Monedha e përbashkët ka vijuar rënien edhe gjatë ditës së sotme në tregun vendas, duke arritur një tjetër nivel të ulët rekord të 9 viteve të fundit.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye sot me 133.57 lekë, duke rënë me 0.07 lekë në raport me fundin e javës së kaluar.
Në tregun vendas euro ka shënuar rënie për të paktën tre javë radhazi, (nga 19 maji) duke shënuar periudhën më të gjatë rënëse prej shumë vitesh.
Edhe dollari është nënçmuar gjatë ditës së sotme, duke zbritur në 119.08 lekë, 0.32 lek ëmë pak se fundi i javës së kaluar.
Monedha e përbashkët ka rënë gjatë ditës së sotme edhe pse në bursa ajo është mbiçmuar ndaj dollarit, duke arritur në 1.12 USD.
Ulja e rrezikut politik ndikoi pozitivisht në eurozonë, pasi partia e presidentit francez Macron po shkon drejt një fitoreje të qartë në Parlament dhe në Itali euroskeptikët e Pesë Yjeve nuk arritën rezultat të mirë gjatë zgjedhjeve lokale të dielën duke ulur frikën se kjo parti mund të vijë në pushtet.
Por në Shqipëri, euro, që prej vitesh ka qenë monedha ankorë e shqiptarëve, po sheh ditët e saj më të dobëta në gati një dekadë.
Ilirian Ligaçaj, drejtori i Thesarit në Union Bank pohon se rënia e euros po kthehet në një trend. Psikologjikisht thotë ai, krahas ofertës së shtuar në valutë, po ndikon dhe procesi i deuroizimit i nisur nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave. Sot, shumë banka po bëjnë oferta për të kthyer kreditë nga euro në lekë me kushte të favorshme.
Gjithnjë e më shumë thotë ai, pritet të njerëzit të orientohen drejt lekut dhe kjo do të reflektohet në një kërkesë më të madhe në monedhën vendase.
Ai parashikon që euro të stabilizohet në nivele shumë më të ulëta se ato që jemi mësuar të shohim deri tani.
Që pas vitit 2009, euro u rrit me shpejtësi në tregun vendas, nga rreth 132 lekë, ajo arriti një nivel prej 139-140 lekë për gati 8 vjet radhazi, teksa në gjysmën e dytë të vitit 2016, euro filloi të zhvlerësohej, në mesatarisht 137 lekë, tendencë që e vazhdoi me shpejtësi edhe në muajt e parë të këtij viti, duke zbritur në afër 133 lekë aktualisht.
Me afrimin e verës tendenca sezonale e zhvlerësimit pritet të vijojë, e ndihmuar dhe nga hyrjet nga turizmi, teksa numri i turistëve këtë vit pritet të arrijë rekord.(monitor)