DOSSIER/ 27-vjeçari që guxoi të vriste Esad Pashën. Gjyqi në Francë dhe pritja si hero në Shqipëri

5 Gusht 2017, 14:46Dossier TEMA
DOSSIER/ 27-vjeçari që guxoi të vriste Esad Pashën. Gjyqi

Nëse do të flasim për tri nga ngjarjet më të rëndësishme të ndodhura në 1920, janë vrasja e Esad Pashë Toptanit nga Avni Rustemi dhe gjyqi i tij në Francë, lufta e përgjakshme e Vlorës dhe ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme, Kongresi i Lushnjës. Në këtë artikull do të flasim për gjyqin e famshëm të Avni Rustemit, pasi ai vrau në mes të rrugës me dy plumba Esad Beun.

Avni Rustemi lindi në Libohovë, më 22 shtator 1895 dhe vdiq në një atentat në Tiranë, më 24 prill 1924. Ai ishte mësues, publicist, atentator dhe deputet shqiptar. Themelues dhe drejtues i shoqatës “Bashkimi” dhe anëtar i opozitës demokratike para Lëvizjes së qershorit. Familja në të cilën u rrit Rustemi ishte oxhaku i Libohovës Arsllan-Pashalinjt. Avni Rustemi, në vitet 1920, shfaqet si figurë shumë aktive dhe revolucionare për kohën.

Që kur ka qenë 14 vjeç, Avniu ka kërkuar që të bëhet pjesë e çetës së Çerçiz Topullit, por nuk është pranuar për shkak të moshës. Më vonë arrin që të shkollohet dhe në moshën 17-vjeçare fillon punën në Tepelenë si mësues. Më vonë Rustemi u zhvendos në Vlorë për të zhvilluar profesionin e tij, pikërisht në fshatrat Tragjas dhe Radhimë. Por ai nuk do të rrinte i qetë. Në vitin 1920 krijohet një organizatë nga djelmoshat e Vlorës, pjesë e të cilëve ishte edhe Rustemi, nga kjo organizatë do të dilte edhe urdhri për të vrarë Esad Pashë Toptanin.

Komploti për vrasjen e Esad pashë Toptanit u organizua në Vlorë, në një shtëpi në lagjen “Muradie”, në të njëjtën lagje ku pjesëmarrës ishin 36 burra, nga të cilët u përjashtuan ata që kishin familje dhe shorti u zhvillua vetëm me 11 burra, ku, siç dihet, shorti i ra Avni Rustemit.

Avniu shkon dhe e vret Esadin. Ja çfarë thonë gazetat franceze të kohës rreth kësaj çështjeje, fakte të mbledhura nga Aurenc Bebja.

Më 13 qershor të 1920, në kryeqytetin francez, Esad Pasha po dilte nga hotel «Continental», i shoqëruar nga një mik dhe një mikeshë, për të shkuar në drejtim të automjetit të tij, i parkuar në rrugën «Castiglione». Avni Rustemi, i cili po priste mbi trotuar, qëllon dy herë mbi të duke e lënë të vdekur në vend.

Si rrjedhim, gazeta franceze «Le Matin» ka botuar në faqen e parë të saj, më datë 30 nëntor 1920, një artikull mbi procesin gjyqësor të kësaj vrasje të bujshme. Ajo ka botuar shkëmbimet e ndryshme në sallën e gjyqit, ku bie veçanërisht në sy gjakftohtësia e Avni Rustemit.

Më 20 qershor 1920, Avni Rustemi shfaqet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të «Seine». Gazeta e përshkruan autorin 27-vjeçar, si të dobët fizikisht, që dukej sikur të ishte 20-vjeçar, me një pamje të mprehtë, i cili ishte i sigurt kur shprehej, me një kokëfortësi që haset tek të gjithë vrasësit politikë. Dhe si ata, ai dinte të përdorte lehtësisht «klishetë».

Në vijim, seanca gjyqësore e rrëfyer në gazetën franceze:

“Seanca është udhëhequr nga kryetari i gjykatës, këshilltari Z. Drioux.

Avokati i Përgjithshëm Bloch – Laroque mbështet akuzën.

E veja e Esad Pashës përfaqësohet, si palë civile, nga avokatët Freyssanges et Lyon – Caen.

