Debatet për mandatin e deputetëve dhe kryebashkiakut, avokati i Roshit, Sollaku: KQZ s'ka mandat për të shkarkuar

27 Dhjetor 2016, 13:10Politika TEMA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thirri sot në një seancë dëgjimore dy deputetët Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, si dhe kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi të akuzuar për fshehje të dënimeve në formularin e dekriminalizimit.

Por Rroshi e Tahiri nuk morën pjesë personalisht por u përfaqësuan me avokatet përkatës. I vetmi që pranoi të marrë pjesë është Shkelqim Selami.

Pas seancës dëgjimore, KQZ ka afat 10 ditë për të vendosur për kërkesën e prokurorisë për pezullimin e mandateve për dy deputetët dhe kryebashkiakun, që akuzohen për fshehje të të dhënave.

Diskutimet në KQZ

Denar Biba: Kjo është një procedurë e re për KQZ. Ne nuk jemi gjykatë, por nuk mund tu shpëtojmë disa aspekteve proceduriale.

Gazmend Bardhi i PD: Për Elvis Rroshin zyra e prokurorit ka krye verifikimet dhe ka rezultuar se është subjekt i ligjit, në të paktën dy rrethana. Ai është i dënuar për përdhunim dhe dëbim dhe të dyja këto e bëjnë subjekt të ligjit të dekriminalizimit dhe do të duhet është apo jo brenda periudhës së ndalimit.

Denar Biba: Unë u kam dhënë fjalën, por mos bënë prokurorin, pasi ju jeni parti politike.

Gazmend Bardhi: Nuk kam ardhur të bëj akuza politike. KQZ nuk po bën politikë, është I ngarkuar për të zbatuar ligjin.

Denar Biba: Unë nuk iu ndjek me këtë bisedë.

Gazmend Bardhi i PD: Elvis Rroshi ka qëndruar për 8 muaj në detyrë jashtë ligjit.

Gazmend Bardhi: Roshit dhe Selamit tu hiqet mandati, ndërsa vepra për të cilën akuzohet Tahiri është amnistuar në 2006 nga shteti italian.

Theodhori Sollaku, avokati i Elvis Roshit: Hera e dytë që unë paraqitem në komision. 7 muaj më parë komisioni vendosi që t’i kërkojë prokurorisë thellimin e hetimit pas informacioneve policore.

Pas 7 muajve nuk ka ndryshuar asgjë, asnjë hetim i thelluar nuk është bërë. Ligjvënësi ia ka lënë prokurorisë hetimin në bashkëpunim me autoritetet e huaja. E vetmja gjë që ka ndodhur është arrestimi i Roshit, pa asnjë provë, një precedent i rrezikshëm.

Në këtë cështje pati një ngutje të tmerrshme. Informacioni që kemi nuk na referon asnjë dokument të ardhur nga autoritetet e huaja. Të revokohet vendimi i 7 muajve më parë, që ia drejtuat prokurorisë së Përgjithshme. Shpresoj ti kërkoni prokurorisë të plotësojë kërkesën që i keni bërë para 7 muajsh.

I mbrojturi prej meje akuzohet për një dënim 24 vite më parë, kur ka qenë 16 vjeç. Nuk kemi një vendim të konfirmuar nga autoritetet e huaja. Nga infot që kemi ne, rezulton që në Zvicër dhe Gjermani nuk kanë dhënë asnjë info pas pretendimeve të ngritura 7 muaj më parë.

Jo vetëm nuk ka, por edhe sikur të kishte, Zvicra nuk futet te shtetet që duhet të bënte deklarimin. Si mundet të penalizohet një person që mund të jetë dënuar jashtë në mungesë? Nëse dënimi është dhënë në mungesë nuk ka fuqi, edhe KQZ duhet të marrë në konsideratë këtë praktikë.

Roli i KQZ për vendimmarrjen është vetëm konstatimi. Neni 15 thekson se kryetarët e bashkive shkarkohen nga qeveria, ndërkohë ne kemi një ligj që Kushtetuta ka epërsi mbi cdo ligj.

Edhe ligji për dekriminalizimin, referon që ky komision duhet t’i drejtohet kryeministrit për gjetjet e tij. Edhe nëse do të ketë vendim që të hiqet mandati, kompetencën për të vendosur e ka gjykata Kushtetuese.

