Nëse do të duhej të zgjidhte mes dy goditjeve me kokë të finales së Botërorit 2006, Marco Materazzi nuk do të kishte dyshime: ajo e marrë nga Zidane ishte padyshim më e dhimbshme se goditja finale, me anë të së cilës mbrojtësi i azzurrëve sigloi atë barazim provizor 1-1 ndaj Francës. Nejse, as studiuesit e Universitetit të Stirling nuk do të krahasonin kurrë intensitetin mes dy goditjeve. Por, mes korridoreve të universitetit skocez rezultatet e raportit mbi marrëdhënien mes goditjeve me kokë dhe funksioneve cerebrale, kanë nisur të qarkullojnë me shpejtësi të madhe.
Sikurse evidentohet nga puna e publikuar në revistën “EBioMedicine”, të godasësh topin me gjymtyrin ekstremisht më të sipërm të trupit (kokë), ndikon në funksionimin e trurit, në radhë të parë, te memoria, për 24 orët pas goditjes. E thënë në këtë mënyrë, përdorimi i tepruar i alkolit dhe konsumimi i drogave do të ngjanin gati të padëmshme në raport me këtë praktikë. Në fakt nuk është kështu. Studiuesit britanikë kanë identifikuar ndërkohë, ndryshime të vogla por domethënëse, si rrjedhojë e një serie prej 20 goditjeve me kokë, si reduktimi i funksionimit të memories, që u identifikua mes 41% dhe 67% në harkun kohor të 24 orëve pas godjeve.
Sikurse raporton “BBC” bëhet fjalë për studimin e parë që gjurmon efektet direkte mbi trurin e futbollistëe të ekspozuar në mënyrë të shpeshtë ndaj goditjeve me kokë. Eksperimenti u zhvillua duke u kërkuar disa futbollistëve që të godasin me kokë për 20 herë topin që qëllohej nga një makineri që simulonte goditjet e këndit. Në punën e tyre, studiuesit specifikojnë se si po kërkojnë ende të kuptojnë nëse ndryshimet të cilave i nënshtrohet truri, janë të përkohëshme, pas disa ndeshjesh futbolli, apo më afatgjata. Gjithsesi, doktor Willi Stewart, një prej autorëve të studimit të publikuar në revistën e specializuar, sugjeron madje që të evitohet loja e futbollit në rrethanat të tilla si para një provimi. “Ekzistojnë efekte me kohëzgjatje të shkurtër dhe të tjera që zgjasin për 24 orë. Nëse do të isha babai i një fëmije që të nesërmen do të duhet të japë një provim, atëherë do t’i këshilloja që të mos shkonte të paktën për atë ditë në stërvitje”, shprehet Stewart.
Doktoresha Lindsay Wilson, docente e psikologjisë në Universitetin e Stiriling nënvizon ndërkohë rëndësinë shkencore të një studimi të tillë. “Mbretëron zakonisht skepticizmi mbi lidhjen reale mes goditjeve me kokë në futboll dhe ndryshimeve në tru, por ekzistojnë prova të dushkme. Nevojitet të vijohet në këtë tip kërkimesh për të kuptuar mirë çfarë ndodh saktësisht pas një goditje me kokë dhe sa mund të zgjasin efektet konseguente”, deklaron Wilson. Ndërkohë, që majin e kaluar, Federata e Futbollit kishte njoftuar vullnetin që të udhëhiqte një studim mbi lidhjet e mundshme mes futbollit dhe dëmtimit cerebral. Një iniciativë e lindur në vazhdën e fushatës së kërkimeve të promovuar nga familja e Jeff Astle, ish-sulmuesi I Notts County dhe West Bromwich, i vdekur në vitin 2002, në moshën 59 vjeçare. Në vijim të vdekjes së tij, një hetim nxori në dritë lidhjen mes vdekjes së tij dhe zakonit për të goditur me kokë topat në kohën e tij. Ish-futbolliti i kombëtares së Anglisë, i titulluari “the King” – “Mbreti”, ishte i famshëm pikërisht për aftësitë e tij të jashtëzakonshme në zonë. Një studim i vitit 2014, i realizuar nga Universitetit i Torontos, rikonfirmoi mundësinë që goditjet e përsëritura me kokë qëndronin në bazë të traumave kronike të pësuara nga Astle, të cilat kishin degjeneruar me kalimin e moshës.
Puna e Universitetit të Stirling ka çuar kështu në rikonfirmimin e argumentit “goditje me kokë-tru”. Sipas ish-numrit një të Federatës Skoceze të Futbollit, Gordon Smith, Skocia duhet të konsiderojë hipotezën që të ndalojë goditjet e topit me kokë për fëmijët e kategorive inferiore në ekipet e të rinjve. “Duhet të testojmë këtë skenar për futbollistët e një moshe të caktuar, duke tentuar të shkurajuar një lojë në ajër, pikërisht për të evituar që të kihet efekte të padëshiruara në moshat e vogla”, deklaroi Smith. Nëse tingëllon si një propozim ashtu i hedhur në ajër, duhet të dini se një propozim i ngjashëm u bë një vit më parë nga Federata e Futbollit të Shteteve të Bashkuara. Loja në ajër për fëmijët deri në 10 vjeç të ndalohet, përsa i përket akademive dhe klubeve të MLS, dhe nuk këshillohet për klubet e tjera jashtë kontrollit direkt të Federatës. Një reformë kjo e lindur në vijim të aksionit të ndërmarrë nga prindërit e shqetësuar për formimin e fëmijëve të tyre. Ndërkohë, vetë Gordon Smith, i cili në karrierën e tij si futbollist ka veshur fanellën e Rangers dhe Manchester City, nuk e ka problem të pranojë: “Nëse do të mund të zgjidhja të luaja sërish, me mundësinë që të goditurit e topit me kokë mund të ketë konseguenca, do ta bëja sërish. Ishte gjëja që kam dashur më shumë në jetën time”./ Telesport