Avokati De Monzie (Anatole) mbron të akuzuarin.

Pas formaliteteve, fillon marrja në pyetje e Avni Rustemit.

I akuzuari, i lindur në një familje me prona përreth Janinës, është shkolluar në Konstandinopojë, Gjenevë dhe Romë. Ai i ishte destinuar mësimdhënies. Në vitin 1913, u bashkohet Shqiptarëve që luftonin kundra Greqisë me qëllim «lirimin e Epirit».

Drioux: Në atë moment të caktuar, ju nuk e njihnit Esad Pashën?

Avni Rustemi : Oh, kanë folur shumë për të!

Drioux: Po ju paralajmëroj se do të jem tepër i kujdesshëm në këtë terren. Unë pranoj se jam i paditur në çështjet e historisë dhe politikës shqiptare. Mbi këtë bazë, unë do t’ju lejoj të thoni atë që ju dëshironi.

Rustemi përfiton nga leja për të afirmuar se në Shqipëri kishte vetëm një qeveri legjitime, ajo e cila luftoi Esad Pashën.

…Në maj të vitit 1920, partizani i ri kthehet në Shqipëri, ku takon « një zyrtar të lartë, i cili i shpjegon situatën » dhe kuptohet se është kundra « Esadiste ». Në vijim niset për në Paris.

Drioux: Çfarë burimesh financiare keni?

Avni Rustemi : Pak më shumë se 6000 lireta.

Drioux: Nga vijnë këto para?

Avni Rustemi : Nga vëllai im.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Kjo dëshmon se Rustemi nuk është vrasës me pagesë.

Rustemi e përgjonte Esadin nga hoteli i rrugës « Saint – Hyacinthe », komshi me hotelin « Continental », ku jetonte Esadi. Iu desht vetëm një « hap » për ta gjetur. Më 13 qershor u takua papritmas me pashain në trotuarin e rrugës « Castiglione » dhe aty ndodhi gjithçka.

Avni Rustemi : Kur pashë këtë njeri u turbullova dhe nuk u kontrollova dot.

Drioux: Dhe pastaj, ju qëlluat?

Avni Rustemi : Ishte një gjest ashtu si marrja e Bastijës!

Drioux: Ju u bëni aluzion, pa i njohur mirë, disa fakteve të historisë sonë. Shumë të huaj shprehen kështu. Në një tekst të shkruar nga pala juaj mbrojtëse, miqtë tuaj e kanë krahasuar viktimën me Luigjin e XVI! Ju paralajmërova se mund të thoni gjithçka në lidhje me politikën shqiptare. Ne, francezët, ne nuk mund të harrojmë se Esadi ishte miku ynë, që u detyrua të largohej prej austriakëve, që ka punuar në shpëtimin e ushtrisë serbe, dhe për arsye të këtyre fakteve, ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Franca ka besuar disa herë gabimisht.

Proçesi gjyqësor mbyllet me këto fjalë të akuzuarit:

Avni Rustemi : Unë nuk e kam paramenduar vrasjen. Unë kam qenë gjithmonë i shtyrë nga ndjenjat e pastra.

Nga ky moment, mbaron proçesi i Avni Rustemit dhe fillon i Esadit.

Dëshmitarët e parë, doktori Paul, eksperti i armëve Flobert, roja (gjuetari) Cavet që ndaloi vrasësin u dëgjuan me shpejtësi.

Avokati i Rustemit, De Monzie, me aftësinë e madhe për të mbrojtur klientin e tij, do të tërheqë vëmendjen e sallës në vijim.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Një patriot shqiptar, si Rustemi, a ka pasur ndaj Esadit ankesa të bazuara (të mjaftueshme) për të eliminuar tiranin dhe tradhtarin?

Sipas gazetës, dhjetë dëshmitarë mbrojnë të vrarin.

Gjenerali Gouraud i ka shkruajtur Z. Drioux për të vërtetuar bujarinë e Esadit. Z. Edouard Julia e konsideron Esadin si një mik të Francës.

Julia: Figura e tij ushtarake ishte ajo e një heroi. Ishte ai që mundësoi dialogun me mbretin Konstandin. Personaliteti i tij politik nuk ishte më pak i shquar. Ai ka kontribuar shumë në fitoren e aleatëve. Pa atë, asnjë serb nuk do t’i kishte shpëtuar fatkeqësisë, asnjëri prej tyre nuk do të arrinte në Korfuz. Unë nuk jam këtu për të shkatërruar një njeri të ndriçuar nga pasioni i tij politik, por do t’i them të akuzuarit, se duke vrarë Esadin, ai ka sakrifikuar fatin e fundit për bashkim dhe pavarësi që i kishte mbetur shtetit të tij.

Avokati i Rustemit, De Monzie: Esadi, a nuk e dorëzoi Shkodrën në 1913 armiqëve të shtetit të tij? Dëshmitarë të tjerë do të vijnë të tregojnë».

Eskpertë të tjerë kanë vazhduar të flasin në gjyq si për shembull gjenerali Sarrail, ish-shefi i byrosë së ushtrisë Orientale, Z. Ancel, apo Z. Auguste Gauvain, Z. Gaston Richard, koloneli Lamouche dhe konsulli francez në Selanik, Z. Graillet.

Të gjithë këta zotërinj nuk kanë rënë dakord me pohimet e njëri – tjetrit.

Gjatë kësaj seance gjyqësore nuk është marrë një vendim i menjëhershëm për Avni Rustemin.

Një ngjarje tjetër që nuk mund të harrohet, është ajo e komisarit të bashkisë, mikut të Avni Rustemit, Tol Arapi, i cili hipi në anijen që solli Avni Rustemin, nxori nga brezi nagantin dhe qëlloi 5 herë në ajër duke brohoritur “Rroftë djalëria shqiptare, Rroftë Avni Rustemi!”.

Ngjarja e dytë ka qenë marrja në krahë e Avni Rustemit, ku një pjesë të rrugës për në Vlorë e mbajtën në krahë, dhe pjesën tjetër të rrugës e hipën në karrocë dhe i hoqën kuajt, dhe populli i Vlorës e shtyu karrocën deri në Bashki, në qendër të qytetit.

Po atë natë për nder të Avni Rustemit u shtrua një darkë e madhe ku përveç parisë së Vlorës, merrte pjesë edhe kryeministri i asaj kohe, Sulejman bej Delvina dhe njerëz të tjerë të shquar të kombit. Por gëzimi nuk do të zgjaste shumë.

Njerëzit e Esad Pashë Toptanit u rikthyen përsëri për të, dhe atë ditë 22 prilli të vitit 1924 në Pazarin e Ri në Tiranë, teksa ishte i shoqëruar nga një deputet demokrat i quajtur, Hoxha Kadriu nga Prishtina, papritur një njeri i armatosur e qëllon dy herë. Rustemi jeton vetëm për dy ditë dhe vdes nga plagët e rënda që kishte marrë. Njeriu që vrau Avni Rustemin, ishte Jusuf Reçi, një nga njerëzit e Esad Pashë Toptanit.

Sot Avni Rustemi mban titullin “Hero i Popullit”/ Aurenc Bebja, Blogu Dars.

7 komente në “DOSSIER/ 27-vjeçari që guxoi të vriste Esad Pashën. Gjyqi në Francë dhe pritja si hero në Shqipëri”

  1. luli i vocer says:

    Edhe pse kane kaluar shme vite , te lumte dora mor bir . sikur te ishe ne ditet tona , sikur them , nuk do te bente pune koburja , duhet te kishe mitroloz , sepse si Esat Pash Toptani , ketu jane si miza lisi ke te zesh e ke te lesh , plumba te kesh dhe varda ………………Veprimin e Esatit , ketu tani e kane si te zakonshme , llum hesapi , tradhetare te ndyre , e vodhen Shqiperine e varfer 100 here , e shiten po kaq , se ne si leshko nuk i dime , por Shqiperia eshte shitur nja 10 here .Me pak fjale , Esati duket mize perpara ketyre korakeve te sotem …………………

  2. Plaku Xhuxhumaku says:

    Cubave gjithmone u jane ngritur kenge ne Shqiperi.

  3. Besniku says:

    Te quash komplot , marrjen e nje vendimi, nga nje organizate revolucionare e kohes, eshte si ta denosh ate.
    Te shkruash per aktin e Avni Rustemit duhet te jesh te pakten patriot, atdhetar, dhe pastaj dikush qe njeh historine e Shqiperise, te pakten te periudhes kur Avniu beri ate akt heroik, nga njeri ane, dhe aktivitetin tradhetar te Esad Pashes , nga ana tjeter, te dish mire pazaret a beut ne kurriz te Shqiperise.
    Por artikull shkruesi nuk eshte i ketij niveli, gje qe duket kur thote ” komploti kunder Esadit……”
    Vendimi i vrasjes se Esadit u morr ne kohen dhe momentin e duhur. Ezekutimi I tij ne emer te popullit eshte nje nga veprimet me heroike, qe ne vazhden e dy ngjarjeve te tjera te medha, hedhja e pushtuesve italiane ne det dhe Kongresi I Lushnjes, treguan se populli ishte ne nje periudhe pjekurie e kerkese konkrete per konsolidimin e shtetit, pas luftes se pare bot, e sidomos pas kong te Berlinit, qe e coptoi aq keq.
    Udheheqesit e kesaj periudhe ishin njeres te pjekur si Sulejman Delvina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri etj nuk ishin njeres te terrorit, si kerkon shkrimi te paraqese aktin e Avniut.
    Ata kerkonin te forcohehej Shqiperia e drobitur pas 500 vite te tmershme roberie.
    Prandaj akti i Avni Rustemit ishte Heroik, dhe prandaj ate e vrane jo per hakmarrje, njeriu i Esadit, ate e vrau Ahmet Zogu, se roli i tij kishte shume peshe ne parlamentin e kohes. Dora ishte, ndoshta , kriminel I bandes se esadit.
    Kete fakt shkruesi duhet ta njohe mire ,se ndryshe duhet te mos i futet kesaj historie.
    Avni Rustemi do te jete kurdohere figura e heroit popullor, trimit qe I mungon sot Shqiperise, ashtu si mungojne dhe shoket e tij te idealit.

  4. Legjende says:

    LEGJENDE! Si nuk bene me nena keshtu djemsh? Nje njeri qe pervec trim te jete dhe kaq inteligjent dhe burreror!!! Lexoni me vemendje Avni Rustemi kishte PRONA NE JANINE, e luftonte per Clirmin e EPIRIT NGA GREKET!! Nderkohe shih si shprehet avokati frances ” Esat Pasha ishte miku yne ( i francezve pra) qe u largua na Austriaket e ka punuan per shpetimine e USHTRISE SERBE, dhe per kete e dekoruam”> Pra francezet si perhere kundra shqiptareve e pro-serb. Legjende je AVNI RUSTEMI! NENA s’ka bere me te dyte.

  5. Edi NYC/USA says:

    Kombit Shqiptar po i mungojnë herojtë si Avni Rustemi sot më shumë se kurrë ku tradhëtia ndaj Kombit e Sali Berishës/Lulëzim Bashës, si dhe një sërë lapanjozësh mbetet pa u ndëshkuar.
    A do i dali Kombit Shqiptar përsëri një hero i tillë si Avni Rustemi?
    Tradhëtia ndaj Kombit mbetet e pa ndëshkuar si nga administrata SHTETËRORE aktuale ashtu edhe nga individi “HERO”.

  6. Vlora 9 says:

    Jo me kot kryelegjenda shqiptare Enver Hoxha i dha titullin e laret hero i popullit legjendes Avni Rustemi. Jo me kot ne ate kohe shume shkolla e sheshe moren emrin e tij .Jo me kot per te u ngriten monoumente ne shqiperi,jo me kot i vuri shkrimaret dramaturget e regjizoret te ngrinin ne art vepren e tij. Ishte koha kur lartesoheshi martiret e kombit nen kujdesin peresonal te vete Enver Hoxhes kurse sot eshte koha kur armiqte e popullit dekorojne e u ngrene monumente armiqeve te popullit si kryetradhetarit Ahmet Zagolli veper e kryer nen kujdesin personal te Ilir florirt e Sali B…

  7. Shahisti says:

    Nuk eshte gje tjeter vecse nje vrasje politike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje