"Mjafton një fije shkrepse"

16 Prill 2017, 19:03Rajoni TEMA

Johannes Hahn është komisioneri i UE-së për çështje të zgjërimit. Detyra e tij më e vështirë është Ballkani perëndimor. Çështja për të është: «Të eksportosh stabilitet, apo të importosh instabilitet».

ZEIT ONLINE: Zoti Hahn, ju jeni përgjegjës për zgjerimin e Unionit në Komisionin e UE-së. E dimë që evropianët nuk e dëshirojnë hapjen. Me cilat argumenta e përfaqësoni këtë gjë të vështirë?

Johannes Hahn: Për Ballkanin perëndimor, por edhe për fqinjësinë e mëtejme jugore dhe lindore vlen: Ose do të eksportojmë stabilitet, ose do të importojmë instabilitet. Kjo vlen sidomos për Ballkanin perëndimor. Unë këtë e krahasoj këtë me një tavë plot vaj. Mjafton një fije shkrepse – dhe gjithçka merr flakë. Afatgjatë, rajoni mund të kënaqet vetëm përmes një perspektive integrimi në UE.

ZEIT ONLINE: Ju mendoni se UE mund t’i humbasë shtetet e Ballkanit?

Hahn: Është në interesin tonë, që në këto vende të mos ketë trazira dhe instabilitet. Kjo vetëm se do ta rriste më shumë presionin për emigrim.

Por dua të theksoj edhe që ky rajon është një vend ekonomikisht shpresëdhënës. Atje ka rritje ekonomike, që është dyfish më e lartë se mesatarja evropiane. Në Ballkanin perëndimor jetojnë 20 milionë njerëz. Ky është një treg që mund ta zhvillosh. Kjo sjell shumë shanse. Por, kusht për këtë janë stabiliteti, paqa dhe siguria juridike.

ZEIT ONLINE: Para pak javësh erdhi në një konflikt të ashpër ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – madje flitej për luftë dhe dhunë. A nuk është kjo një shenjë për atë që në rajon ka më shumë prapakthim se përparim?

Hahn: Kjo ngjarje është vetëm një dëshmi e tezës sime se çdo vend ka shënuar përparim, por këto nuk po qëndrojnë në një fundament të siguruar. Një fjalë e gabuar mund të çojë në shpërthimin e një konflikti.

ZEIT ONLINE:  Çfarë po ndërmerr Komisioni kundër kësaj?

Hahn: Unë po investohem në dy gjëra. E para: zhvillimin ekonomik. Njerëzit atje kanë nevojë për një perspektivë. Ka një papunësi të lartë të të rinjve, ka një Braindrain (rrjedhje truri – v.j.). Këtë duhet ta ndalojmë. Dhe, ka përparime inkurajuese.

Kur i filluam negociatat e integrimit me Serbinë kishte një hov të investimeve të reja nga jashtë. Ndërmarrjet kishin ndjenjën se Serbia tani po negocion seriozisht me UE-në. Me këtë u rrit edhe parashikimi për siguri juridike. Investorët investojnë nëse mund t’i besojnë sistemit të drejtësisë. Pra duhet ta forcojmë shtetin ligjor.

E dyta: Procesin e ashtuquajtur të Berlinit. Kjo është një formë e bashkëpunimit multilateral në fushën e trafikut, energjisë dhe shkëmbimit të të rinjve. Kjo shpie në një rrjetëzim më të fortë të shteteve dhe shoqërive të veçanta. Ne dëshirojmë t’i forcojmë varësitë pozitive nga punä në projekte me interes të përbashkët. Atëherë do të bjerë edhe apetiti për konflikte.

ZEIT ONLINE: A është elita politike e Serbisë, sipas mendimit tuaj, e orientuar njëmend nga Evropa, apo kanë dyshime?

Hahn: Serbia ka një histori të re krejt të veçantë dhe një dimenzion përkatës kulturor. Kujtoni kishën ortodokse. Kjo duhet respektuar. Besoj se forcat e arsyeshme në vend – dhe këtu e llogaris kryeministrin Aleksandër Vuçiç – e dinë fort mirë, se perspektiva evropiane nuk ka alternativë, për aq sa dëshirohet t’i sillet paqë dhe mirëqenie vendit.

Padyshim në Serbi ka akoma politikanë që kultivojnë një retorikë nacionaliste. Kjo është kontraproduktive, sepse e hedh shikimin kah e kaluara e ngarkuar në vend të një të ardhmeje pozitive. Zgjedhjet presidenciale në Serbi e paralajmërojnë këtë. Mua ky zhvillim nuk më ka ikur. Prandaj në mars do të organizojmë një takim të kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor. Duhet të shohim që ajo që është arritur nuk rrezikohet.

(Die Zeit)

3 komente në ““Mjafton një fije shkrepse””

  1. Mira Lushi says:

    Sigurisht! Po te enden ende fantazmat e pushtimit dhe te kolonializimit te vendeve, dhe te njerezve dhe pas L1B kur perandorite u shperbene eshte e kuptushme.

