Nga Kristo Mërtiri
Kështu më thosh 17 vjetë më parë në Tiranë, një veteran fjalëqëruar e ish nxënës i Liceut të Korçës, për partizanin e intelektualin erudit jo dosido në fushën e historisë, letërsisë, drejtësisë e gazetarisë. Por edhe një eseist i veçantë e dinjitoz. Vështirë të gjesh tjetër si i paharruari Jusuf Alibali. “Besnik i idealeve të Lirisë e Demokracisë së vërtetë”. Burgosur e internuar nga qeveritë fashiste, naziste, moniste e pluraliste ! Një nga autorët seriozë të Historisë së Shqipërisë, vlerësuar me Çmimin e Republikës. Gjithnjë i qeshur e humorhollë. Asnjëherë nuk u mbyt në puset e thella të dëshpërimit që i dhanë poshtërsisht e padrejtësisht të tjerët e marrosur. Karakter stërralli i rrallë përmes një jete plot dallgë e stuhi egërshane. Një emër i pastër që lëshoi dritë atdhetarie në qiellin e Luftës së shenjtë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Disa breza me juristë e gazetarë, me krijues, studiues e historianë, e kishin si model të njeriut të mirë e aspak nursëz, pa huqe, punëdashës, modest, burrëror e zemërbehar. Penëburonjat e tij nuk thahen me një a më shumë shkrime gazete. Adivija e tij e shtrenjtë (bashkëshortja e pathyer që Jusufi e thërriste ëmbël Viki në shtëpi e në poezi, i la pas tetëdhjetat bashkë me rolin e famshëm të Mamicës te filimi “Skënderbeu”), pak ditë më parë më dhuroi një tufë me libra të profesor Alibalit… Por mua, dje më trokiti herët agu i mëngjezit. Më trokiste pa pushim ajo fjalia dëftore e shpirtërore e fillimvjeshtës 1999 :
-Më dëgjo pak, miku ynë. Kur mallohem për gazetarin dëshmor, Gjikë Kuqali, unë kuvendoj me Jusuf Alibalin…
Shokë e luftëtarë të një istikami faqebardhë përballë Lirisë e Demokracisë. Ëndërrimtarë e optimistë të pandreqshëm për një Botë të Re pa pushtues, pa shtypës e të shtypur. Fundvjeshta e dytë shënonte 23 Tetor. 1944 ! Ideale të njëjta. Fate të përbashkëta. Degë të një trungu. Pena drithëruese, realiste e shokë burgu. Antifashistë e antinazistë të sprovuar. Mëmëdhetarë të kulluar… Ashtu plot plagë e mundime në zemër e në trupin e tij imcak, Gjikë Kuqali po kapërcente pragun e burgut të Tiranës, me pranga në duar. Pranvera e fundit pa zogj këngëtarë e shtegtarë, por me plot krisma, terror, ultimatum, trekëndsha me litarë në krye, udhë e rrugica të përgjakura nga kufoma të pafajshme qytetarësh. Ish redaktori i revistës “Kushtrimi i Lirisë”(e pas Çlirimit,”Zëri i Rinisë”), po syrgjynosej kokë e këmbë në pranga drejt Kampit famëkeq të Prishtinës. Udhëtimi i fundit nëpër udhët e rrudhosura, në Tiranën e barrikadave flamurmbajtëse kundër fashizmit e nazizmit. Po syrgjynosej një nga udhëheqësit e urtë e të mençur të djalërisë kryeqytetase.(Ku ta dinte Gjika ynë, se vëllai i tij Thoma po ndizej pishtar lirie te obelisku botëror në Mathauzen!). Pas atij rrëmbimi, miku i mirë shkodran, Jusufi, do të hidhej në Dajt e në Pezë. Drejt e në rreshtat partizane të Brigadës XXII Sulmuese të UNÇSH. Nuk e panë më kurrë njeri-tjetrin ! Gjika torturohej e tretej brenda telave me gjemba të kuçedrës shfarosëse në Prishtinë. Ndërsa Jusufi luftonte krah për krah pezakëve që mbushën batalionet për Shqipërinë e lirë. Në Ndroq, Shijak, Lekaj, Rrogozhinë – Peqin, Mamurras – Milot, Lurë, në çlirimin e Mirditës, Pukës e Shkodrës loke. Dhe gjer në Podgoricë e Vishegrad… Në torbën partizane me fishekë, kishte edhe një fletorkë shënimesh që bie erë baruti sot e kësaj dite. Ditar i mbajtur në pushimet mes betejave. Por në atë torbë ruhej fort edhe një letër e Gjikës, shkruar në qelinë e burgut. Në fund është nënshkrimi : 17 Qershor 1944. Ish gjetur dy ditë “pasi Gestapoja rrëmbeu shokët tanë” për t’i degdisur në Kampin e vdekjes. I drejtohej një vajze të dashur…
-Ajo, veç, mbeti në histori si një dokument i rrallë njerëzor, si një ngjarje e veçantë letrare, si një dëshmi e gjallë e pastërtisë morale dhe e angazhimit qytetar,-rrëfente jo pa emocione, Jusufi.-Ishte një “kredo” politike e letrare e një zemre të madhe e të kristaltë, e një luftëtari të paepur… Atje nuk ka beletristikë, nuk ka ofshama, lektisje e betime dashurore…Kur lexon këtë letër të shkurtër të shkruar për ngut, por shumë të ngjeshur për thellësinë dhe çiltërsinë e ndjenjave e të mendimeve, për atë hov të sinqertë flijimi në emër të njerëzores, pa dashur të vijnë në kujtesë fytyrat e francezit Gabriel Perri; të çekut Julius Fuçik (I cili, në prag të varjes, shkruante :”Njerëz, unë ju kam dashur, jini vigjilentë !”) etj. Ata po jepnin jetën që të fitonte jeta. Veç me këtë letër dhe me aktin e tij sublim a nuk ngrihet kështu Gjika në majën e pavdeksisë, e , pa e tepruar, të bëhet shok mendimi me atë poetin e madh që pati thirrur një shekull më parë se për dashurinë edhe jetën e falte, kurse për Lirinë edhe dashurinë ?…
Vendosmëri e ndërgjegjshme patriotike, idealiste e revolucionare, që nuk u ngujua vetëm brenda pasionit të militantit a poetit. Mbi të gjitha, Gjika ishte i talentuari i ndjeshëm i “Këngës së re që do dërmojë/ e do rrëzojë çdo gjë të mykur/ çdo gjë që rron e s’di pse rron”. Bashkë me Qemal Stafën, Shevqet Musarain e Mihal Durin, themeluan e redaktuan të bekuarën emërbukur “Kushtrimi i Lirisë”. Dhe do të bëhej një nga anëtarët më aktivë të rrethit letrar Antifashist. Jo rastësisht Jusufi e pagëzon me të drejtë si “letrar i revoltës” që adhurohej e mbrohej nga “turma e leckosur dhe e uritur” e punëtorisë në minierën e Kërrabës. Për këtë flet shumë edhe dimri i fundit 1943-44. Ishin ata njerëz të thjeshtë që i ofruan strehë e përkujdesje vëllazërore për të mos rënë në kthetrat e fashistëve. Ishin ata punëtorë që “e fshehën, e ushqyen, e shëruan dhe e mbrojtën duke vënë në rrezik veten dhe fëmijët e tyre. Dhe këtë ata nuk e bënë aspak se ishte “biri i padronit”, se u kish “rënë në besë”, por se ishte bir i popullit, shoku i tyre, bashkëluftëtari i tyre…”. Dashuria e mirënjohja punëtore për Gjikën rritej natyrshëm te ata shpirtra të vuajtur e të pastër si bora në male. Aq më tepër kur ndaleshin te tregimet e tij të shkurtra “Qiriu”,”Portokajt”,”Rrugëve”,”Budallai që këndon”,”Hije të mbrëmjes” etj. Ligjërimete para hodhën dritë në Liceun e Korçës, te