Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako morën pjesë në ceremoninë për hapjen e Zyrës së Gjendjes Civile, në lagjen Kënetë.
“Këtu jemi në Durrësin e ri, një qytet i tërë që po shndërrohet i tillë falë investimeve në insfrastrukturë ndërkohë që mbi 40 mijë banorë kanë më shumë se 10 vite që nuk merrnin dot as shërbimet minimale siç janë shërbimet e gjendjes civile dhe ishte e pakonceptueshme të bëje dhjetra kilometra për të marrë në një certifikatë, kjo nuk ndodh”, deklaroi ministri i Brendshëm.
Ministri theksoi edhe njëherë se për të kanë rëndësi punët dhe jo fjalët.
“Kanë rëndësi jo fjalët por puna. Shumë nga ju shkonin disa kilometra për të marrë një certifikatë, sot mbi 40 mijë qytetar të gjitha shërbimet e gjendjes civile i kanë këtu.
Jemi të bindur t’i dedikohemi punës dhe jo llafeve, unë e kuptoj që politika ju del nga tv me lloj lloj historirash por ajo që ka rëndësi në fund të ditës për ju është puna”, tha Tahiri.
Në vazhdën e projektit “Popullimi”, pak javë më parë u miratua një ndryshim ligjor që lejon regjistrimin falas në zyrën e Gjendjes Civile ku banon.
Kjo u jep mundësi të gjithë qytetarëve të zhvendosin vendbanimin falas për 6 muajt në vijim. Në të kundërt gjoba nga 3 mijë bëhet 10 mijë lekë për gjithë ata që nuk e kryejnë këtë proces në kohë.