Kodheli shpërndan dhurata për fëmijët e ushtarakëve të Forcës Detare. Lidhje direkte me ekuipazhin e anijes “Oriku” në Egje

21 Dhjetor 2016, 16:07Sociale TEMA

Me rastin e festave të fundvitit, Ministria e Mbrojtjes shpërndau dhurata për fëmijët e ushtarakëve të Forcës Detare, të cilët ishin pjesë e një aktiviteti festiv, ku ishin të pranishëm ministrja znj. Mimi Kodheli, komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Ylber Dogjani, ushtarakë dhe familjarët e tyre.

Gjatë këtij aktiviteti, i cili u organizua në mjediset e Komandës së Forcës Detare në Durrës, u realizua edhe një lidhje direkte në “skype” me ekuipazhin e anijes “Oriku”, i cili ndodhet në misionin e NATO-s në Detin Egje, “Sea Guardian”.

Në fjalën e saj ministrja Kodheli u shpreh e kënaqur për përgatitjen e fëmijëve, si dhe theksoi arritjen e veçantë të detarëve tanë, siç është pjesëmarrja në të parin mision ndërkombëtar detar të flotës sonë.

Duke iu drejtuar ekuipazhit të anijes “Oriku”, ministrja Kodheli foli për rëndësinë që ka pjesëmarrja e vendit tonë në këtë mision. “Ju do të hyni në historinë e Forcës Detare dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si pjesëtarët e parë të një anijeje që merr pjesë në një mision NATO, në shërbim të qytetarëve të kësaj bote. Ju po bëni gjënë e duhur me fisnikëri, dinjitet dhe seriozitet ashtu siç dhe jam e sigurt që janë virtyte që ju karakterizojnë.”- theksoi ministrja Kodheli, e cila i siguroi ata për shëndetin e familjeve të tyre dhe përkujdesjen e Ministrisë së Mbrojtjes në këto ditë festash.

“Ju siguroj që familjet i keni mirë. Nga ana tjetër ne këtu jemi duke festuar se kjo pjesë na ka takuar. Dikujt i takon të rrijë në mision, dikujt i takon të bëjë festa. Kështu që jemi shumë të gëzuar që po na vijnë festat dhe gjithsekush do marrë nga një dhuratë. Edhe ca beba do marrin dhuratat që iu takojnë”,- tha Kodheli.

Pas shpërndarjes së dhuratave, të pranishmit përshëndetën ekuipazhin e anijes “Oriku”, si dhe realizuan fotot e rastit.

Shpërndarja e dhuratave për fëmijët e ushtarakëve me rastin e festave të fundvitit, do vijojë edhe në njësitë e tjera të Forcave të Armatosura.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje