FOTOT/ Liqeni i Farkës, një tjetër destinacion argëtimi

24 Tetor 2016, 14:07Sociale TEMA
FOTOT/ Liqeni i Farkës, një tjetër destinacion argëtimi

Një rrugë e re lidh tashmë Farkën me shëtitoren e Liqenit, e cila krijon më shumë mundësi lëvizje jo vetëm për banorët e kësaj zone, por edhe për të apasionuarit pas sporteve ujore apo ata që duan të shijojnë bukurinë e liqenit të Farkës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pasi inspektoi përfundimin e punimeve të rrugës në lagjen, theksoi se ky investim i ka shtuar mundësitë për ta kthyer Liqenin e Farkës në një destinacion jo thjesht turistik, por edhe sportiv. Duke vënë theksin edhe te punimet që po kryhen për realizimin e shëtitores që do të rrethojë liqenin, Veliaj shtoi se synimi i bashkisë është të shmangë diferencimin mes punimeve në qendër dhe në periferi.

“Ndonëse Tirana është zmadhuar, vëmendja e bashkisë për periferinë nuk ka humbur. Është e rëndësishme ta ruajmë këtë balancë, pasi Tirana nuk është vetëm sheshi “Skënderbej”, por ajo që është më e rëndësishme është që Tirana është e gjithë hapësira e re e shtuar, ku Farka është një parajsë në tokë, është një vend i bekuar, është shumë pranë natyrës, shumë afër qendrës, ka disa nga zonat rezidenciale më të lakmuara në kryeqytet”, tha Veliaj. Ai shtoi se po punohet që e gjithë kjo zonë të kthehet në një parkun e dytë urban të qytetit të Tiranës, si një hapësirë alternative për t’u frekuentuar nga qytetarët e Tiranës.

“Parku i Liqenit Artificial të Tiranës ka pasur disa investime shumë të mira. Kjo ka bërë që të frekuentohet akoma më shumë dhe na ka rritur fluksin e qytetarëve, ndaj ambicja jonë është që parku i dytë i Tiranës të jetë ai i Liqenit të Farkës. Do të mbjellim këtu disa nga pemët të cilat me kujdes, me një makineri të posaçme, po zhvendosen me gjithë rrënjë nga sheshi “Skënderbej””, u shpreh Veliaj. Ai përmendi punën që po bëhet edhe me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit për të shtuar, si gjelbërimin e zonës, ashtu edhe aktivitetet arëgtuese për ata që e frekuentojnë liqenin.

“Kemi hartuar një kalendar ambicioz sportiv me APR-në, siç janë sportet e ujit, xhirot dhe garat me biçikletë, dhe duam që infrastrukturën përreth Farkës ta identifikojmë kryesisht si një terren sportiv. Kemi përgatitur disa aktivitete, si gara me biçikleta, gara me kanoe, gara me tracking dhe në sporte të tjera, dhe duam që arena të jetë liqeni i Farkës; është mirë për ekonominë, sjell bizneset në këtë zonë. Të gjitha këto i shtojnë vlerën pronës që ekziston në Farkë dhe besoj se është formula më e mirë për të ecur përpara me rritjen e cilësisë së jetesës në qytetin e Tiranës”, u shpreh Veliaj. Ai tha se Liqeni i Farkës, falë edhe investimeve të tjera që po bëhen në shëtitoren e tij, do të jetë një destinacion i ri çlodhës për qytetarët e Tiranës.

Kryebashkiaku Veliaj shtoi se zona e Farkës do jetë edhe një përfitueset më të mëdha të projekteve nga buxheti i vitit 2017, pasi është edhe një nga zonat më të rregullta sa i përket pagesës së taksave dhe tarifave vendore. “Mezi pres që të nisim konsultimet me banorët për buxhetin e vitit të ardhshëm, për t’u siguruar që secila zonë, sidomos kjo zonë, e cila është një zonë që paguan rregullisht taksat e detyrimet, t’i kthehet një për një, çdo qindarkë, sipas mënyrës që paguan dhe mezi pres që të vazhdojmë investimet në Farkë”, përfundoi Veliaj.

3 komente në “FOTOT/ Liqeni i Farkës, një tjetër destinacion argëtimi”

  1. Ne absolut me i miri i te gjitha koherave. Modest dhe puntor i papare.
    Te shikoje ai paraardhesi i tij, ai qe fjeti gjume ariu 4 vjet, ai qe sdi se ceshte puna, ai qe do edhe te behet kryeminister, o e hengert mortja.
    Vazhdo Veliaj se i cmende te gjithe demblet dhe gjumashet.

  2. qytetar says:

    Me fal, dua t’ju pyes ju dhe njekohesisht kryetarin e bashkise, me gjithe administratorin e Farkes. Ne foton nr.2, mund te me thone se si mund te levizin njerezit ne trotuar, pa folur ketu per personat me aftesi te kufizuara, qe levizin me karroca. Kush mund te kaloje ne ate trotuar valle? A nuk eshte shkelje e te drejtave te njeriut, qe cdo qytetari ti jepet mundesia te levize lirisht? Nuk po flas per ndertime te para shume viteve, kjo eshte nje rruge e re, nje ndertim i ri. Me kete veper, dikush duhet te mbaje pergjegjesi, per kete papergjegjshmeri. Me vjen cudi me Z.Veliaj, se ai eshte i shkolluar edhe ne perendim, ne mos gaboj ne Angli, dhe ai e di sh.mire se cdo individi i krijohen mundesite per te levizur kudo, pa pengesa, qofte ne rruge, lokale, dyqane, markete, insitucione etj.

    1. NACIONALISTI says:

      Sakt e ke then, kot qe e kan ber ate trotuar……. nderkoh per te tjerat bravo veliaj, vazhdo keshtu

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje