Në Kolumbi situata është mjaft tragjike dhe e rëndë si pasojë e rrëshqitjes së dheut, që ka lënë të vdekur të paktën 254 persona.
Rreth 1.100 ushtarë dhe policë janë përfshirë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit ndërkohë që raportohet për shumë të zhdukur.
Reshjet e dendura të shiut përmbytën me baltë e gurë qytetin e Mocoas në jugperëndim të vendit, duke “varrosur” thuajse të gjithë periferinë, ndërsa rezidentë të tjerë arritën t’i shpëtonin duke u larguar nga shtëpitë.
Një deklaratë e ushtrisë njoftonte se janë të paktën 400 të plagosurit, ndërsa 200 persona rezultojnë të zhdukur në kryeqytetin e provincës Putumayo.
Presidenti Juan Manuel Santos shpalli gjendjen e emergjencës në rajon dhe shkoi menjëherë në vendngjarje për të mbikëqyrur përpjekjet për shpëtimin e sa më shumë njerëzve që është e mundur.