Ende nuk është arritur një marrëveshje finale mes partive më të mëdha politike për reformën zgjedhore, megjithëse kanë mbetur pak më shumë se pesë muaj nga 18 qershori, dita e zgjedhjeve.
Një ditë pas propozimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për një sistem zgjedhor me lista të hapura, ku votuesit kanë më shumë peshë në përzgjedhjen e deputetëve të rinj, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Socialiste. Deputeti i PS Taulant Balla dhe deputeti i LSI Petrit Vasili Ashtu siç edhe pritej, socialistët janë shprehur kundër këtij propozimi të aleatit të tyre të vogël.
Bashkëkryetari socialist i komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, Taulant Balla nuk la fare hapësira për të diskutuar për këtë çështje. “Ka dakordësi të plotë për të dekrliminalizimin e të gjithë ata që bëjnë krime elektorale. Ku është pozicioni unë dhe duhet t’i bashkëngjiten aktorë politikë. Një punë intensive që kemi bërë dhe me KE-në, ne kemi identifikuar një dokument që është i mirë dhe do të minimizojë hapësirat e parave jo të ligjshme.
Ky është hapi i parë. Për fat të keq nuk ka dakordësi nga pala tjetër për votën e emigrantëve dhe depolitizimin e pozicioneve.Jam kundër çdo forme që ndërhyn në sistemin zgjedhor. Me këtë sistem janë bërë dy palë zgjedhje”, u shpreh Balla.
Nga ana e saj Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon ti qëndrojë propozimit të listave të hapura, teksa sot i ka kujtuar Partisë Socialiste edhe grevën e urisë së deputetëve në vitin 2008. “Çështja e listave të hapura është problem jo i ri, një qëndrim konsistent i yni për ata që kanë një memorie të vëmendshme ne e kemi kërkuar që në 2008 dhe është mbrojtur fort nga ne.
Pra s’është që lind sot paraqitet dhe propozohet sot, kanë qenë raporte të vështira, kujtojmë historinë e 2008 e rimarrim që në një klimë të re më konstruktive krijonte një hapësirë të re për ta rimarrë çështjen. S’besoj të jetë tabu se s’ka të bëjë me interesin e LSI por interesin e një procesi sa më përfaqësues në këtë çështje”, tha kreu i grupit të LSIsë, Petrit Vasili.
Ndersa deputeti demokrat Oerd Bylykbashi theksoi se opozita nuk do të lërë asnjë çështje themelore pa e diskutuar dhe garantuar në funksion të zgjedhjeve me standarde që do të mbahen në qershor, duke akuzuar mazhorancës si shkaktare të vonesave.
“Çështja e standardeve themelore për zgjedhjet, çështje primare për shqiptarët. Duhet bëhet çmos që këto standarde të garantohen për zgjedhjet e vitit 2017. Ne ngulim këmbë që nuk mund të jetë një trajtim selektiv i çështjeve. U ra së paku dakord që ekspertët të përgatisin një listë të çështjeve që janë për t’u diskutuar që të rikuperojmë kohën që është humbur për shkak të heqjes këmbës zvarrë nga maxhoranca. Nuk do lëmë asnjë çështje thelbësore për opozitën të ngelet jashtë. Teknologjia në votim, çështje thelbësore, do të zgjidhë një numër çështjesh që kanë të bëjnë me standardet. Justifikimet me kohën nuk ja pranojmë më maxhorancën”, deklaroi ai.