revista shkollore “Koha e Re”. Profesori i nderuar përmetar, Stefanaq Pollo, e veçonte gazetarin e ardhshëm dëshmor edhe si themelues e redaktor kryesor të saj. Qarkullonte e daktilografuar dorë më dorë, brenda e jashtë Korçës. Por censura e egër fashiste ia preu pabesisht e shpejt rrugën kësaj shkëndije të vogël. “Por shkëndijat u shtuan”! E u bënë pishtarë të vërtetë, armë të luftës çlirimtare. Që nga numri i parë i gazetës “Zëri i Popullit”,”Kushtrimi i Lirisë”,”Bashkimi”,”Gruaja Shqiptare”, gazetat e xhepit nëpër batalionet e brigadat partizane etj. Dhe nuk ishin pak, por gati 60 të tilla që shkonin dorë më dorë nëpër shtigje malesh, në fshatra e qytete…Por lexuesit shqiptarë brenda e jashtë kufirit shtetëror, gjatë 5 dekadave kuvendonin kryesisht me rrëfimet e Jusuf Alibalit. Askush tjetër si ai nuk e nxorri në dritë portretin njerëzor e letrar të Gjikë Kuqalit. Po shënimet e fundit, a e dini ku i hodhi vallë ? Gjatë internimit të zi në Labovë të Odries; në Kutalli e Sheqëz të Beratit dhe në Tiranë…Vula e kohës as shuhet e as retushohet : “Mjaft më ! Bota do këngë të re…”(1941). La pak fletore, por shumë frymëzime rinore. Fjala vjen, aktorët e sotëm nuk e dinë se ajo pjesa me një akt e titulluar “Qemal Stafa” është shkruar e vënë në “skenë” brënda mureve të burgut ! Pa regjisorë, pa skenografë, pa grimierë e pa suflerë. Dritën e botimit e pa pas 30 vjetësh te “Zëri i Rinisë”… Krijimtari prushndezur që u “qëndron rrebesheve të harresës”. Rrebeshe që i mposhti e rrëfeu gjersa mbylli sytë në vitet dy mijë, eruditi e fisniku Jusuf Alibali. Njeriu që dha shumë e mori fare pak nga kjo botë jallane : “…Se në këtë luftë mjer’ ai që ligështohet e dëshpërohet, e thyhet, e dorëzohet. Mjer’ ai !”. I shkroi kur kaluan 10 vite internim. Veçse shënimet për Gjikën i quajti thjesht “syzime”, ku ne të gjallët ulemi dhe marrim diçka të çmuar si nga hojet e mjaltit…
Rrodhën 72 tetorë. Mosha e Gjikë Kuqalit (vetëm 23 vjeç ! ) përkoi me datën e pushkatimit : 23 Tetor 1944 ! Krah për krah me 103 dëshmorët e Kampit të Prishtinës. Ashtu i tretur si “Qiriu” i penës së tij e në ethe të rënda. Mezi qëndronte në këmbë. Kur gardiani katil po e ngrinte dhunshëm, shpërtheu gjoksi i shokëve. Ishte kënga e dashur partizane “N’ato maja rripa-rripa…”. Ndërsa në fund, këngën e përcolli një thirrje tronditëse e burrërore : Mbahuni shokë !… Por breshëria e armëve naziste nuk i kurseu kockat e njoma të tij ! 104 bij nënash shamizeza i hodhën në një gropë të madhe. Ishte 23 Tetor, në vigjilje të Çlirimit. Populli dhe historia nuk harrojnë. “Vdiq i ri e mbeti i ri”,-thoshte shpesh Jusufi.-Sepse në natën e zezë fashiste, deshi të shprehte hovet e zemrës djaloshare, luftën për shembjen e botës së vjetër… Po binin pikat e para të një shiu të butë. Si pika pikëllimi për ishkolegun tonë që e shkroi biografinë e vet me gjak e sakrifica. Apo ishin pika loti e nderimi nga qielli i Atdheut dhimbjeshumë ?!…
Bukur, shume bukur. Figura qe nuk shlyhen nga kujtesa. Firma qe i sjell ato – e nje gazetari te njohur dhe njeri i guximshem.
