Projekti zviceran për fëmijët romë përfundon me rekomandime për shërbime sociale inovative
Një konferencë mbyllëse paraqiti dhe diskutoi shembuj dhe mësime të nxjerra nga Fondacioni ‘Ndihmë për Fëmijët’ në lidhje me mundësitë e arsimimit për fëmijët Romë.
Shkolla ’29 Nëntori’ ishte plot me të ftuar sot: konferenca mbyllëse e projektit ‘Arsim Profesional i Alternuar’ – CEFA – u zhvilluar aty me pjesëmarrjen e Ministrit të Mirëqenies Sociale Blendi Klosi dhe Ambasadorit zviceran Christoph Graf.
Praktikat më të mira nga projekti dhe nga Zvicra u diskutuan gjatë konferencës. Folësit kryesorë vlerësuan metodën ‘direkte’ dhe ‘inovative’ që projekti CEFA ka zbatuar gjatë viteve të punës për të sjellë fëmijë Romë nëpër shkolla.
“Inkurajoj Ministrinë, bashkitë dhe aktorët e tjerë që të vazhdojnë të punojnë dorë për dore për të gjetur se si të trajtohen shërbimet sociale për komunitetet në nevojë. Shpresoj se CEFA do të ketë një efekt të qëndrueshëm për mbështetjen e Romëve dhe komuniteteve të tjera, edhe pas përfundimit të projektit”, tha Ambasadori zviceran Christoph Graf.
Ministri Blendi Klosi foli gjithashtu për nevojën për një “pakt të mirëqenies sociale” ku jo vetëm Ministria por shumë institucione të tjera si bashkitë, organizatat jo qeveritare dhe donatorët ndërkombëtarë të bashkërendojnë përpjekjet që “modelet të kthehen në mekanizma afatgjatë”.
I pranishëm në konferencë ishte edhe përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Brian J. Williams organizata e të cilit ka qënë aktive në asistencën për përfshirje sociale të komuniteteve Rome. Aktiviteti u përshëndet edhe nga Brunilda Paskali, Zv. Kryetare e Bashkisë së Tiranës.
Një prezantim interesant erdhi nga Bernard Wandeler i Universitit të Shkencave Sociale, Luzern, Zvicër, i cili foli mbi sistemet dhe funksionimin e shërbimeve sociale në Zvicër.
Projekti CEFA preku disa aspekte të punës me familjet Rome dhe po lë prapa disa përvoja të vlefshme sidomos në lidhje me mënyrat si bashkitë mund të mbështetin këto komunitete. Projekti tregoi në praktikë se si shërbime sociale të decentralizuara, të deleguara, mund të funksionojnë pa i shtuar barrë bashkive apo qeverisë qendrore. Puna që u krye solli rezultate të dyfishta: (i) përfitime të drejtpërdrejta për komunitetet Rome; (ii) kapacitete të përmirësuara të qeverisë ven- dore dhe Ministrisë për të dhënë shërbime sociale.