Vdekja që e vë në sprovë serioze shtetin dhe mbarë shoqërinë kosovare

7 Nëntor 2016, 09:47Rajoni TEMA

Ndërsa autoritetet e Kosovës premtojnë transparencë në zbulimin e arsyeve të vdekjes së një aktivisti të Vetëvendosjes, opinioni me të drejtë dyshon se si shumë tragjedi të tjera edhe kjo do të mbetet e pasqaruar.

Nga Enver Robelli

Vdekja në rrethana ende të paqarta e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Deharit ka shqetësuar shoqërinë kosovare dhe ka thelluar hendekun politik mes pushtetit dhe partisë kryesore opozitare. Dhjetëra qytetarë kanë ndezur qirinj të dielën në mbrëmje në Prishtinë në kujtim të 26-vjeçarit, i cili po mbahej në burgun e Prizrenit prej më shumë se dy muajsh nën akuzën për pjesëmarrje në një sulm gjoja terrorist kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Akuzat e policisë së Kosovës jo vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje janë quajtur të montuara. Edhe mediat e pavarura në Kosovë kanë shprehur dyshime ndaj pretendimeve të pushtetit, duke rikujtuar se policia kosovare vazhdon të jetë e ndikuar politikisht.

Në një komunikatë për opinion Vetëvendosje e ka fajësuar policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe Qeverinë për vdekjen e Deharit. Vetëvendosje nënvizon disa kundërthënie në deklarimet e përfaqësuesve të shtetit në lidhje me këtë rast: «Nga njëra anë, Drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur rrugës për në Spitalin e Prizrenit për shkak të konsumimit të barnave. Nga ana tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur pasi ka mbërritur në Spitalin e Prizrenit dhe ende nuk ka nxjerr raport mbi vdekjen e tij. Burime të tjera tregojnë se Astrit Dehari mund të ketë vdekur në burg si pasojë e mungesës së duhur të kujdesit ndaj shëndetit të tij. Kurse kryeprokurori i Prizrenit deklaron se vdekja është e dyshimtë».

Të dielën ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, kryeprokurori Aleksandër Lumezi, dhe zyrtari i lartë i policisë së Kosovës, Naim Rexha, kanë premtuar transparencë në zbulimin e arsyeve të vdekjes së Deharit. Por opinioni në Kosovë me të drejtë dyshon se si shumë tragjedi të tjera edhe kjo do të mbetet e pasqaruar. Në të kaluarën autoritetet kosovare nuk kanë arritur të sqarojnë shumë vdekje të dyshimta dhe me ndjeshmëri të lartë politike. Në raste të tjera, si vdekja e drejtorit të Agjencisë së Privatizimit, Dino Asanaj, drejtësia kosovare ka qenë kundërthënëse në njoftimet për opinion dhe ka lënë hapësirë të dyshohet se Asanaj nuk është vetëvrarë, siç thuhet në versionin zyrtar. Një ndër skandalet më të mëdha të Kosovës së pasluftës – vjedhja masive e drogës dhe me gjasë edhe e dëshmive të tjera në Dhomën e Dëshmive të policisë – ka mbetur enigmë e pazgjidhur, po aq sa edhe dhjetëra vrasje të aktivistëve politikë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe eliminimi i së paku tre gazetarëve (Shefki Popova, Ismail Bërbatovci, Bardhyl Ajeti).

Në ditët në vijim pritet obduksioni i kufomës së Deharit. Me kërkesë të familjes në këtë proces do të asistojë një mjek i besueshëm i prindërve të Deharit. Vdekja e Deharit e vë në sprovë serioze shtetin dhe mbarë shoqërinë kosovare. Humbja e besimit ndaj autoriteteve shtetërore ka ndikuar që një ditë pas vdekjes së Astrit Deharit në rrjetet sociale të shkëmbehen fjalë të rënda, shpeshherë edhe vulgare mes aktivistëve të VV-së dhe gazetarëve të afërt me pushtetin.

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, me origjinë nga Maqedonia, ishte aktivist i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) në Zvicër. I biri i tij Arbënori vdiq para dy vitesh. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur vdekjen «tragjike», mediat kosovare kanë njoftuar se Arbënor Dehari kishte bërë vetëvrasje. Familja ishte kthyer për të jetuar dhe vepruar politikisht në Kosovë pas luftës së fundit.

3 komente në “Vdekja që e vë në sprovë serioze shtetin dhe mbarë shoqërinë kosovare”

  1. kanili says:

    o dushan mugosha(thaci)e vrate o plera 26 vjec cun ne lule te rinise

  2. koha jone says:

    Ky eshte nje turp i madh per Qeverine e Kosoves ,qe ben hakmarrje politike ndaj nje aktivisti . Kjo dhune e tmerrshme tregon qe nuk ka demokraci , ata po perdorin metodat Serbe ,kunder popullit te tij .
    MJEKUN PRIVAT TE FAMILJES DO TA BLEJNE SHUME SHTRENJTE QEVERIA . POPULLI I KOSOVES NUK KA VLERA ,ATO JANE SHITUR GJITHMON DHE VAZHDOJNE TE SHITEN .

  3. LORA says:

    Si nuk ka dale ende raporti i autopsise,te kesaj vdekje tejet te dyshimte ??????Vonesat perbejne arsye te qenesishme te dyshimit te nje vrasje.
    Shoqeria kosovare duhet te reagoje urgjentisht dhe te tunde fort themelin e pergjegjesve ne ligj,qe shkaktuan kete vdekje te Astrit Deharit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje