Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar pas sulmeve të reja ushtarake, ndërsa raketat amerikane kanë goditur objektiva në Iran.
Uashingtoni ka paralajmëruar “ndëshkim të madh ushtarak” ndaj Teheranit dhe aleatëve të tij Houthi në Jemen, pas zgjerimit të konfliktit në një tjetër pikë strategjike detare në Lindjen e Mesme.
Sipas burimeve të cituara nga Reuters, pas sulmeve amerikane, forcat iraniane kanë reaguar duke goditur baza amerikane në disa vende arabe fqinje dhe kanë paralajmëruar për sulme ndaj objekteve jo-ushtarake që përdoren nga personeli amerikan.
Konflikti është përqendruar gjithashtu në Detin e Kuq dhe ngushticën Bab el-Mandeb, ku rebelët Houthi kanë njoftuar një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite. Sulmet ndaj dy cisternave saudite të naftës kanë ndikuar në tregjet globale, duke çuar çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi për herë të parë që prej muajit maj.
Përballë rrezikut të sulmeve të reja, disa kompani transporti kanë ndryshuar itineraret e anijeve, duke shmangur Detin e Kuq dhe duke përdorur rrugë më të gjata përmes Kanalit të Suezit dhe rreth Afrikës. Ndërkohë, kostot e sigurimit për transportin detar në këtë zonë janë rritur ndjeshëm.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani do të mbahet përgjegjës për sulmet e kryera nga luftëtarët Houthi dhe paralajmëroi masa të reja ushtarake. Sipas mediave amerikane, ai ka lënë të hapur mundësinë e rifillimit të operacioneve të mëdha ushtarake kundër Teheranit.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane bëjnë me dije se që prej rifillimit të përplasjeve me forcat amerikane në fund të qershorit, janë vrarë 59 persona dhe janë plagosur 666 të tjerë.
Ndërkohë, Pakistani po shqyrton mundësinë e rikthimit të negociatave mes SHBA-së dhe Iranit, pas një nisme të mbështetur nga Kina. Burime diplomatike paralajmërojnë se pengesat për rifillimin e bisedimeve mbeten të mëdha.
Konflikti në Lindjen e Mesme ka shkaktuar deri tani viktima të shumta në të dyja palët, ndërsa Pentagoni ka raportuar për 18 ushtarakë amerikanë të vrarë dhe rreth 100 të plagosur që prej fillimit të përshkallëzimit të fundit.
Lini një Përgjigje