Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka deklaruar se raketat balistike interkontinentale të vendit të tij kanë kapacitet të përfshijnë tërë territorin e SHBA-së.
Deklarata e Kim Jong Un, e cila është transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve në Korenë Veriore, erdhi vetëm një ditë, pasi Penjani testoi raketen e dytë balistike interkontinentale (ICBM).
Sipas zyrtarëve raketa ishte më e avancuar dhe fluturoi më shumë se sa raketa e parë.
Sipas ekspertëve, një raketë e tillë mund të arrijë deri në Los Angelos dhe Çikago.
Në deklaratë po ashtu thuhet se testi “është kryer me shumë sukses” dhe ka përmbushur objektivin, që Koreja e Veriut të ketë kapacitet të sulmojë SHBA-në me koka bërthamore.
Trump e ka cilësuar këtë testim si “të pamatur dhe të rrezikshëm”, dhe ka paralajmëruar Penjanin se ambiciet e këtij vendi do të dështojnë.
Presidenti i SHBA-së ka premtuar se “do të marrë gjithë hapat e nevojshëm” për të mbrojtur vendin e tij.
“Duke kërcënuar botën, këto testime të armëve e izolojnë Korenë Veriore dhe dobësojnë ekonominë e saj. Shtetet e Bashkuara do të marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të ruajtur sigurinë e Amerikës dhe të aleatëve tanë në rajon”- tha Donald Trump.
Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Yoshihide Suga, tha se raketa e Koresë Veriore ka fluturuar 45 minuta, rreth 5 minuta më shumë se testimi i mërparshëm i një rakete të tillë.
Ushtria e Koresë Jugore deklaroi se raketa ka arritur një lartësi prej 3,700 kilometrash përpara se të arrinte në det.