Prej disa muajsh, Venezuela është përfshirë nga protesta të dhunshme kundër vendimit të presidentit Nicolas Maduro për të rishkruar kushtetutën, ç’ka do t’i jepte atij një pushtet të pakontrolluar.
Por, së fundi, midis tymit dhe gazit lotsjellës, në mes të protestuesve në rrugët e Karakasit është shfaqur edhe një violinist misterioz.
I riu shfaqet në një video i rrethuar nga protestuesit, madje njëri prej tyre mban një mburojë artizanale përpara tij, për ta mbrojtur.
Pavarësisht dhunës, gazit lotsjellës të ushtrisë dhe kokteileve Molotov të protestuesve, violinist vazhdon të luajë i pashqetësuar.
Në pamjet e publikuara në Twitter, ai luan në violinë himnin kombëtar të Venezuelës.
Qysh nga fillimi i protestave, të paktën 38 persona kanë mbetur të vdekur në Venezuelë.
Ndërkaq, vetëm një javë më parë, një tjetër violinist mbeti i vdekur. Një plumb e përshkoi në qafë 18-vjeçarin Armando Canizales, ndërsa protestonte në rrugë, duke luajtur në violinë.