Nga Kristo Mërtiri
Ditët e fundit, kur gati tërë media elektronike dhe ajo e shkruar po jepte lajmin e zgjeruar mbi pasuritë e çuditshme të Rektorëve e Dekanëve nëpër Universitetet Publike të Shqipërizës sonë, po kujtoja penëhollin e papërsëritshëm të viseve të mia, të paharruarin Nonda Bulka. Kujtova gazetarin e shkrimtarin e çmuar, njeriun që qeshte dhe qante si bilbili, qytetarin e kulturuar që dinte të polemizonte bukur edhe me majën e gjilpërës. Dhe nuk ishte rastësi e zakonshme. Duke menduar rreth pasurisë tepër të dyshimtë të atyre pedagogëve, sot me kolltuqe të larta shtetërore, po vërtitesha rreth fjalës “grazhd” ku hanë tagji lopa, kali e mushka. Fjalë e lashtë sa vetë bota. Por mua mu faneps revista e famshme “Hosteni”, koleksionin e të cilës e shfletonim me kënaqësi në Bibliotekën Kombëtare e në atë universitare, sidomos gjatë viteve studentore në Degën e Gazetarisë. Sepse “ka edhe grazhde për njerëz. Gjenden në këtë botë njerëz dhe jo nga ata sidokudo, po të prepsur (të mbajtur mirë), me kollare e me bastun, me shumë “gjuhë”. Roli që ka luajtur grazhdi në vendin tonë ka një rëndësi të madhe patriotiko-kombëtare të dorës së parë. Grazhdi ku kullotin lopët e kuajt, vjen një erë, të cilën pak a shumë e njohin. Një tjetër lloj ere vjen grazhdi i myteberëve…”. Ironi e sarkazëm që fshikullon fort sot e kësaj dite, botuar 65 vjetë më parë ! Bëhet fjalë për ata tipa që u pjell edhe këndesi. Myteberë që tunden e shkunden si koka të mëdha, shesin moral pa doganë dhe pasurohen në kurriz të hallexhinjve taksapagues, në kurrizin e studentëve të varfër. Ashtu tinzarë e kapadainj, ethebutë e mësalla me dy faqe, me lëkurë qengji a luani, sojsëzë e biçimsëzë të pamëshirshëm përballë studentëve të mjerë që shkurtojnë deri vaktet e ushqimit, lakmitarë të pashoq e të panginjur, pehlivanë që shkojnë gjithmonë nga fryn era dhurataprurëse e pushteteve. Dhe nuk janë grazhdarë të rëndomtë. Janë me spaleta e grada të larta shkencore, mjeshtra korruptivë në tregun e lirë të Demokracisë. Njerëz që përdhosin ndoshta më tepër se kushdo një gjeneratë të tërë për sot dhe për nesër. Një kolerë që do e paguajnë shtrenjtë brezat, vetë mëmëdheu ynë halleshumë. Ata tipa dinë si dhe ku grazhdohen fitimet mbi e nën dorë nëpër qilarët e pistë të Tranzicionkaosit shqiptar.
Fjala vjen, unë njoh mjaft Profesorë të zotë e të ndershëm që punojnë ende ose kanë dalë faqebardhë në pension. Nuk abuzojnë e nuk fëlliqen kurrë. Me kontribute të mëdha në Arsim Kulturë, Ekonomi, Hidroenergjetikë, në Gjeologji-Miniera, Bujqësi e kudo. Me paga modeste ose pensione qesharake. Që dhanë shumë e u shpërblyen fare pak . Por dinjitozë e aspak qaramanë. Shërbyen dhe nuk rrëmbyen. Mjaft prej tyre, po t’u ngjanin sadopak atyre Rektorëve e Dekanëve pasanikë të sotëm, do të ishin miliarderë e mund të na thyenin kokën me para të pista. Përshembull, Profesorit e mikut tim përmetar, Arqile Teta, në fillim iu dukën të pabesueshme ato shifra e fakte tronditëse. Kur i citova me zë të lartë dy paragrafë gazete, iu përflak fytyra dhe nisi të mërmërinte thekshëm me veten. Madje i hëngra pak kohë nga puna intensive për hartimin e një Fjalori të ri. “Jam atje ku kam qenë, te shtëpia e kohës së Enverit, në atë apartament…”,-mu përgjigj kur e pyeta se ku banonte. Ky Profesor emërmirë në fushën e vet, ka patur “në dorë” shumë burime shtetërore ku mund të bëhej zengjin me kohë. Që nga Fakulteti Gjeologji-Miniera; Drejtor i Arsimit të Lartë të Republikës (më jetëgjati) dhe Shef i Arsimit të Kryeqytetit. Por nuk e bëri kurrë pis dorën e xhepin ish studenti i shkëlqyer, pedagogu serioz e shtetari korrekt. Atë ditë që biseduam bashkë te Brryli, u trishtua shumë…Si Arqile Teta janë të paktë. Kursen nga lekët e pensionit dhe boton libra të rrallë e aspak surrogate !… Ata drejtues Universitetesh e Fakultetesh të pluralizmit, ranë si miu në miell apo si pula në grurë ? Ose më tej. P.sh. pedagogët dhe studentët e Universitetit të Shkodrës që mban emrin e idealistit të kulluar e zemërhekur, Luigj Gurakuqi (krahu i djathtë i Ismail Qemalit e Fan Nolit), a e dinë se ç’farë i gjetën në xhepa kur u vra nga dora kriminale zogiste në Bari të Italisë ? Vetëm 100 lireta ! Ky burrë i madh i kombit, që nënën Shqipëri “E deshte kur s’e deshnin / E vishte kur e zhveshnin/ E qante kur e qeshnin…”, atëhere ishte ministër i Financave. Më gjeni një shembull të dytë si ky !…
Njerëz të tillë kanë të drejtë që fyhen kur dëgjojnë e lexojnë lajme të atilla për kolegët e brezit të ri. Për ata që ngrysen të varfër e gdhihen befas të kamur e të majmur nëpër “grazhde” të errëta hajdutërie. Askush nuk u kërkon hesap, as Ligji, as Senatet, as OJQ-të studentore me emra vezullues etj. Derdhen informacione lumë, por rrallë e për mall ndalen konkretisht e gjerësisht me shkrime, intervista e filmime të pasurive. Mirëpo, titujt e lajmit të fundit për Rektorët e Dekanët pasanikë, veçuan si më “të varfër” vetëm Rektorin e Universitetit “Fan Noli” në Korçë, Prof. Ali Jashari. Bile, jo më kot u theksua se apartamentin ku banon e paska marrë me kredi bankare. Të jem i sinqertë, personalisht u ndjeva mirë për këtë intelektual të brezit tim. Kam shumë vite pa u takuar me të. Studimet e larta në Universitetin e Tiranës, i kemi përfunduar bashkë gati në të njëjtin vit. Por emrin e tij e takoja shpesh si autor artikujsh shkencorë te revista “Studime filologjike”,”Nëntori”,”Gjuha jonë”,”Kultura popullore” etj. Por edhe te tekste të shumta shkollore dhe nëpër katalogjet e disa shtëpive botuese brenda e jashtë Shqipërisë. Një arsye tjetër që më gëzoi pas veçimit të emrit të tij nga gjithë media : Kohë më parë, krejt rastësisht, më ra në dorë një shkrim i botuar me pseudonim(për mua mbetet një letër anonime ligëshane, baltëmadhe dhe hiç qytetare) dhe provova një hidhësirë profesionale e njerëzore. Nuk gjeta asnjë fakt konkret, por vetëm “llafe kazani” e britma pazari démodé. Sepse anonimët, shpesh edhe priftin e hoxhën i bëjnë me barrë ! Pse ta fsheh, i kam urryer në vite kartat anonime që përgjithësisht pikojnë poshtërsi e zezona. Dhe prita gjatë, për të pyetur e për t’u shkoqitur me ndonjë të njohur a mik prej Korçe. Por lajmi i fundit, me burim zyrtar Inspektoriatin Shtetëror të deklarimit të pasurive, sikur m’i thau pikëpyetjet e mbledhura xhëng te unë. Madje, atë ditë kisha lexuar edhe punimin shkencor interesant të një zonje korçare me mbiemrin e Aliut. Mora vesh se ishte vajza e tij. U kënaqa edhe më shumë… Sepse Ali Jashari, nuk ka ecur e as është ngritur me katapult partiak, fisnor a krahinor nëpër detyra të ndryshme, siç po ndodh ende në këtë vendin tonë të bekuar nga Perëndia dhe të mallkuar nga Politika pa din e iman. Ai e nisi udhën e shenjtë të mësuesisë në Miras të Devollit, gati 40 vjetë më parë. Me djersën e vet të vlerësuar nga rrethi e qendra, hyri në qytetin e Korçës e dha mësim nëpër shkolla të mesme e gjer në drejtimin e punës pedagogjike cilësore në qytete e fshatra. Pa iu ndarë krijimtarisë e publikimit të tyre në shkallë vendi. Akademikët tanë të shquar, jo më kot ia përmendnin emrin me respekt në Tiranë. Por edhe bashkëpunuan ngushtë me Aliun. Veçse emrin e tij mund ta dëgjosh edhe në Universitetin e Prishtinës, në Prizren e Tetovë, Tiranë e gjer në Universitetin e Oksfordit, në Danimarkë, Bolonjë, Selanik e në Londër. Por gjykoj se integriteti i tij moral, kulturor, profesional e qytetar, u ngrit edhe më lart përballë opinionit publik që ka sy të shikojë e veshë të dëgjojë. E tha bukur një akademik i nderuar, pardje në kryeqytet, kur i thashë se dua të shkruaj diçka :