Nderim per Jusuf Alibalin, publicistin e rralle, Njeriu qe hoqi bashke me familjen nga nje regjim si ai. Tani jane harruar Gjike Kuqali, por Alibali, pavaresisht ci punuan nuk mund te harronte shoket e tij te vertete.
Pena e zhdervjellte kjo e ketij gazetari, qe nuk mund te ti leje ne heshtje ata. Te lumte.
Pena e Jusuf Alibalit dinte per ke shkruante. Profesori i njohur i juridikut, shkrimtari, publicisti i njohur Alibali mbetet ikone e ketyre fushave. Efhe pse u privua, u persekutua, ky intelektusl i shquar nuk rreshti se shkruari ne vitet pas ’90.
Ben mire z. Mertiri qe figura si Alibali, Kuqali u behet jehone ne shkrimet e tua.. Respekt
Respekte per figuren e Jusuf Alibalit, si dhe per familjen e tij te shkelqyer, e cila vuajti pasojet e atij regjimi. Te lumte e te falenderoj i nderuar z. Kristo, qe nuk e le ne harrese kete figure te publicistekes. Eshte kenaqesi qe kam patur fatin ti kem sh miq te dashur femijet e Jusufit,e te nderuares artistes Adivije. I pershendes te dy nga larg, Ilirin dhe Agronin, gjithashtu dhe z.Kristo, per kenaqesine qe na dha, perqafime Nandi.
SHkrimi ka synime te mira por nuk kuptohet nese ka synim Gjik Kuqalin apo Jusuf Alibalin..
KOLIT, me dashamiresi.
O Koli. Synimi eshte i kthjellet. Edhe per Gjiken, edhe per Alibalin. Marredheniet e te dy figurave jane te pandara. Shoke te nje ideali. Perjetimi i shokut nuk eshte i lehte por dhe detyre per nje idealist si Alibali qe tua jape lexuesve te sotem dhe te neserm. Nje lidhje organike, teper njerezore qe autori i shkrimit si gazetar me eksperience te pasur dhe ndjenja te larta humane, e ka paraqit me mjeshteri; Per mua ketu qendron forca e shkrimit, i natyrshem, pa artifica.
Sa shkrim i bukur ! Fatkeqesisht,ne kete popull pa identitet dhe pa mirenjohje emra te tille te medhenj dhe qe kane bere histori si Gjika, i vellai Thomai,vete Jusufi,Qemali,Kristaqi e Margarita dhe te tjere djem idealiste qe e kishin origjinen nga familje te pasura por qe “menduan per fukarane” me pafajsine tyre djaloshare, u bene kurban i dallkaukeve,maskarenjve,njerezve pa atdhe,bashkpuntore ne krime te zeza, te perbindshme, qe nuk kursyen as babain e Gjikes,Kole Kuqalin qe e vdiqen ne tortura.Keshtu kjo bande dallaveresh e te gjitha ngjyrave
dhe e 100 flamujve nuk pyeten per gjakun e dy vellezerve deshmore dhe e shkelen ate me kembe.
Pse nuk e thua kete o Kristo Mertiri ? Pse nuk e thua qe sot aty ku ishte shtepia Kuqali sot eshte ndertuar nje pallat perbindesh nderkohe qe aty kishte dhe nje pllake perkujtimore ? Ku eshte respekti per keta martire te lirise ? Ku eshte memorja jone kolektive ?!