Zbardhen detaje nga arrestimi i pjesëtarit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, pasi prej kohësh shantazhonte një kolegen e tij, E.K. se do t’i publikonte një video intime.
Arrestimi u krye pas një hetimi disajavor ndaj efektivit të Ushtrisë, Gersian Dumi.
Ai fillimisht kishte kërkuar të kishte një raport me kolegen, por më pas kërkesat e tij ndaj të dëmtuarës kanë qenë të vazhdueshme dhe kanë arritur deri te kërcënimet, shkruan “Panorama”.
Si mjet për të kërcënuar kolegen me iniciale E.K. mësohet se autori i ngjarjes ka përdorur pretendimin se kishte në zotërim një video intime të saj, të cilën do ta bënte publike, nëse ushtarakja nuk pranonte lidhjen me kolegun dhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale.
E ndodhur nën kërcënime dhe shantazhe të vazhdueshme, ushtarakja me iniciale E.K. ka vendosur të drejtohet në polici dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të denoncuar rastin.
Burimet zyrtare thanë se 23- vjeçari, Gersian Dumi, ka rënë në pranga pikërisht në zonën e Vilave Gjermane, ku kishte lënë të takohej me kolegen për të shkuar në hotel.
Skenari i të riut ndryshoi kur në vend të koleges ushtarake që ngacmonte u përball me efektivat e policisë, që i vunë prangat dhe e shoqëruan në ambientet e izolimit.