Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në studion e emisionit “3D nga Alban Dudushi” në RTSH, deklaroi se protestat shërbejnë gjithmonë si një mundësi për reflektim, duke vlerësuar se kryeministri ka treguar një qasje serioze ndaj shqetësimeve të qytetarëve.
Sipas Beqirit, kryeministri ka identifikuar problematikat kryesore me të cilat përballen shqiptarët dhe është i vetëdijshëm për sfidat që e presin qeverinë në mandatin e katërt.
Beqiri theksoi se gjatë qeverisjes së deritanishme janë realizuar reforma dhe investime të rëndësishme, duke përmendur reformën në drejtësi, zhvillimin e infrastrukturës, përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe rritjen e turizmit.
“Domethënë, gjithmonë nxirren mësime nga protestat. Edhe në këtë aspekt unë shoh një reflektim serioz sot të kryeministrit, sepse ai diti të ndajë se cilat janë hallet e vërteta që kanë njerëzit, çfarë shqetësimesh kanë në këtë situatë Shqipëria dhe shqiptarët, si edhe çfarë përgjigjesh duhen dhënë.
Ai e ka të qartë situatën në mandatin e katërt. Mënyra se si është konceptuar ky mandat nuk varet vetëm prej tij, sepse ai i ka të qarta gjërat, por edhe prej ekipit të tij të madh, duke filluar nga grupi parlamentar, anëtarët e qeverisë dhe, në mënyrë të veçantë, administrata shtetërore. Për hir të së vërtetës, jo vetëm administrata, por të gjitha institucionet e këtij shteti, gjatë këtyre mandateve, janë matur vetëm me atë që kanë marrë.
Domethënë, ata morën në vitin 2013 një Shqipëri të rrënuar në të gjitha drejtimet dhe e ringritën me institucione, me reformën në drejtësi, me infrastrukturën, me imazhin e vendit dhe me një politikë ndërkombëtare për t’u marrë shembull. U organizuan samite të ndryshme në kryeqytet, të cilat i dhanë Shqipërisë një emër të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, vendi priti një numër të jashtëzakonshëm turistësh, afërsisht 14 milionë. Pra, ata i shikonin këto arritje dhe bënin krahasimin.
Mirëpo, reflektimi i sotëm i kryeministrit ishte se nuk duhet të matemi me hijen e mëngjesit, por me sfidat dhe përgjegjësitë që kemi përpara, duke korrigjuar gabimet dhe duke iu përgjigjur më mirë shqetësimeve të qytetarëve”, u shpreh Beqiri.
Ai shtoi se qytetarët shqiptarë sot krahasojnë standardet e jetesës në vend me ato të vendeve të Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke kërkuar paga, pensione dhe shërbime publike më cilësore.
Në vijim, ai u ndal edhe te funksionimi i administratës publike, duke u shprehur se ajo është mbushur me të rinj të Gjeneratës Z, të cilët sipas tij shpesh janë të papërvojë dhe nuk tregojnë vëmendjen e duhur ndaj problemeve të qytetarëve.
“Kemi të bëjmë sot me qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë parë botën, kanë jetuar në vendet e Bashkimit Europian, në Amerikë, në Angli dhe në shumë vende të tjera. Ata i shohin standardet atje dhe pyesin: “Pse të mos i kemi edhe ne këto standarde?”
Qytetari nuk do t’ia dijë nëse Roma nuk u ndërtua brenda një dite. Ai thotë: “Unë nuk duhet të jem në këtë nivel page, në këtë nivel pensioni dhe nuk duhet të përballem me një administratë ku shkoj e nuk gjej askënd me të cilin të merrem vesh.”
Megjithatë, për hir të së ardhmes dhe për t’ia lënë Shqipërinë sa më mirë gjeneratës së re, këto probleme duhet të adresohen.
Gjenerata Z e ka mbushur administratën, por shpesh me të rinj të papërvojë, të cilët, sipas këtij këndvështrimi, nuk tregojnë interes për hallet e qytetarëve. Kjo është mënyra se si kjo qeverisje po e ndërton administratën.
Në këtë aspekt, ai po përpiqet të identifikojë mangësitë dhe të kuptojë se çfarë duhet korrigjuar. Gjithashtu, është e rëndësishme që marrëdhënien ta ndërtojë me qytetarët dhe jo me ata që, sipas tij, u përfshinë në protesta vetëm për axhendat e tyre: axhenda antishqiptare, kundër turizmit, kundër investimeve strategjike dhe në favor të destabilizimit të Shqipërisë, të cilat ai i lidh me Berishën dhe ekipin e tij”, tha ai.
Lini një Përgjigje