Denar Biba: Njoftuam edhe Prokurorinë, por nuk është e pranishme, do të ishte mirë të ishte një përfaqësues.

Avokati i Roshit, Sollaku: Provat për të cilat është akuzuar Roshi janë dorëzuar në prokurori. Aktet konfirmojnë faktet që është i padënuar.

Avokati i Selamit: Vendimi i prokurorisë i gabuar. Prokuroria nuk na ka vendosur në dispozicion asnjë akt për të cilin akuzohet klienti im. Selami ka dhënë incide për prokurorinë përmes formularit se ka pasur një ndalim në Itali, por ky hetim rezulton i pavërtetë.

Në 2007 rezulton që vendimi për Selamin në Itali është pushuar. Pra kemi një prezumim të pafajësisë, pasi nuk ka një vendim të prerë të gjykatës. Gjykata italiane e ka pushuar cështjen, Selami është i pafajshëm, masa u la në funksion të një vendim përfundimtar të gjykatës, pasi nuk ka vendim të formës së prerë. Kemi të gjitha provat që kemi marrë nga shteti italian.

Shkëlqim Selami: Prokuroria të sillte të gjitha dokumentet që ne kemi marrë në Itali.

Vera Shtjefni: A është marrë masa e sigurimit personal.

Avokati i Selamit: Masa u mor në 1994 për veprën penale organizatë kriminale dhe u shua në 2002. Ka një vendim pushimi, që barazohet me vendimin e pafajësisë.

Avokati i Dashamir Tahirit, Fatmir Braka: Prokuroria nuk ka bërë hetim të thelluar, për këtë defekt ne kemi ardhur këtu. Dashamir Tahiri u thirr në prokuroi për të dhënë shpjegime. U dënua me 9 muaj burgim në Itali për falsifikim të lejes së drejtimit.

Në rastin e Tahirit veprat nuk përfshihen në fushën e ndalimit të zgjedhjes, nuk bëhet fjalë për arrestim apo dënim. Për dënimin në 2009, Tahiri ka marrë në Itali vendimin dhe deklaron se nuk ka pasur asnjë dijeni.

Tahiri u gjykua në mungesë në Itali, por dënimi u deklarua tërësisht i falur sapo u dha. Vepra për të cilën është dënuar Tahiri nuk përfshihet në veprat e specifikuara si ndaluese.

Kërkojmë nga KQZ përfundimin e shqyrtimit. Tahiri u pyet vetëm njëherë nga prokuroria, nuk kishte pse të ngutej, pasi nuk ka sjellë vendimin e gjykatës së Ravenës. Ne ua vendosim në dispozicion vendimin, kështu kërkojmë që të mos merret parasysh kërkesa e prokurorit.

U dënua 9 muaj burg dhe 300 euro gjobë, por sipas ligjit italian vendimi u konsiderua I falur dhe rezulton se i akuzuari nuk ka vuajtur burgim, vendimi është i formës së prerë, pasi nuk është ankimuar.

Denar Biba: Nuk mund të besojmë në përkthimin e personit që e ka siguruar, duhet të ishte prokuroria që të siguronte vendimin dhe përkthimin.

Anëtarja e KQZ, Edlira Jorgaqi: Ndoshta është rasti për ecurinë e këtij procesi, rrugën që do të duhet të ndjekë KQZ në këtë procedurë, që sot është e para, por mund të vazhdojë. Duhet të vendosim, nëse KQZ është certifikues i materialit që vjen nga prokuroria, apo shkon më tej.

Sipas ligjit KQZ duhet të shqyrtojë, por cdo të thotë shqyrtim, certifikim? Në bazë të fjalorit, shqyrtim dmth vlerësim për vendim, por nuk do të thotë certifikon.

KQZ: Informacioni nga prokuroria është i paplotë, pasi për 2 nga 3 personat e referuar mungon vepra penale për të cilën akuzohen, ndërsa nuk ka sqarim të veprave në ligjin shqiptar.

Vera Shtjefni: Duhet të verifikojmë të dhënat, KQZ nuk është urdhëruar për një vendim për heqjen e mandatit, por na njoftohet se prokuroria ka arritur në këtë konkluzion. Mendoj që të analizojmë cështjet e afatit të ndalimit, që nuk është përcaktuar në ligj, nuk mendoj se roli i KQZ.

