Përralla e Manneh/ Nga i arratisur nga Gambia, në hero

17 Tetor 2016, 19:15Sport TEMA

Arratisje në ëndërr. Mund të jetë titulli i një filmi, për momentin është përmbledhja e jetës së tij. Ousman Manneh është një 19-vjeçar i lindur në Gambia. Pas një arratisje të gjatë prej mijëra kilometrash ka mbërritur në Gjermani. Aty të shtunën ka shënuar golin e tij të parë në Bundesliga. Gol që i ka dhuruar Werder Breme-s fitoren numër 750 në historinë e klubit.

Historia

Çdo vit mijëra persona arratisen nga Gambia për t’i shpëtuar diktaturës së Yahya Jammeh. Shumë prej tyre shkojnë në Itali, të tjerë përfundojnë në vende të tjerë. Mes tyre është edhe Manneh, i cili ka zbarkuar në Breme në fillim të 2014-ës, para se të mbushte 17 vjeç. Ka qenë vetëm, pa familjarë dhe është sistemuar në një qendër strehimi për emigrantë në moshë. Në atë periudhë Manneh ka fjetur bashkë me 17 djem të tjerë nën të njëjtën çati, edhe ata si ai të arratisur nga diktatura dhe nga skamja. Por ai ka diçka më shumë në krahasim me të tjerët. Një talent i jashtëzakonshëm për futbollin. Në prill të 2014-ës e ka marrë Blumenthaler SV, që e ka aktivizuar në kampionatin rajonal. Në 12 ndeshje Manneh ka realizuar 15 gola, dhe është marrë menjëherë nga Werder.   Aty është takuar me Nouri, në atë kohë trajneri i skuadrës së dytë të klubit, tani trajner i ekipit të parë. Në debutimin e tij në kategorinë e tretë të futbollit gjerman, Manneh ka magjepsur të gjithë: gol dhe asist në 45 minuta. Pas kësaj paraqitjeje është dërguar të stërvitet me ekipin e parë dhe në miqësoren me Wilhelmshaven ka shënuar 4 gola në 15 minuta. Por askush nuk ka dashur të nxitohet, dhe Manneh është kthyer të luajë për Nouri në ekipin e dytë.

Kthesa

Werder ka bërë një nisje të keqe në këtë sezon. Trajneri Skripnik është larguar, vendin e tij e ka marrë Nouri. Për shkak të problemeve fizike të Kruse dhe Pizarro-s trajneri i ri i Werder ka vendosur, në javët e kaluara, që t’i besojë nxënësit të tij Manneh. Të shtunën ka ardhur goli i parë në Bundelisga, vendimtar për fitoren 2-1 kundër Leverkusen. Në fund të ndeshjes Ousman, shumë i emocionuar, ka thënë: “Për mua është e pabesueshme. Nuk më besohet se kam luajtur para 40 mijë njerëzve, në këtë ambient. Është gjithçka perfekte”. Por e ka thënë në anglisht, duke befasuar trajnerin Nouri: “Ai flet shumë mirë gjermanisht, por ka vendosur të flasë anglisht (gjuha zyrtare e Gambias deri në 2014-ën) sepse ka qenë i emocionuar. Është një djalë i turpshëm”. Që në 2014-ën është arratisur nga Gambia dhe, pas pothuajse dy vitesh, po përjeton një ëndërr./ Telesport

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje