Skënderbeu shkon në sfidën e kthimit ndaj Kairat Almaty me besimin për një kualifikim, kjo jo vetëm nga rezultati i ndeshjes së parë por edhe nga paraqitja e mirë në fushën e lojës.
Formacioni i Ilir Dajës tregoi se është një skuadër e denjë për të garuar në Europë, ekip i ndërtuar nga të rinj premtues dhe lojtarë me shumë eksperiencë.
Marko Radas është njëri prej tyre, teksa kroati ishte një nga më të mirët në sfidën e parë. 34 vjecari është i vetëdijshëm se nuk do të jetë e lehtë për t’u kualifikuar edhe pse skuadra ka besim të madh.
“Rezultati i ndeshjes së parë ishte shumë i mirë dhe kemi shumë besim. Ndeshja e dytë është më e vështirë pasi të gjithë presin të kalojmë. Duhet të luajmë me kujdes dhe besoj se do kalojmë.”
Në favor të Skënderbeut është faktori fushë por edhe fakti që kundërshtari do të vuajë diferencën e orës midis Shqipërisë dhe Kazakistanit. Radas tregon recetën e duhur për t’ia dalë me sukses ndaj miliarderëve të Kairat.
“Ashtu sic e kishim ne problem me orën tani e ka Kairati. Është fusha dhe tifozeria jonë dhe besoj që do na ndihmojnë. Duhet një taktikë e mirë dhe të jemi agresiv. Kemi nevojë për shumë gjëra.”
Një nga më të mirët e kazakavë është padyshim rusi Arshavin, një lojtar i nivelit botëror. Marko Radas vecon edhe të tjerë futbollist nga kundërshtari, teksa shpreh bindjen se ata mund të ndalen vetëm nga puna në grup.
“Do bëjmë kujdes me Arshavin, por nuk do jemi vetëm ne qendërmbrotëjsit të kujdesshëm, por gjithë ekipi. Ata kanë 11 lojtarë, numri 10 psh. Nuk jemi vetëm ne mbrojtësit që do të kujdesemi por kemi edhe Osmanin me Lilajn para mbrojtjes.”
Në fund optimizmi i Radas duket edhe tek parashikimi i rezultatit për sfidën e kthimit.
“Mendoj që do të mbyllet në barazim 0-0.”/SS/