Anëtari i KQZ, Bledar Skënderi: Nuk mund të marrim vendim pa pasur të gjitha të dhënat për personat e referuar, prandaj kërkoj që prokuroria të na vendosë në dispozicion të gjitha të dhënat për personat e dënuar.

Akuzat e Prokurorisë për Roshin, Selamin dhe Tahirin

Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Komisioni Qendror të Zgjedhjeve pezullimin nga detyra të dy deputetë të Qarkut të Vlorës, Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami si dhe të kryetarit të Bashkisë së Kajavës, Elvis Roshi, pasi preken nga ligji i dekriminalizimit. Sipas Prokurorisë, tre funksionarët rezultojnë të dënuar jashtë vendit, ndërsa pas verifikimeve te thelluara, organi i akuzës ka konkluduar, se dy deputetët dhe kryebashkiaku janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit

Mbi Dashamir Tahirin, deputet i PD, Shkëlqim Selamin deputet i LSI­së dhe Elvis Roshin, kryebashkiak i zgjedhur nga PS, rëndojnë disa vepra penale të regjistruara në vendet fqinje, gjë e cila nuk është reflektuar në formularin e vetëdeklarimit i dorëzuar pranë  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Krahas konstatimit të kushteve të ndalimit për ushtrimin e funksionit, Prokuroria ka nisur edhe hetimet për veprën penale të falsifikimit të formularëve të vetëdeklarimit për të tre sipërpërmendurit.

Gjithashtu, Prokuroria njofton se po vijon procedura e verifikimit në kuadër të ligjit “Për dekriminalizimin” edhe për një numër të konsiderueshëm zyrtarësh.

Tre funksionarët pezullohen nga ushtrimi i funksioneve

Sektori i posaçëm i “Verifikimit të Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” në Prokurorinë e Përgjithshme, në bazë të kërkesave të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ka kryer verifikim të thelluar, në bazë të të cilit ka konkluduar se janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës, funksionarët:

Dashamir Tahiri

Në mënyrë të përmbledhur, Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar të dhënat, se Dashamir Tahiri, me funksion “Deputet” rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna:

­ Në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave;

­ Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar.

­ Subjekti është kontrolluar disa herë nga policia;

­Tahiri ka dhënë shpjegimet e tij në Sektorin e “Dekriminalizimit”, duke deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të dënimit me burgim në Ravena. Ndërsa, lidhur me procedimin për “fallsifikim parash”, ka deklaruar se bëhet fjalë për një episod në autostradë, kur ai është mashtruar nga një kamarier lokali, i cili i ka dhënë para fallse.

Shkëlqim Selami

Po sipas Prokurorisë, edhe Shkëlqim Selami, me funksion “Deputet”, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna për një masë sigurimi “arrest me burg”, nxjerrë ndaj tij nga ana e gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qënieve njerëzore”. Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit.

Elvis Roshi

Dekriminalizimi prek edhe Elvis Rroshin, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin “Për Dekriminalizimin”, si vijon: ­ Një dënim për veprën penale të “Përdhunimit” në grup, në vitin 1995 në Itali

­ Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër

­ Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil, 14 maj 1993, është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë.

­ Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në gusht 1997 është dëbuar sërish.

­ Në vitin 2015 DEA/US , ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash. Në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar zyrtarisht mbi rezultatet e verifikimit Komisionin Qendror te Zgjedhjeve, duke konstatuar se subjektet deklarues të mësipërm përfshihen në fushën e ndalimit të parashikuar në nenin 2, pika 1, gërma a) dhe pika 2, gërma a) dhe b) të ligjit. Për të tre këto raste, krahas konstatimit të kushteve të ndalimit për ushtrimin e funksionit, Prokuroria ka nisur edhe hetimet për veprën penale të “Fallsifikimit te formularëve, neni 190 I Kodit Penal.. Ndërkohë, po vijon procedura e verifikimit në kuadër të ligjit “Për dekriminalizimin” edhe për një numër të konsiderueshëm zyrtarësh.

1 komente në “Debatet për mandatin e deputetëve dhe kryebashkiakut, avokati i Roshit, Sollaku: KQZ s’ka mandat për të shkarkuar”

  1. Krio says:

    Sallaku sallaku
    Ose Maks Haxhia
    Keta mirren me peshqit e medhenj.
    Peshk madh leku madh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje