Raporti: Prokurorët në ajër, flurime VIP me shërbime ekstra

23 Qershor 2017, 09:13Kronika TEMA

Nëse disa politikanë mburren para qytetarëve për fluturimet e thjeshta me klasin ‘ekonomik’, pra njësoj si qytetarët e thjeshtë, e kundërta ndodh me prokurorët, disa prej të cilëve rezultojnë se preferojnë udhëtimet luksoze VIP, me klasin ‘biznes’, me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Gjatë vitit 2015, shpeshherë, prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë udhëtuar me avion drejt vendeve të ndryshme evropiane, me klasin ‘biznes’, pra në vende të veçanta të avionit, tërësisht i vetëm dhe padyshim me një çmim shumë herë më të lartë se udhëtimi normal (klasi ekonomik).

Ky është një nga konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në raportin e aludimit në Prokurorinë e Përgjithshme, mbi rregullshmërinë financiare, për vitet 2014-2015.

Raporti, i zbardhur nga Shqiptarja.com, konstaton shkelje të ndryshme në zhvillimin e tenderave dhe sidomos në prokurimet me vlera të vogla, ku përfshihen edhe bileta avioni. Por, bie në sy se, njerëzit e organit qendror të akuzës, në shumë raste kanë preferuar udhëtimet luksoze dhe të shtrenjta me avion. Zakonisht, grupi që udhëton me klasin ‘biznes’ ka shërbime ekstra dhe të personalizuara.

Nuk dihet nëse prokurorët i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që të ofron kjo formë fluturimi. “Me urdhër shpenzimi nr. 263, datë 1.10.2015, është paguar…, për blerje bileta avioni copë 3, për itinerarin Tiranë-Zyrich-Tiranë (një biletë klasi biznes dhe dy bileta klasi ekonomik). Vlera e ofertës është 265 000 lekë, sipas faturës së thjeshtë tatimore nr. 4, datë 0.09.2015.

Fituesi i renditur në vendin e parë është tërhequr nga gara. Me urdhër shpenzimi nr. 359 datë 25.11.2015 paguar…për blerje bileta avioni copë 2, për itinerarin Tiranë-Strasburg-Tiranë (një biletë klasi biznes dhe një klasi ekonomik).

Procedurat janë zhvilluar mbi bazën e marrëveshjes kuadër të nënshkruara nga palët Prokuroria e Përgjithshme dhe operatori ekonomik… Me urdhër shpenzimi nr. 392 datë 23.12.2015 paguar…për blerje bileta avioni copë 2, për itinerarin Tiranë-Paris-Tiranë (një biletë klasi biznes dhe një klasi ekonomik).

Procedurat janë zhvilluar mbi bazën e marrëveshjes kuadër të nënshkruara nga palët Prokuroria e Përgjithshme dhe operatori ekonomik… Fatura tatimore nuk nënshkrimin e përfaqësuesit të blerësit”, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku pasqyrohen vetëm disa nga udhëtimet VIP.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje