Shqipëri, për zvarritja të gjyqeve, shkelje të etikës, shkelje flagrante të ligjit, shkelje të afateve, organizim i dobët i punës, dyshime për korrupsion etj., të injoruara nga KLD, do të jenë objekt i organeve të Vetingut, në kuadër të përgatitjes së raportit për aftësitë profesionale për çdo gjyqtar. Raporti do të përcaktojë nëse gjyqtari është i përshtatshëm apo jo për të qenë pjesë e sistemit shkruan “shqiptarja.com”.

Ankesat

Ligji i Vetingut parashikon që periudha e vlerësimit për aftësitë profesionale do të jetë 3 vitet e fundit të ushtrimit të detyrës nga hyrja në fuqi e këtij ligji, por vlerësimi mund të shtihet edhe nga 1 janari 2006. Gjatë këtij harku kohor, pra gjatë tre viteve të fundit, numri i ankesave të qytetarëve kundër gjyqtarëve, të paraqitura në KLD, është mbi dy mijë. Nga ana tjetër, Inspektorati i KLD ka arkivuar shumicën e ankesave. Konkretisht, vetëm për vitin 2015, nga 840 ankesa të qytetarëve, janë arkivuar 628 ankesa. Ankesat e arkivuara do t’u shërbejnë organeve të Vetingut, gjatë vlerësimi të aftësive profesionale të gjyqtarëve. Dhe kjo është tashmë e sanksionuar në ligj.

Për gjyqtarët dhe prokurorët

Jo vetëm ankesat ndaj gjyqtarëve, por edhe ankesat ndaj prokurorëve, do të kalojnë në duart e organeve të Vetingut dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, sidomos ekspertëve të FBI.

Neni 50 i ligjit të Vetingut, parashikon që në kuadër të rivlerësimit, Komisioni, Kolegji i Apelimit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë akses të plotë në dosjet personale të subjekteve të rivlerësimit, të dhënat statistikore, dokumentet ligjore, dosjet e zgjedhura për vlerësim, vetëvlerësimet, mendimet e eprorëve, të dhënat mbi trajnimet, mbi ankesat ndaj personave që i nënshtrohen vlerësimit dhe rezultatet e verifikimit ankesave, si dhe mbi vendimet për masat disiplinore ndaj të vlerësuarve.

Vlerësimi

Organet e vlerësimit do të rishikojnë dokumentet ligjore të përpiluara nga prokurorët dhe gjyqtarët gjatë periudhës që do të jetë objekt i rivlerësimit. Organi, në përfundim të shqyrtimit të dokumenteve ligjore të përzgjedhura nga vetë subjekti i rivlerësimit si dhe të 5 dokumenteve të tjera ligjore, të përzgjedhura sipas një sistemi objektiv dhe rastësor, përgatit një raport të hollësishëm dhe të arsyetuar.

Nëse institucionet e rivlerësimit nuk marrin dokumentet e kërkuara, relatori i jep një afat prej 5 ditësh subjektit të rivlerësimit ose organit përkatës, për të plotësuar kërkesën. Në rastin e mosbashkëpunimit, gjyqtarit apo prokurorit i jepet vlerësim “i papërshtatshëm” për të qenë pjesë e sistemit. Gjyqtari apo prokurori konsiderohen të papërshtatshëm, kur ka treguar cilësi të papranueshme në punë, gjykim të dobët, nuk ka respektuar normalisht të drejtat e palëve ose viktimave, nuk është efektiv, në atë shkallë sa programi i trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës nuk mund ta zgjidhë këtë çështje për një vit, ose nuk ka kaluar me sukses testimin pranë Shkollës së Magjistraturës.

Institucionet e rivlerësimit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit

Komisionerët publikë

3 komponentët e vlerësimit

Vlerësimi i pasurisë

Kontrolli i figurës

Vlerësimi i aftësive profesionale

2 komente në ““Drejtësia”, dy mijë denoncime që ishin stok në KLD, në duart e vëzhguesve të huaj për “Vetting””

  1. burreroi says:

    nuk me besohet qe ankesat do marin rrugen e shqyrtimit, per gjyqetaret qe jane te denacuar ne KLD per dhenje vendimesh ne flagrac te thyrjes se ligjit si gjyqetari Ervin Trashi ne Vlore e shume te tjere si ai.

  2. Gjinovefa says:

    Nese deri tani korrupsioni ishte midis atij qe jepte par dhe prokurorit apo gjyqetarit, tani korrupsioni per te zhdukur ankesat do jete midis prokurorit & prokurorit, ose gjyqetarit & gjyqetarit, sepse plerat do mbulojne plerat. Do te ishte e sakte nese do ti drejtoheshin ankueseve qe te rikerkonin padrejtesite qe ju eshte bere duke liruar vrases perserites te krimit dhe kur nje gjykate e denon me pesembedhjete vite burgim dhe nje gjykate tjeter e liron. Keshtu qe besimi tek populli ka humbur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje