Naum Mara
Më kanë gëzuar këto ditë, pamjet plot drita të qytetit tim, të botuara në dia gazeta e portale, që dëshmojnë pë përkushtimin e bashkisë dhe të pushtetit qëndror. Më thonë edhe se është e vështirë të gjesh vende të lira në hotelet dhe bujtinat e qytetit gjatë fundjavës, pasi të huaj dhe shqiptarë pëlqejnë të kalojnë disa ditë në qytetin e kalldrëmeve dhe kangjellave.
Por ka edhe pjesë të pandriçuara të qytetit, ku jetojnë njerëz e ndodhin krime nga më të tmerrshmet. I fundit ishte vrasja e dy fëmijëve dhe vetvrasja e një kryefamiljari. Nuk ka në historinë e qytetit tim( të paktën në atë të pasqyruar në shtypin shqip që në kohën e Mihal Gramenos)një krim kaq të përbindshëm. Ka pasur edhe vrasje me automatik të një famijeje të tëre në kohën e Diktaturës, por të tillë, të vrasjes të fëmijëve nga prindi nuk ka pasur.
Nuk dua të bëj as hetuesin dhe as psikiatrin për të ngritur hipoteza e për të arritur në konkluzione, se ç’ndodhi atë pragmëngjesi të mallkuar.
Tre njerëz të varfër humbën jetën nga varfëria, më shumë se nga çmenduria apo shtazëria kriminale.
Në të gjitha dëshmitë e njerëzve të njohur dëgjon rreth varfërisë e dëshpërimit.
Njerëz, që emigruan në shtetin fqinj se nuk kishte punë në Shqipëri.
Njerëz, që kthehen, se nuk ka punë në Greqi dhe më pak akoma në vendin e tyre.
Gra që prostitujnë për të rritur fëmijët dhe burra, që pranojnë lekët e shitjes së trupit.
A nuk është kjo pamje e errët e qyteve tona, që nxin edhe ndriçimet më marramendëse të Filos, Dakos apo Veliajt?
Dy ëngjëj të pafajshëm nuk marrin më frymë se ja u ndalën prindrit e varfër dhe nuk i shpëtoi dot shoqëria.
Shuajini 5 minuta dritat që lbyrin Sheshet dhe Këmbësoren e qytetit tim!
Ndizni nga një qiri për shpirtin e atyre dy fëmijëve!
I ndizni edhe për shpirtrat tanë, që çdo ditë e më shumë njollosen!