Kujdes! Ballokume të shitura në rrugë jashtë standardeve, AKU: Të verifikohen kushtet e tregëtimit

14 Mars 2017, 15:49Sociale TEMA
Kujdes! Ballokume të shitura në rrugë jashtë standardeve,

-“Hajde ballokume Elbasani”, “Ballokumja e vërtetë”, “Ballokume shtëpije”.
Këto janë disa prej thirrjeve që dëgjon sot nga tregëtarë të shumtë.

Ata kanë ngritur tezgat e tyre në sheshet dhe rrugët e qyteteve për të shitur këtë gatim tradicional.

Ëmbëlsira karakteristike e Ditës së Verës sot mund të gjendet lehtësisht kudo.

Gazeta “TemA”, vëzhgoi gjendjen në terren ku konstatoi se ky produkt shitet në mënyrë të jashtëligjshme dhe jashtë çdo lloj standarti ushqimor.

Ajo gjendej e ambalazhuar me qese plastike dhe e ekspozuar ndaj rrezeve të djellit që dëmtojnë cilësinë e saj.

Të pyetur lidhur me kuzhinën ku janë gatuar ëmbëlsirat, disa nga shitësit ambulantë shprehen se ato janë prodhuar në shtëpitë e tyre.

Ndërkohë kishte edhe shumë nga ata që shpreheshin se produktet i kanë marrë në dyqane të tjera për t’i tregëtuar dhe nuk kanë asnjë informacion se nga kush janë bërë.

Pothuajse në të gjitha rastet e vëzhguara, produkti nuk kishte një etiketë për të treguar se ku prodhohet. Në këtë mënyrë mbetet mister se si janë gatuar dhe nga cilët individë.

Sa i përket këtij problemi, gazeta “TemA” kontaktoi me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të pyetur se sa të sigurta janë këto produkte që kanë dalë sot në shitje.

I pyetur për gjendjen e krijuar, drejtori Dritan Sejko shprehet se ka adresuar apel ndaj pushtetit lokal që të merren masat e nevojshme.

“Për rastin në fjalë i është bërë me dije njësive të pushtetit lokal që të marrin masat e nevojshme. Sa i përket shitësve ambulantë, Autoriteti Kombetar i Ushqimit nuk mund t’i  inspektojë subjektet që nuk janë të paisura me NIPT. Kjo është kompetencë e Bashkive që menaxhojnë teritoret,” shprehet Sejko për gazetën  “TemA”.

Më tej ai këshillon qytetarët që të tregohen të kujdesshëm kur të zgjedhin të blenë këtë mall.

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e publikut dhe shpërndarjen e madhe të subjekteve tregtuese në territor, i bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm  kur blejnë mallra ushqimorë. Të verifikojnë     kushtet e tregëtimit dhe të produktit përpara se ta blenë,”  nënvizon Dritan Sejko.

Ky produkt sot shitet masivisht jashtë çdo lloj standarti duke sjellë një rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.

Nëse emri i ballokumes na kujton ëmbëlsirën e gjyshes me aromën karakteristike  të gjalpit, sot  ajo gjendet në rrugë  jashtë të gjitha kushteve higjeno sanitare ku mbizoteron pluhuri  i automjeteve.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje