Veliaj: 70 koordinatorë nisin punën për caktimin e 5 mijë administratorëve

9 Dhjetor 2016, 12:02Sociale TEMA

Duke filluar nga dita e hënë, 70 koordinatorë të rekrutuar nga Bashkia e Tiranës do të zbresin në terren për të nisur procesin e  caktimin të administratorëve në rreth 5 mijë pallate në Tiranë .

I pranishëm në prezantimin e këtij projekti ambicioz të caktimit të administratorëve të pallatit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj theksoi se të gjithë banorët e Tiranës do të marrin nga ai, duke filluar nga kjo fundjavë, një letër që shpjegon procedurën.

“Hapi i parë, ne do të krijojmë një asamble të banorëve të pallatit. Asambjelja e banorëve të pallatit përbëhet nga të gjithë ata që banojnë në atë pllat. Kush ka pronë ose kush është me qira në atë pallat është automatikisht anëtar i asamblesë së pallatit. Prania juaj fizike në atë banesë, në atë territor iu bën automatikisht sipas ligjit shqiptar, anëtar të asamblesë. Hapi i dytë, organizojmë zgjedhjet e asamblesë. Arsyeja pse stafi i bashkisë është që t’ju koordinojë, t’ju njoftojë datën, vendin ku do takoheni për të bërë këto zgjedhje dhe pastaj me një votim demokratike të vendosni 3-5 veta, sipas ligjit, që do të jenë kryesia e asamblesë”, tha Vleiaj.

Kryebashkiaku sqaroi se më pas do të jetë kjo kryesi e përbërë nga 3-5 personave, që do të kontraktojë administratorin e pallatit.

“Në disa vende tashmë është identifikuar një njeri që e bën këtë punë, roja i pallatit, i garazhit, i pompës, i ashensorit, i taracës, gjëra të kësaj natyre. Nëse ky është personi që doni atëherë do të bëni një rekrutim zyrtar dhe kjo kontratë do të depozitohet në bashkinë e Tiranës.  Hapi i katërt, Bashkia e Tiranës do ta trajnojë me të gjitha kompetencat ligjore, me të gjithë të drejtat dhe detyrimet që lindin, me të gjithë hapat e transparencës financiare sepse shpesh në pallate do të mblidhen shpenzime për të rregulluar gjëra që nuk funksionojnë, pra një ashensor, një derë të prishur, një garazh që është jashtë funksionit. Pra gjëra të kësaj natyre. Pasi të marrë trajnimin administratori do të çertifikohet”, theksoi Veliaj.

Gjatë këtij takimi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se do të nisë një tjetë projekt ambicioz për kryeqytetin.

“Këtë fundjavë kemi një lajm tjetër shumë të mirë, do të fillojë veprimtarinë ndërmarrja jonë publike midis Bashkisë së Tiranës dhe bashkisë së Veronës, “Eco Tirana” e cila duke filluar në disa nga lagjet qendrore, do të fillojë vendosjen e koshave të rinj për të filluar më në fund, si çdo kryeqytet perëndimor, ndarjen e diferencuar të mbetjeve. Secili prej banorëve do të duhet që t’i ndajë në dy qese mbeturinat e veta, ato që mund të riciklohen dhe pastaj mund të shkojnë te koshi i gjelbërt, ato që nuk riciklohen dhe që do të shkojnë te koshi blu”, tha ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje