Erion Veliaj: Shtohen 14 autobuse fizarmonike ne linjen e Unazës, qytetarët të raportojnë në 0800 0888

6 Shkurt 2017, 14:01Sociale TEMA
Erion Veliaj: Shtohen 14 autobuse fizarmonike ne linjen e Unazës,

Pavarësisht ndryshimit rrënjësor që ka pësuar transporti publik në kryeqytet, krahasuar me një vit më parë, Bashkia e Tiranës po vijon punën për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve për qytetarët. Në vijim të turit për kontrollin e cilësisë së shërbimit në të gjitha linjat e autobusëve urbanë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj udhëtoi sot me linjën e Unazës, e cila i shërben njërës prej zonave kryesore të kryeqytetit dhe mundëson ndërlidhjen me linjat e tjera ekzistuese ose që janë duke u futur gradualisht në shërbim.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se për të përballuar fluksin e udhëtarëve dhe lehtësuar trafikun, janë shtuar autobusët “fizarmonikë”, ndërsa ka ndihmuar edhe nisma për reduktimin e lëvizjeve të furgonëve gjatë paradites. “Bashkë me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit po kontrollojmë të gjithë autobusët e linjave në Tiranë. Linja e Unazës është një nga linjat më të ngarkuara, sidomos për fluksin e madh të njerëzve në oraret e mëngjesit. Për të rikuperuar problemet që kemi me fluksin e mëngjesit, linja ka shtuar 14 autobusë ‘fizarmonikë’ dhe me kalimin e kohës, kjo do të vijojë. Paralelisht do të shtojmë edhe korsitë e dedikuara, e vetmja mënyrë se si mund të përballojmë fluksin e orës 7-8 në mëngjes, edhe pse sot situata është më e mirë, pasi janë reduktuar lëvizjet e furgonëve që bëjnë furnizimet tregtare, duke liruar më shumë hapësirë për qytetarët që do duhet të përdorin autobusin”, tha Veliaj.

Gjithashtu, autobusëve u janë instaluar edhe sistemet GPS, që do të mundësojnë sistemin e monitorimit dhe të kontrollit në kohë reale nga ana e Bashkisë Tiranë, si dhe një sistem raportim/pikëzimi që lidhet me performancën e shërbimit. Veliaj sqaroi edhe skemën se si do të funksionojë sistemi i pikëzimit në transportin publik, ku operatorët në fillim të vitit pajisen me 300 pikë. “Të gjitha kompanitë do të kenë 300 pikë në fillim të vitit. Pikët variojnë sipas performancës dhe sipas raportimeve që na vijnë nga qytetarët dhe nga AMK. Në momentin që një kompani, brenda një viti, i humb 300 pikë, atëherë automatikisht humbet edhe licencën e autobusit. E dyta, të gjithë autobusët sot kanë instaluar një GPS, pra një çip elektronik, i cili na tregon në mënyrë ekzakte se ku ndodhet autobusi, nëse po ecën ngadalë qëllimisht, edhe pse nuk ka trafik, apo nëse ngadalësia ka të bëjë me trafikun, që është e pranueshme në Tiranë, sidomos në orët e pikut në mëngjes”, tha ai.

Kryebashkiaku i Tiranës kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve të Tiranës që të raportojnë problemet me transportin publik në numrin pa pagesë 0800 0888. “Dua t’i bëj me dije të gjithë qytetarëve numrin 0800 0888, që është një mënyrë për të raportuar çdo problem që mund të kenë në autobus me shoferët, fatorinot, me mënyrën se si ecën, duke na dhënë targën dhe linjën. Është e vetmja mënyrë se si qytetarët të na ndihmojnë që të disiplinojmë e të bëjmë zap të gjitha linjat e autobusëve në Tiranë. Situata është më e mirë se sa ka qenë një vit përpara, por është ende larg asaj që unë kam ambicie për Tiranën dhe për transportin publik

në qytet. Por, që të shkojmë te kjo ambicie, duhet që të gjithë të na japin një dorë dhe të bashkëpunojnë, duke marrë në telefon apo te aplikacioni “Tirana ime”, duke raportuar çdo problematikë që ka me autobusët e qytetit”, theksoi Veliaj.

Nisur nga monitorimi i situatës së shërbimit të transportit publik, Bashkia e Tiranës ka planifikuar ndërhyrje në linjën e Unazës për shtimin e më shumë mjeteve në operim, sidomos përgjatë orëve kryesore të ditës, si dhe njëkohësisht zëvendësimin e një pjese të mjeteve normale me mjete tip fizarmonikë. Linja e Unazës ka 32 mjete në inventar, të cilat janë mjete me të gjitha kushtet e komoditetit, kondicionimin, si dhe kanë platformë të sheshtë, të aksesueshme për invalidët. Për shkak të numrit të lartë të mjeteve private, Bashkia e Tiranës ka bërë edhe një skemë për ruajtjen e prioritetit të lëvizjes me anë të semaforëve, si dhe po planifikon mundësinë e ndërtimit të korsive të rezervuara aty ku ekziston mundësia.

7 komente në “Erion Veliaj: Shtohen 14 autobuse fizarmonike ne linjen e Unazës, qytetarët të raportojnë në 0800 0888”

  1. genti says:

    Keta autobuset e Unazes jane ndotesit me te medhenj te Tiranes,ne zhurma,ne gas,ne shofere te dehur,ne trafik!

  2. beratsi says:

    o idiot bota I kishte dhe I hoqi se jane te demshem per tafikun dhe te rrezikshem per bicikletat dhe kembesort. kurse na I shet per lukse ke studiuar ne amerik ti

  3. Altin says:

    me ne fund do kemi ca autobuse me shume ne unaze.
    bravo lali

  4. artan says:

    Shume mire po ben me keto linjat e autobuseve Erion Veliaj!

  5. Sabria says:

    aman sa me shume autobusa te tille sepse shmangin edhe trafikun edhe njerezve do ju sugjeroja ti linin makinat dhe te perdornin me shume urbanin sepse eshte 100 here me efektiv.

  6. Miri Huto says:

    Ka lezet Tirana me autobuza, un kam makine vete por per veshtiresi parkimi ne rruget e Tiranes nuk e perdor fare, dhe per te shkuar ne pune perdor transportin publik. Jam teper i kenaqur!

  7. Arilena says:

    Bravo Erion Veliaj, po ndjek vertete rrugen e duhur. Ti e di cfare i duhet Tiranes, qe deri me dje ishte nje lesh e li me trafikun me njerez qe s’ndiqnin rregullat dhe nje qeverisje kot si koti. Shtimi i autobuseve eshte nje nga zgjedhjet me te mira per problemin e transportit te qytetareve. Kursen para, kohe dhe eshte shume here me komode, pasi me makine tende te duhet edhe te gjesh vend per parkim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje