Në Kosovë u përkujtua 18-vjetori i masakrës së Krushës së Madhe.
Familjarët dhe autoritetet kërkuan zbardhjen e fatit të 64 të zhdukurve dhe dënimi i atyre që vranë rreth 250 persona në këtë fshat.
Në ceremoninë përkujtimore, kryetari i Krushës së Madhe, Selami Hoti, tha se edhe pse kanë kaluar 18 vjet, familjarët e dëshmorëve dhe të zhdukurve vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
Hoti tha se në vend që drejtësia ndërkombëtare dhe ajo e Kosovës të merren me dënimin e kriminelëve, këta merren me dënimin e qytetarëve të cilët kërkojnë të dinë për fatin e familjarëve të pagjetur.
Kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi, tha se asnjëherë nuk do të ndalen se kërkuari drejtësi.
Ndërsa, kryetari i Komisionit për të Pagjeturit, Prenk Gjetaj, tha se ngjarjet që kanë ndodhur gjatë muajve mars, prill të vitit 1999, janë dëshmi e një gjenocidi dhe se bashkësia ndërkombëtare është e detyruar që ta pranojë se mbi këtë popull është bërë gjenocid.
“Mbi 240 bashkëqytetarë tanë, fëmijë, gra e burra, u vranë më 25, 26 dhe 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit. Ndërkaq, në Suharekë, Familja 50 anëtarëshe Berisha, u masakrua nga forcat serbe. Qytetarët e Kosovës nuk do t’i harrojnë kurrë të gjithë të rënët, sakrifica e të cilëve na mundësoi të jemi të lirë”, shkroi kryeministri Isa Mustafa në Facebook.