Bullshit, Basha: Politikisht me z. Berisha, ideologjikisht me z. Rama

11 Mars 2017, 18:02Blog TEMA

Nga Met Dervishi

Politikisht, askush nuk ka dyshim që z. Basha është një produkt i klonuar i z. Berisha. Kjo duket, sidomos kur ai rreh ta imitojë shefin e tij në një diskurs agresiv, me grishje të masave të pakënaqura për mosbindje civile, luftë, thyerje xhamash, bojkot, etj., pra, në një diskurs që prodhon një armik dhe i nxit masat e pakënaqura për ekzekutimin e tij,në rastin konkret për ekzekutimin e Edi Ramës.
Mirëpo, një diskurs i tillë nuk duket të ketë efektin që pritej nga shtabet e protestës.

Megjithëse kanë kaluar tri javë, çadra, që do të duhej të kishte qenë pishtari që do të ndizte zemërimin popullor dhe “revolucionin demokratik” i ka lënë indiferente masat e kryeqytetit, që kanë nisur të thurin barcoleta me pica e raki Përmeti për të. Dhe, megjithë përshkallëzimin e agresivitetit, në çadër ka vetëm turne militantësh që vijnë nga rrethet dhe zëvëndësojnë njëri-tjetrin për të mbajtur iso gjatë fjalimeve – një spektakël që, megjithtë e ka një sukses,: hyn në emisionet e lajmeve, ka njëkohësisht dhe një dështim: askush nuk po ndikohet prej tij.

Po të kishte funksionuar skenari, në një kryeqytet me rreth një milion banorë, rreth asaj çadre do të kishte çdo natë, të paktën rreth pesë mijë deri në dhjetë mijë vetë. Po duket qartë që, përveç militantëve të turneve, askush nuk i ka marrë seriozisht mesazhet publike të një çadre që pretendon të jetë kthyer në institucion alternativ të pushtetit.

Pse po ndodh kjo?

Së pari, kjo po ndodh se kryeqyteti ynë është europianizuar gjatë viteve dhe nuk ka më zhakëri Bathoresh të palegalizuara që rrethonin kryeministrinë me një fishkëllimë të z. Berisha. Tanimë Bathoret janë urbanizuar e qytetëruar dhe duan qetësi e mirëqenie, madje dhe Kamza, bastioni i ulërimave, një sy e mban nga Erion Veliaj.

Por, ajo që është më e rëndësishmja, sado që duket paradoksale, është se z. Basha, megjithëse politikisht është nën sqetullën e z. Berisha, ideologjikisht është nën influencën e z. Rama. Fakti që kjo influencë është e pavetëdijshme, vë një pikëpyetje të madhe për lidershipin e Pd-së, dhe kompromenton dhe faktin se kemi të bëjmë me lidership të dhuruar dhe jo të merituar.

Po pse ideologjikisht z. Basha është i influencuar nga z. Rama dhe ku duket kjo?

Një politikan prodhon vizionin e vet, vizioni prodhon frymë për emocionet e masave që pastaj shndërrohen në mijëra e mijëra që e mbështesin atë, kurse vetë vizioni mishërohet në metafora politike që ngashënjejnë masat.

Metafora ku qendërzohet vizioni ri i z. Basha, shprehet në togun: “republikë e re” (ne, demokratët),që ka si antitezë “republikën e vjetër” ( Ata: Edi Rama, kanabisi, oligarkët etj). Po pse nuk po ngjit ky vizion?

Se nuk është novacion, po kopje, një kopje, natyrisht e kamufluar, por e pamjaftueshme për t’u hedhur hi në sy njerëzve. SIç do të shohim, kemi të bëjmë me një vizion, ose me një metaforë që është huazuar nga diskursi politik i z. Rama, është një rimarrje e atij vizioni me të cilin z. Rama krijoi masën e vet.

Po të kujtohemi, në fushatën e vitit 2013, z. Rama ka prodhuar kundërvëniet metaforike “politikë e re( Unë,partia socialiste)/ politikë e vjetër, “kryepleqtë e politikës së vjetër, Berisha e Nano, etj. Atëhere ishte e qartë që, brenda sistemit, z. Rama vinte me një premtim të ri për ta ndryshuar rrënjësisht atë, skenarin e sistemit të djeshëm . Natyrisht, që ai i ngashënjeu masat, krijoi “masën e vet” si politikan, por nuk ia doli të fitonte.

Sidoqoftë, kjo ishte një prurje e re ideologjike në politikën shqiptare dhe nuk është e vështirë të kuptosh se “republika e re” e z. Basha, është një metaforë që ideologjikisht kamuflon politikën e re të asaj kohe të z. Rama. Kësisoj, eksperimenti i z. Basha, që duket si inovativ me republikën e tij të re, në fakt është një kopje ideologjike që e ka marrë pavetëdijshëm prej kundërshtarit të tij. Dështimi përkundrejt masave është evident: nuk mund t’i joshësh masat që kërkojnë përgjigje për një realitet të ri me metafora, vizione të vjetra: ajo që i takon Cezarit, i takon Cesarit.

Ndërkaq, z. Rama, që me atë vizion bëri “nxemjen” e tij politike dhe ideologjike, katër vjet më vonë prodhoi vizionin e rilindjes, me të cilin fitoi. Por, po të shihet me kujdes, te kjo Rilindje e tij, së pari ishte dhe kundërvënia “politikë e re/politikë e vjetër, sa ç’ishte në të dhe vizioni i një republike të re shqiptare, pasardhëse e Rilindjes sonë kombëtare etj. etj. Pra, te logoja e z. Rama kishim gjithnjë në nëntekst, poltikën e re/ politikën e vjetër, republikën e re/ republikën e vjetër të Sali Berishës e Fatos Nanos.

Tani, besoj që është e qartë që z. Basha ideologjikisht është nën influencën e metaforave, vizioneve, të z, Rama. Kjo e bën të dukshme, besoj, pse z. Rama qe i suksesshëm në ato vite, sepse qe prodhim ideologjik i tij, sa ç’bën të dukshme pse z. Basha nuk është i suksesshëm: ai është nën influencën ideologjike të metaforave të kundërshtarit që e kanë krijuar mje kohë “masën e vet”, Rilindjen.

Metaforat politike, vizionet, kanë individualitetet e tyre. Në këtë rast ,republika e re e z. Basha është një kopje, dhe si e tillë, është e destinuar të dështojë. Realitetet e reja politike kërkojë vizione të reja, kurse z, Basha nuk po jep asnjë shenjë që është i zoti ta bëjë këtë gjë. Këtu qëndron dhe dështimi i tij: politikisht me z. Berisha, ideologjikisht me z. Rama.

Më në fund, besoj, që dhe njerëzit e Pd-së duhet ta kuptojnë se thjesht kanë mbetur pa lidership ose, dhe kjo është më turpëruese, që lidershipi i tyre është nën influencën ideologjike të kundërshtarit. Gjithë të tjerat janë “bullshit”

1 komente në “Bullshit, Basha: Politikisht me z. Berisha, ideologjikisht me z. Rama”

  1. Sandri says:

    BRILANT!!—–Kaq!??

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje