Miliona njerëz në Kinë, e pritën Vitin e Ri nën një shtresë të dendur smogu toksik, që shkaktoi bllokime të trafikut dhe anulime fluturimesh në 24 qytete.
Pekini dhe disa qytete të tjera rreth tij, vuajtën edhe pasojat më të mëdha, pasi nivelet e ndotjes në to, janë thuajse gjatë gjithë kohës të larta.
Sipas një editoriali në gazetën shtetërore “People’s Daily,” qeveria paralajmëronte se tymi i ç’liruar nga gatimi, ishte “shkaktari kryesor i ndotjes së ajrit në zonat urbane.” Madje, për këtë i referohej edhe një studimi të kryer në provincën Changsha, ku rezultonte se tymi i gatimit mund të arrinte nivele deri në PM 2.5
Megjithatë, shumë komentues në rrjetet sociale u shprehën kritikë ndaj një akuze të tillë.
“Përse qeveria shtiret sikur ne paskemi ngrënë mish të gjallë këto pesë mijë vitet e fundit, dhe vetëm tani kemi filluar të gatuajmë në zjarr?” shprehej një komentues në rrjetin social “Weibo,” duke iu referuar kështu përpjekjes për të larguar vëmendjen nga ndotja e shkaktuar nga fabrikat dhe industritë në qytetet e mëdha.