-Miku im, po e bëre shkrimin, lëre me këtë titull : Rektorë e Dekanë pasanikë, o ktheni paratë e grabitura, o shkarkoni Ali Jasharin në Korçë !…Në Universitete duhej të binin “tërmete” pas atij lajmi. Këta matrapazë të pangopur janë “thëngjij të mbuluar”, por edhe “sekserë të 100 flamurëve” nëpër istikamet e pushteteve të majta e të djathta…
Ironia egërshane dhe e drejtë, flet vetë. Heshtja e Senateve,, e Ministrisë përkatëse e gjer Parlamenti ynë i shëmtuar që zien e ligjëron si e ëma e Zeqos në majë të thanës, të dëshpëron. Vallë, askujt nuk i ka hyrë lepuri në bark ?! Ky rreth vicioz i padurueshëm i vë kazmën moralit të arsimimit të vërtetë. Si nuk mori guximin ndonjë Rektor a Dekan pasanik e minimalisht të jepte dorëheqje të revokueshme, të dilte e të sqaronte hapur burimet e ligjshme financiare. E theksojmë : të revokueshme. Ai që është i pastër, rikthehet më me dinjitet e personalitet të fortë. Dhe ulërasin përditë për Transparencën ! Apo kanë “tharë” gojën e zorrën, kanë dhënë prova dorështrënguar, kanë kursyer marrëzisht duke e “lidhur lekun me ushkur” ?… Sepse nuk mund të futet minarja në thes e as të mbulohen me gjethe fiku pasuritë e luajtshme e të paluajtshme. Apo vetë presin e vetë qepin. Këta “ujqër me mëlçi në qafë”, do vazhdojnë të mbeten “pronarë” provimesh, titujsh e gradash, diplomash, masterash, apartamentesh, dyqanesh, trojesh, garazhesh; zotërues të dhjetra llogarive bankare; drejtues e anëtarë bordesh etj. ? Po ndonjë institucion shtetëror përgjegjës, a do vazhdojë të bëjë thjesht rolin e tellallit të dikurshëm, duke lëçitur si sufler deklaratat personale të titullarëve ? Sepse rrallë, për të mos thënë hiç fare, nuk po dëgjojmë ende për burimet e ligjshme a të paligjshme. Ose Drejtorisë Antikorrupsion në selinë e Qeverisë, a do I dëgjohet zëri ? Ndërsa Prokuroria dremit a fle gjumë mbi “jastëkun” e informacioneve zyrtare e publike. Të paktën, le të dalin para studentëve e qytetarëve dhe të japin përvojën e tyre në pasurimin e shpejtë ! Sidomos disa figura që I paskan marrë me “tapi” kolltuqet drejtuese. Apo japin “kapar” para se t’I zaptojnë me thonj e me dhëmbë ?…
Ironia e mikut tim Akademik nuk më shqitet ende. Sepse në këtë mesele, më “anormali” e më “mëkatari” po mbetet Ali Jashari në Korçë e fare pak ca të tjerë si ai …Shkarkojeni këtë “humbameno” e të shpëtojnë pasanikët qerratenj e të shkathët !…
Mos shkruani bla bla bla.Une rektorin nuk e njoh.Ne qofte se Jane te verteta ato qe shkruhen te kerkohet nje komision hetimi nga intelektuale te ndershem (ne se ka ) Ne se jane llafe pazari mbyllni gojen .
Nje pergjigje Asnjansit(As-hamsit)
Cka thue o i urum. Ti si ke pa emrat e lakum te rektorve dhe dekanve ne listen e Istitutit te deklarimit te pasunive? Ne mediat e shkrum e gjen te botuem. Asht zyrtare, jo llaf pazari. Per at rektorin qe thu ti, ku e din, se un sgjeta gja ne kte shkrim. A ma thu o As-hames?
E vertete z.Kristo ,ky vend po mbytet nga injoraca,korrupsioni,pseudointelektualet, ndjejm dhimbje, por zgjidhja eshte tek rikthimi i VLERAVE.Duket MISION I PAMUNDUR per kete vend, ku per 25 vjet shkaterimi i te cilit u kthye qellim ne vetvete. Gjyshi im thoshte” HA E MBAJ MEND”.Te mbajm mend ato vlerat e ayre koherave se tani !!!!!!!!
Kreret e korrupsionit universotar keni dy ish-rektoret e Universitetit te Tiranes Dhori Kule (dmth bytha) dhe atij te Politeknikut Jorgaq Kacani (dmth barktharit), te dy jane dekane tani. Keta duhet te ishin ne burg si qelbesira qe renuan arsimin e larte shqiptar. Jane te krimbur ne para ndaj u bej thirrje atyre qe jetojne me gjoba se keta parate i mbajne ne shtepi ndaj ti gjobiusin ose grabisin ne shtepite e tyre, se perndryshe do t’jua hane prokuroret dhe gjyqtaret. vraponi kusare sa me pare dhe grabitini keta grabitqare.