Në mjediset e auditoriumit pranë Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua sot ceremonia e dhënies së diplomave, titullimit oficer dhe dhënies së gradës nëntoger për 9 studentë ushtarakë që përfunduan studimet në Turqi.
Të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin: zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti i Forcës Ajrore gjeneral brigade Vladimir Avdiaj, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe stërvitjes, gjeneral brigade Dedë Prenga, ndihmësatasheu ushtarak i Turqisë, nënkolonel Raif Sarica, drejtorë e ushtarakë të lartë të MM e SHP, si dhe familjarë të studentëve.
Në fjalën e tij zëvendësministri i Mbrojtjes, vlerësoi rëndësinë e këtij çasti, jo vetëm për të diplomuarit , por edhe për vendin.“Është një kënaqësi dhe njëkohësisht privilegj për mua që jam pjesë e këtij aktiviteti ku kurorëzojmë një pjesë të studentëve tanë që studiojnë në akademitë jashtë vendit, një përpjekje disavjeçare ku bashkohet investimi i shtetit, i Ministrisë së Mbrojtjes, ku bashkohet bashkëpunimi ynë dhe në fushën ushtarake me Republikën e Turqisë me sakrificën, djersën, mundin e këtyre djemve dhe vajzave që sapo kanë përfunduar studimet dhe tashmë titullohen”.
Koçi falenderoi të gjithë pedagogët, të gjithë ata që kanë asistuar në procesin e formimit të tyre akademik në Republikën e Turqisë. “Dua të shpreh mirënjohjen familjarëve që ju kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe larg tyre. Dua t’iu përshëndes në mënyrë të veçantë në emër të ministres së Mbrojtjes për rezultatet që keni arritur. Jeni 9 nëntogerë të rinj. Duket si një numër i vogël, por në vazhdën e diplomimeve të vazhdueshme që bëhen këtu ky është një numër i konsiderueshëm”, përfundon ai.
Në emër të studentëve të titulluar foli Adil Hizdri, i cili në radhë të parë shprehu vlerësimin e thellë për rëndësinë që i kushtuan kësaj ngjarjeje. Më pas ai falenderoi shtetin shqiptar, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura, që u dhanë mundësinë të studionin në shkollat më të mira bashkëkohore të lindjes. Një falenderim të përzemërt ai ia kushtoi edhe palës turke, e cila ka dhënë konsulencën dhe kontributin e saj në procesin e trajnimit të studentëve.
Në fund të ceremonisë u shpërndanë diplomat dhe gradat, dhe u bë një foto e përbashkët.