Blerja e votave/ Hetime në Kuçovë dhe Elbasan

22 Qershor 2017, 14:43Politika TEMA

Një 50-vjeçar i cili punon drejtor ne Bashkinë Kuçovë, është vënë në hetim në gjendje të lirë nga Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar.

Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet A.C. banues në Kuçovë, dhe procedimi penal ndaj tij sipas bluve, nisi mbi bazën e kallëzimit të një shtetasi, pasi dyshohet se A.C. ka vënë në shërbim të një subjektit politik automjetin shtetëror në mitingun e zhvilluar nga ky subjekt.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat, po e heton A.C. për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik, për veprimtari politike ose zgjedhje”.

Gjithashtu iu referuan materialet për vlerësim Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, në ngarkim të shtetasve:

K.Ll. 34 vjeç, banues në Kuçovë, me detyrë Drejtor në Bashkinë Kuçovë

L.Ç. 52 vjeç, banues në Berat, me detyrë Drejtor në Bashkinë Kuçovë,

F.B. 56 vjeç, banues në Kuçovë, me detyrë Administrator i një Njësie Administrative.

Për ta ka patur një kallëzim dhe dyshohet se kanë ushtruar presion psikologjik ndaj simpatizantëve të një subjekti politik.

Gjithashtu dyshohet se shtetasi F.B. ka përdorur shuma parash për blerjen e votës.

Ndërkohë edhe Prokuroria e Elbasanit po heton një rast të ngjashëm në Elbasan.

Disa simpatizantë të PDIU-së janë parë të lëvizin me një furgon ku po shpërndanin ushqime nëpër familjet e varfra të Elbasanit.

Arsyetimi është se ushqimet janë ndarë për festën e Bajramit, por policia ka nisur hetimet pasi dyshohet për blerje të votave duke përdorur dhënien e ushqimeve falas.

Burime nga policia Elbasan bëjnë të ditur se shtetasit K.M nga Elbasani dhe F.G. nga Peqini janë vendosur në hetim.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje