Makina e një efektivi të Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë së Krujës ka shpërthyer dje me eksploziv në Tiranë. Burime zyrtare nga blutë e kryeqytetit bënë me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 03:55 në rrugën “Kastriotët” në Fushë-Mëzes.
Mësohet se shpërthimi me tritol dëmtoi pjesën e përparme të automjetit “Mercedes Benz”, në pronësi të Trim Muratit. Menjëherë pas njoftimit në numrin e emergjencave 112, forca të shumta policore mbërritën në vendngjarje dhe nisën hetimet për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, hetuesit e çështjes deklaruan se dyshohet që në makinën e policit të Krujës është vendosur një sasi rreth 100-15 gr lëndë plasëse.
Po të njëjtat burime pohuan se dyshohet që sasia e eksplozivit mund të jetë hedhur nga jashtë rrethimit të banesës së oficerit të policisë dhe qëllimi ka qenë jo lëndimi i efektivit, por vetëm paralajmërim.
Kjo për faktin se tritoli ka shpërthyer në një orar, kur në zonë nuk kishte lëvizje të mjeteve apo njerëzve.
Trim Murati, prej afro 5 vitesh punon në Komisariatin e Krujës në seksionin e Krimeve të Rënda.
Pas ngjarjes, bashkëshortja e tij u shpreh se nuk di nga se mund të ketë ardhur, pasi nuk kanë probleme.
Vetë efektivi i policisë ka pohuar se nuk ka probleme dhe se dyshon se ngjarja mund të ketë lidhje me punën e tij në Komisariatin e Krujës dhe aksionet kundër kanabisit, raporton “GSH”.
Policia po heton ngjarjen në pistën që lidhet me profesionin, si dhe me konflikte të mundshme personale të Muratit.