  2. Kasandra says:

    Për Z. Johanes Hahn,
    Duke folur për një konflikt Kosovë-Serbi Z. Hahn ka shprehur tezën e tij që përparimi në Ballkanin Perëndimor të vazhdojë duhet të qëndrojë në një themel të siguruar: stabilitet, paqe dhe siguri juridike. Saktë. Ballkanin e shndërruar historikisht në “fuçi baruti” ai e krahason me një tavë plot me vaj që me një fije shkrepse merr flakë gjithçka, dmth., një fjalë e gabuar, thotë ai, mund të çojë në shpërthimin e një konflikti. Prapë saktë. Por ka ardhur e ka kaluar koha që të thuhet hapur se “fjala e gabuar” gërvisht plagën njëshekullore që Evropa kujton se e ka mbuluar me koren e integrimit evropian.
    Ajo plagë që Z. Hahn e quan tavë vaji ka brenda saj aktualisht gjashtë/shtatë tava vaji të vogla që nga historia trashëgojnë mosbesim dhe pasiguri ndaj njera tjetrës vetëm për një arsye, nga caktimi arbitrar i kufijve me rënien e Perandorisë Osmane që krijoi hapsirë abuzimi për ato shtete që aspironin zmadhim me diversion e pastrim etnik në dëm të fqinjëve për t’i bërë ato “territore të tyre”, siç bën Serbia sot me veriun e Mitrovicë dhe Greqia me Çamërinë e jugut. Këto dhe të tjera së bashku mbollën mosbesimin reciprok të sotëm dhe ndikojnë edhe negativisht në vendosjen e themelit juridik të brendshëm me ndërhyrje të gjithanëshme.
    Pushtetarët flasin për integrim dhe besim se problemi i vjetër do të zgjidhet me integrim por gjendja aktuale në BE nuk është premtuese për ta siguruar atë. Popujve të dëmtuar u ka ardhur shpirti në majë të hundës dhe sipas rastit i demonstrojnë aspiratat dhe përpjekjet e parreshtura për vendosjen e drejtësisë. Pra, Ballkanit duhet t’i kthehet themeli i siguruar juridik dhe ky është kthimi i kufijve etnikë për secilin komb që do t’i presi rrugën konflikteve si dhe çdo tentative për përfitime të mëtejshme dhe atëre Ballkani do të jetë për Evropën një aleat i fuqishëm dhe i sigurt.
    Në kuadrin e integrimit janë krijuar kushte optimale mirëkuptimi dhe korrigjimi të gabimeve të kaluarës që Ballkani të integrohet në BE pa probleme të brendshme kombëtare sepse historia është e freskët dhe kufijtë janë të evidentuar saktë. Në rast lufte më e mira dhe më e keqja që mund të ndodhin përsëri për popullin e shumëvuajtur shqiptar është që të pranojë kushtet e koalicionit në luftë si në Luftën e Dytë Botërore që të luftohej armiku kryesor fashizmi dhe nazizmi në fillim dhe më pas popujt të vetëvendosin për kombin e tyre. Ky premtim nuk u mbajt “për të mos i prishur humorin dikuj”. Pas coptimit fillestar më 1915, Shqiptarët tani po e vuajnë për së dyti, padrejtësinë e Evropës dhe të Ballkanit ndaj tij në të gjitha fushat.
    Aktualisht integrimi në BE ofrohet për së treti si një premtim për zgjidhjen e problemeve kufitare kombëtare në Ballkan që janë burim konflikti pa fund. Nëse ndodh kjo, Evropa do të ketë jo një po shumë Katanja që do të kërkojnë të drejtën e tyre kombëtare dhe Evropa, ku kufijt nuk shuhen veç hapen e mbyllen, nën presionin e politikës ndërkombëtare do të gjejë një justifiikim të rastit për t’i shërbyer “të mirës më të madhe” si tani. Prandaj, të dashur bashkatdhetarë, kudo ku jemi të përdorim kohën që kemi deri në integrim për të zgjidhur problemin tonë kombëtar duke kërkuar zbatimin e të drejtës njerëzore për të qenë një komb i tërë i bashkuar. Vetëm kjo do ta përmirësojë mirëqenien tonë politike dhe ekonomike. Shteti shumëkulturor do t’i shërbejë edhe për shumë kohë atyre që janë krijuar si të tillë. (Po të kishte shpresa Britania e Madhe për të kaluar krizën aktuale në BE dhe mundësi më të mëdha zhvillimi për britanikët nuk do të largohej prej saj.) Pushtetarët kanë mjetet e tyre, populli ka të vetat. Kujdes mësimet nga historia! Kasandra.

  3. Kasandra says:

    Gazeta Tema, ju lutem botojeni këtë korrigjim.
    Korigjim gabimi: tek komenti më sipër në paragrafin e fundit rreshti i dytë fjala është për Katalonjën. Faleminderit, Kasandra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje