Kukësi, Gjici-Serran paqe përpara Sheriffit

18 Korrik 2017, 11:46Sport TEMA

Kukësi rigjen paqen përpara ndeshjes së kthimit në Champions ndaj Sheriff Tiraspolit. Për të rikthyer qetësinë që i nevojitet skuadrës për takimin me historinë, shërbeu ditëlindja e Alberto Serran.

Mbrojtësi spanjoll ishte më i kritikuari për humbjen minimale të pësuar në Moldavi, pasi shkaktoi edhe penalltinë naive. Por, festa e organizuar brenda ekipit për 33-vjeçarin shërbeu për të hedhur pas krahëve atë që ndodhi një javë më parë.

Në formë ndjese, për reagimin ndoshta të tepruar pas rezultatit zhgënjyes, i pranishëm në festë ishte edhe presidenti Safet Gjici, që e duartrokiti dhe e takoi futbollistin pas fikjes së qirinjve.

Tashmë të gjithë te Kukësi janë të përqendruar te dueli i turit të dytë të Championsit ndaj Sheriffit. Objektivi mbetet përmbysja e rezultatit dhe kalimi në turin e tretë të aktivitetit, që do ti garantonte pjesëmarrjen në fazën “play off” të Europa League.

Kampionët e Shqipërisë besojnë se pengesa është e kalueshme dhe e kanë të qartë që nevojitet e gjithë qetësia e mundshme dhe kontributi i të gjithëve për ta realizuar ëndrrën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje