Së bashku me trajtimin e çështjes së Polonisë për t’u larguar nga BE-ja, Samiti i fundit i Brukselit, u fokusua edhe në pasiguritë që shpërthyen midis fqinjëve të BE-së. Ballkani Perëndimor nuk duhet të lihet nën ndikimin rus, thotë Bernd Riegert.
Bashkimi Europian duhet të punojë edhe më shumë sepse këtu nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e Polonisë. Gjatë Samitit të Brukselit, diplomatët që morën pjesë, shprehën shqetësimet lidhur me zhvillimet e fundit në Ballkan. Komisionerja e Jashtme Europiane, Federica Mogherini, u shpreh në samit se situata që ajo pa gjatë vizitës së saj të fundit në Ballkan ishte shumë e zymtë. Rusia po përpiqet që të integrohet në qeveritë e vendeve në rajon, në grupet e ndryshme etnike dhe mbi të gjitha, në procesin e vendimmarrjes.
“Unë pashë një rajon që më shumë se kurrë karakterizohej nga tensioni dhe sfidat në nivele të ndryshme”, tha ajo në një takim të mëparshëm me ministrat e Jashtëm të BE-së, duke shtuar se shtetet e Ballkanit rrezikoheshin për t’u shndërruar në një lojë shahu gjeopolitike. Shqetësimi është i dukshëm dhe kjo është ajo çka ka më shumë rëndësi, tha ajo.
Qëllimet e supozueshme të Moskës janë që shtetet e rajonit të shkëpusin lidhjet me BE-në, duke e parë Rusinë si alternativën e vetme të shpëtimit.
Gjatë daljes së saj në një deklaratë për shtyp, javën e kaluar në Serbi, turma të ndryshme njerëzish dhe mbi të gjitha anëtarët e Partisë Radikale serbe thërrisnin “Serbi!”, “Rusi!”, “Ne nuk kemi nevojë për Bashkimin Europian!”
Anëtarësimi i shteteve të Ballkanit në BE
Në përgjigje, krerët e BE-së i siguruan gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor se kishin “mbështetje të palëkundur” nga BE-ja në lidhje me kërkesat e tyre për t’u bashkuar zyrtarisht me komunitetin europian. “Ne jemi duke e mbajtur premtimin tonë”, tha Donald Tusk, presidenti i sapozgjedhur i Këshillit Europian. Por për vende të tilla, ku situata në vend është ende delikate, si p.sh., Bosnja dhe Hercegovina, ky proces integrimi mund të zgjasë për vite të tëra.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, vazhdoi më tej duke thënë se ata janë të angazhuar për të siguruar mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme në forcimin e vlerave europiane në këto vende. Situata në rajon është shumë “e komplikuar”, shtoi ajo. Gjatë samitit një diplomat i BE-së u shpreh ashpër ndaj BE-së dhe e kritikoi atë duke e bërë përgjegjëse për situatën e krijuar në Ballkan, vetëm sepse ajo i ka lënë pas dore pjesën më të madhe të këtyre vendeve, situatë kjo që, sipas tij, mund të ishte sheshuar me kohë.
Shtetet e Ballkanit lobojnë për anëtarësim në BE
Maqedonia karakterizohet ende nga kriza e brendshme në vend. Serbia refuzon të njohë statusin e Kosovës si shtet i pavarur – një proces që shumica e anëtarëve të BE-së e kanë bërë ndërsa Rusia jo. Rajoni etnik serb i Bosnjës dhe Hercegovinës po kërcënon me shkëputjen e tij. Parlamenti i Malit të Zi është bllokuar, anëtarësimi i saj në NATO u mohua nga opozita ruse, dhe është pikërisht Rusia, ajo që dyshohet se fshihet pas grushtit të dështuar të shtetit vitin e kaluar. Edhe pse emri i Rusisë nuk u veçua asnjëherë gjatë samitit, ishte mjaft e qartë se në cilin drejtim shkonin akuzuat.
Kancelari austriak, Christian Kern, u bëri thirrje kolegëve të tij që të mos ta lejonin Rusinë që të mbushte vakumin e krijuar si pasojë e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara.
Konflikte të pazgjidhura
Zyrtarët e BE-së janë të frikësuar nga fakti se mos tendencat nacionaliste të vendeve të Ballkanit të shndërrohen në modele për ta, edhe pse kanë kaluar 20 vite nga lufta e ashpër të cilën ata e përjetuan. Tre vjet më parë, BE-ja krijoi Konferencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim që t’i afronte ato sa më shumë me BE-në dhe të inkurajonte edhe dialogun mes tyre.
Konferenca është zhvilluar në Berlin, Vjenë dhe Paris, ndërsa këtë vit ajo do të mbahet në Itali. Kryeministrja britanike, Theresa May, shprehu interesin e vendit të saj për të organizuar bisedimet në 2018, pavarësisht zhvillimeve të Brexit.
BE-ja u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit se ato duhet të vendosin një marrëdhënie të mirë ndërmjet njëri-tjetrit, institucionet duhet të veprojnë sipas rregullave të shtetit ligjor, si dhe vendi duhet të zhvillohet ekonomikisht, si parakushte për anëtarësim në BE. Në këmbim, BE-ja i ka premtuar se do t’i sigurojë mbështetje në të gjitha nivelet.
Financiarisht, kjo ndihmë e ka kaluar vlerën e më shumë se gjysmë miliard euro këtë vit, dhe nuk pritet që ky buxhet të ketë ndryshime. Anëtarësimi i vendeve në BE ka qenë i ngrirë gjatë qëndrimit të Jean-Claude Juncker si president i Komisionit Europian, ndërsa tani për tani, vëmendja e BE-së duket se është më shumë e përqendruar në ato vende që duan të largohen sesa në ato që duan të bëhen pjesë e saj.