Golin e talentit fierak Kedi Bare ndaj Liverpool në “Allianz Arena”, në trofeun “Audi Cup”, e kanë parë me shumë emocion në internet mijëra e mijëra shqiptarë të mërkurën në mbrëmje.
Imagjinoni se çfarë mund të kenë përjetuar në atë moment, në minutën e 33-të, familjarët e Keidit, veçanërisht Artan Bare, një ish-futbollist i Apolonisë.
Në një rrëfim ekskluziv për “VIP sport”, tifozi numër 1 i talentit të Atleticos së Madridit, tregon duke qeshur (në dialektin fierak) çfarë bëri në atë moment: “Vëlla, nuk di çfarë të them… Jemi në Spanjë dhe nuk e mbaj mend mirë çfarë kam bërë, por di që e ngritëm shtëpinë në këmbë. Mirë që antena nuk vajti në pishinë. U gëzuam shumë, një emocion i paparë, sepse të luash titullar ndaj Liverpool dhe t’i shënosh këtij ekipi, e kupton…? Jemi në “qiellin e shtatë”, shumë, shumë të lumtur. Ju falënderoj për interesimin tuaj. Kur të kthehemi në Tiranë, do të flasim më gjatë”, – thotë plot emocion Artan Bare, ndoshta babai më i lumtur në këtë moment, teksa sheh djalin e tij të realizojë një ëndërr të madhe.
Keidi Bare luajti 60 minuta dhe i dha avantazhin Atleticos në pjesën e parë. Vendin e tij në pjesën e dytë e zuri as më shumë dhe as më pak, por një farë Griezman. Liverpool barazoi në fundin e ndeshjes, por spanjollët fituan me 11-metërsha dhe njëkohësisht fituan edhe trofeun.
Bare shfrytëzoi shansin dhe tani një e ardhme më e ndritur e pret. E meriton, po punon fort.