Fotografitë e 20 personaliteteve europiane të artit, televizionit, diplomacisë , albanologjisë kulturës e sportit, veshur me kostumet popullore shqiptare tashmë janë në ekspozitën e fotografit Roland Tasho në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në Tiranë.
E titulluar “Përtej kostumeve” ekspozita u hap në kuadër të ciklit të ri me prezantime fotografike të artistëve të njohur të imazhit, vendas e ndërkombëtarë “Shqipëria nga brenda dhe jashtë”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në COD deri më 13 maj 2017. Ajo organizohet në kuadër të Ditës së Europës, në 9 maj, e cila përkujton fitoren e Bashkimit Evropian, të ngritur mbi vlerat e ndërsjella dhe respektin për dinjitetin njerëzor.
Me petkun tradicional të veriut e të jugut , diku me tirq e diku me fustanellë , përtej “kostumeve”të diplomatit, gazetarit, këngëtarit , komisionerit europian, trajnerit, albanologut, kineastit apo artistit, shfaqen figurat e Bruno Vespës, Riccardo Cocciantes, Gianni de Biasit, Ulrike Lunacek, Eduard Kukan , Stipe Mesiç, Tahseen Sayed, Antal Heizer e të tjerëve me radhë. Fotografi të tilla që rrëfejnë histori të Europës e Shqipërisë shkojnë përtej asaj që kap objektivi dhe në mënyrën më të thjeshtë, ndërtojnë ura e afrojnë mendësi.