Vrasja e mjekut në Shkodër rishfaq konfliktet e pazgjidhura të pronës

10 Korrik 2017, 09:05Kronika TEMA

Nga Elvis Nabolli

Pasi kishin bërë të dy shtesa pa leje mbi pallatin e vjetër në lagjen “Qemal Stafa” të Shkodrës, Dritan Ymeri, 26 vjeç, dhe  Ilir Alija, 44 vjeç, ishin përfshirë në konflikt kur ky i fundit vendosi të bënte edhe një verandë në tarracën në pronësi të përbashkët të ndërtesës.

Mbrëmjen e 1 korrikut rreth orës 23:40 ditë të premte, sipas njoftimit për shtyp të policisë vendore, dy burrat u përplasën në tarracën që ishte bërë objekt sherri. “Dritan Ymeri dyshohet se qëlloi 3 herë me armë zjarri mbi Ilir Alijan dhe për pasojë i shkaktoi këtij të fundit vdekjen e menjëhershme,” thuhet në njoftimin e policisë. Ajo nuk mundi të arrestonte të dyshuarin i cili ndodhet në arrati.

Një e afërme e viktimës, e cila kërkoi të mos i publikohej emri, i tha BIRN se mjeku Alija, i cili ishte kthyer atë ditë nga pushimet në Velipojë për të kontrolluar punimet, kishte dëgjuar zhurmë në tarracë vonë në mbrëmje dhe kishte dalë bashkë me të birin 14 vjeç. “Aty”, thotë ajo, “u përplasën me komshiun i cili po shkulte tubat pasi nuk ishte dakord me ndërtimin e verandës.” Përplasja rezultoi fatale.

Në analizën e punës së policisë për vitin 2016 ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri thoshte se “rreth 75% e vrasjeve në vend janë për motive familjare, motive të pronës dhe motive të dobëta, pra të çastit”.

Po ashtu edhe burime nga policia e Shkodrës i thanë BIRN se konfliktet e pronësisë shkaktonin mesatarisht  1 deri në 3 të vrarë në vit vetëm në këtë qark, në të cilin vitin e kaluar, sipas raporteve mujore të Ministrisë së Brendshme, ndodhën 10 vrasje.

Konfliktet e pronësisë po ashtu janë ndër çështjet kryesore në Gjykatën e Rrethit të Shkodrës. Kancelari i Gjykatës së Shkodrës Artan Dragani i tha BIRN se “vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 22 çështje për konflikt pronësie, ndërsa në vitin që lamë pas ka patur 62 të tilla”.

Kancelari i Gjykatës së Shkodrës vëren se numri i gjyqeve të çelura nga palët e përfshira në konflikte pronësie është rritur, ndërsa ai thotë se mjaft prej këtyre çështjeve zgjasin edhe në kohë. “Gjatë shqyrtimit të cështjeve të pronësisë, gjykata ka synuar shmangien e zvarritjeve në zhvillimin e gjyqeve megjithatë vonesat janë prezente pasi palët kanë probleme me dokumentacionin dhe kjo bën që çështjet të zvarriten,” pohon Artan Dragani. Mes këtyre gjyqeve përfshihen konflikte mes palëve  për sipërfaqe bujqësore, troje ndërtimi apo çështje pronësie brenda familjes.

Ndërkohë burime nga policia e Shkodrës thanë se numri i familjeve në konflikt pronësie është më i madh, por pak prej tyre denoncojnë apo tentojnë t’i zgjedhin konfliktet përmes policisë apo gjyqësorit.

Pronësia, për shkak të problemeve të krijuara pas reformës së fillimit të viteve 90’ që njihet edhe si “Ligji 7501”, lëvizjeve të popullsisë gjatë tranzicionit, mungesës së kontrollit mbi territorin, ndërtimet pa leje, moskompensimin e pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist dhe sistemit të korruptuar gjyqësor, është një nga problemet kryesore të Shqipërisë edhe sipas raporteve të përvitshme të Komisionit Europian e Departamentit të Shtetit.

“Një titull i qartë (pronësie) është i vështirë të merret,” thuhej në raportin e fundit të DASH mbi klimën e investimeve në vend.  “Disa nga faktorët përfshijnë aktorë të paskrupuj të cilët manipulojnë dhe korruptojnë sistemin gjyqësor për të marrë një titull pronësie mbi një tokë jo të tyren. Kompensimi për pronat e konfiskuara nga regjimi komunist është i vështirë për tu përfituar dhe jo i përshtatshëm,” nënvizon ndër të tjera në të njëjtin raport.

Po ashtu raporti i fundit i Komisionit Europian theksonte se vendi “vuante” nga “Mungesa e një kadastre funksionale dhe qartësisë së zotësisë së pronës”. I njëjti raport theksonte se në vend “duhet të garantohet zbatimi i të drejtave të pronësisë dhe duhet të përfundohet procesi i regjistrimit, kthimit dhe kompensimit të pronës”.

Vrasja e Ilir Aliajt përfshihet nga policia si vrasje për motive të pronësisë edhe pse siç pranojnë të afërmit e viktimës asnjë prej dy të përfshirëve në konflikt nuk kishte të drejta mbi tarracën e pallatit për të cilën u përplasën.

“Shteti mund ta ndalonte këtë krim, nëqoftëse nuk do i kishte lejuar (që në fillim) që të ndërtonin pa leje e më pas të përfshiheshin në konflikt me njëri- tjetrin”, thotë gruaja e afërme e viktimës e veshur me të zeza.

1 komente në “Vrasja e mjekut në Shkodër rishfaq konfliktet e pazgjidhura të pronës”

  1. Kot se si mu kujtu.... says:

    Ai kancelari i gjykates se Shkodres ka probleme per vete me drejtesine. Ka aksidentuar me vdekje nje grua kur po ecte me shpejtesi sketerre, si idiot qe eshte, ne bulevardin kryesor ne Xhabije, dhe per te humbur gjurmet ka nderruar germat e mbiemrit nga Dragani ne Dragoni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje