Ministri i Brendshëm priti në një takim ish-drejtuesit e Policisë, ditën e 90-vjetorit të krijimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Saimir Tahiri falënderoi ish-drejtorët për kontributin ndër vite për të bërë Shqipërinë sa më të mirë.
“Ky ishte një rast për mua dhe për të gjithë ne, për të gjithë punonjësit e Policisë sot, për të nderuar kontributin e të gjithë atyre që kanë drejtuar apo punuar në Policinë e Shtetit në të gjithë këto vite.
Pra plejadën e nderuar të të gjithë atyre që kanë sakrifikuar, punuar me vetëmohim për të bërë Shqipërinë që sot ne jetojmë.
Ky është gjithashtu një moment për t’u angazhuar, sigurisht para drejtuesve të Policisë së Shtetit ndër vite, deri tek çdo qytetar për të punuar akoma më shumë, për të bërë akoma më shumë, për të reformuar akoma më shumë Policinë, për t’i shërbyer akoma më shumë qytetarëve, për të pasur rezultate shumë më të forta në luftën kundër krimit, paligjshmërisë, informalitetit. Dhe për të ndërtuar sot Shqipërinë që ëndërrojnë sot qytetarët shqiptarë.
Pra, këtu pas meje është e gjithë plejada e drejtuesve të Policisë ndër vite. Janë njerëz që kanë sakrifikuar për të pasur Policinë që kemi sot.
Ndaj unë përulem me shumë respekt para të gjithëve ju, për gjithçka keni bërë’’, tha ministri Tahiri.
Për njërin nga ish-drejtuesit e Policisë së Shtetit Kasëm Kaçin, ky ishte një moment i veçantë.
Ai deklaroi plot emocion se Policia sot është në gjendje për të luftuar krimin.
‘’Unë jam i bindur që kjo Polici që sot është e pajisur me të gjitha mjetet teknike-shkencore dhe aftësitë profesionale do të përballojë me sukses të gjitha situatat që do paraqiten përpara.
Nuk ka nevojë që Policia Shqiptare të merret nga dikush për dore. Jo. Sot ajo është bërë e fortë, profesionale, e vullnetshme. Me shpirt e me zemër punojnë për të siguruar rendin dhe qetësinë publike”, pohoi ish-drejtori i bluve në vitet ’68.