Moikom Zeqo: Heqja e ministrave, gabim. E majta po reflekton çoroditje

19 Mars 2017, 11:18Politika TEMA

“Në 2013 e majta shqiptare i fitoi zgjedhjet me 1 milion vota. Kjo përbën mazhorancën më të madhe nga tërë parlamentet në vendet e Europës. Në vend që kjo mazhorancë, që ndoshta s’do të arrihet më, të përdorej me guxim, në veprimet dhe vendimmarrjet politike të Kuvendit, qëndroi e plogët dhe jo efektive. Kurrë nuk e kam kuptuar pse ka ndodhur një gjë e tillë” – thotë në një intervistë akademiku Moikom Zeqo.

Zeqo mendon se heqja e ministrave ishte një gabim.

“Shikoni se ç’ndodh këto kohët e fundit. Pa asnjë arsye të dukshme, pa as ndonjë sinjal paraprak, papritur Edi Rama i ndërron 4 ministra, ndërkohë që zgjedhjet e përgjithshme parlamentare janë kaq afër, në një hapësirë kohore prej pak muajsh. Pse u bë ky ndërrim? Në një funksion më të lartë, të fuqizimit të PS-së? Nuk e besoj aspak këtë gjë. Dy nga ministrat, Saimir Tahiri dhe Ilir Beqaj qenë më të kritikuarit dhe më të sharët nga opozita. Rama bënte, kinse, i mbronte deri në fund këta dy ministra. Dhe befas i zëvendëson duke krijuar dhe një precedent që ministrin e Brendshëm të ardhshëm, Fatmir Xhafaj, i cili ka luajtur rol në reformën në drejtësi, ta bëjë një shënjestër të gatshme, krejt të panevojshme, duke cenuar dhe reputacionin e këtij deputeti. Dy ministrat e tjerë Klosi dhe Çuçi ishin normalë, gati të pakritikuar nga opozita. Po këta pse u hoqën? S’ka asnjë arsye” – komenton akademiku.

Ai ironizon idenë se ministrat u hoqën për të bërë koordinatorin në zgjedhje.

Arsyeja e arsyeve, siç do të thoshte Don Kishoti, është se gjoja këta ministra u hoqën për të qenë koordinatorë për zgjedhjet e ardhshme politike. Po këta koordinatorë janë me kredenciale të cenuara publikisht dhe politikisht. Ata mund të ishin koordinatorë edhe duke qenë ministra. Tani statusi i tyre është akoma më qesharak, ata nuk janë as deputetë, sepse ka qenë kusht që bërja e ministrit do të thoshte që të hiqte dorë nga mandati i deputetit (edhe këtë gjë nuk e kam kuptuar kurrë pse duhet të ndodhi!). Por ç’do të bëjnë këta koordinatorë?  Pse koordinatorët janë gjithçka për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme politike? Ç’është ky koncept pseudoteorik që gjoja në një parti politike “pakica” mobilizon shumicën? Me një fjalë “motori i vogël” ndez motorët e mëdhenj” – thotë Zeqo.

Ai shton se ndihet  “shumë i shqetësuar si qytetar, si njeri i letrave duke parë se e majta shqiptare reflekton një çoroditje midis deklaratave pompoze dhe pasigurisë së veprimit, midis fantazmagorisë dhe realitetit”.

“Heqja e ministrave të PS-së me të drejtë trumbetohet si fitore e opozitës. Kjo e ka stimuluar opozitën. E ka bërë më të motivuar. Nuk e kam menduar që mund të vinte një rezultat i tillë, që e theksoj, për mua është krejt virtual. Opozita kërkon qeveri teknike.  Unë nuk jam profet dhe as dëshiroj të jem profet. Por unë mund të bëj pyetje logjike dhe racionale. Po nëse Rama zbythet, tërhiqet dhe në një moment dobësie politike të pranojë edhe qeverinë teknike? Ç’do të ndodhë atëherë? Ky parashikim në konditat e rënduara mund të ketë shumë ithtarë. Natyrisht që një qeveri teknike do ta komplikojë më shumë situatën politike. Një qeveri teknike do krijojë pasiguri – thotë Zeqo.
Këto komente ai i bëri në një intervistë për gazetën “Dita” ku foli lidhur me një sërë çështjesh të rëndësishme./ad

2 komente në “Moikom Zeqo: Heqja e ministrave, gabim. E majta po reflekton çoroditje”

  1. Republika e Kanabisit dhe Plehrave says:

    Jo vetem gabim por dhe fundi i kesaj qeverie.Kjo tregon qe Rama nuk eshte politikan por nje politiqen pa shtylle kurizore dhe po aq kundra reformes sa dhe Ilir Meta.

  2. Albina says:

    Sikur Shqiperia te kishte me shume njerez te ditur e te ndershem si Moikomi, gjerat do te ishin ndryshe.Te lumte o Moikom qe gjithnje shkruan me kulture e trimeri te madhe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje