Fatos Klosi: Si duhet të reformohet SHISH, Berisha e ka përdorur për interesat e veta. Pse nuk mund të unifikohen shërbimet inteligjente

13 Gusht 2017, 11:40Politika TEMA

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, një nga zërat më aktivë në politikën shqiptare, jep detaje se si duhet të reformohet institucioni më i lartë i spiunazhit dhe komenton ligjin e ri për këtë drejtori.

Fatos Klosi thekson se shërbimet inteligjente nuk kanë nevojë të unifikohen, por të nxirret një ligj i veçantë për bashkërendimin e tyre. Ish-kreu i SHISH thotë per ‘sot’ se çdo sektor duhet të ketë shërbimin e vet, i cili duhet të funksionojë në mënyrë të ndryshe nga tjetri.

“Nuk ka nevojë për unifikim të shërbimeve, por për bashkërendim të punës së shërbimeve inteligjente. Mirë është të ketë shërbime, ku secili të ketë detyrën e vet. Të gjitha shërbimet që ekzistojnë janë pjesë e ekzekutivit. Mund të rregullohet me një ligj të veçantë mënyra sesi duhet të bashkëpunojnë këto shërbime. Mirë është të ketë më shumë shërbime.

Çdo sektor ashtu si edhe në botë kanë shërbimin e vet. Ministria e Brendshme ka Policinë kriminale, ka SHKB. Shërbim quhet çdo institucion që zhvillon punën operative. Në sektorë të ndryshëm detyrat janë të ndryshme, nuk ke pse t’i unifikosh. Bashkëpunimi duhet të jetë më i mirë. Kjo është tentativë për të sajuar ligje, sepse duan të mbulojnë përgjegjësitë”, u shpreh Klosi.

Deputetët e Komisionit të Sigurisë kanë shfaqur kritika se SHISH ka dalë jashtë kontrollit, dhe ligji i ri do ta fusë në shina këtë institucion. Fatos Klosi u shpreh se SHISH është i kontrollueshëm, por Parlamenti nuk ka ditur ta kontrollojë.

Dhe për të mbuluar paaftësinë, po bëjnë një ligj të ri, ndërkohë që ligji aktual është shumë serioz. “SHISH nuk është i pakontrollueshëm, por Parlamenti nuk ka ditur ta kontrollojë. Të tria shtyllat e pushtetit që janë në Shqipëri, e kontrollojnë SHISH. Kryeministri e ka në varësi direkte.

SHISH ka një inspektor të brendshëm i cili sheh çdo gjë që ndodh aty. Nëse drejtori i SHISH nuk e lë inspektorin të shohë diçka, ai duhet të informojë kryeministrin se përse nuk e lë. Presidenti nuk e përdor dot informacionin e SHISH, nuk jep urdhra presidenti. Të gjitha metodat operative të SHISH marrin firmën e prokurorit, si përgjimet. Parlamenti e kontrollon nëpërmjet komisionit”, u shpreh Klosi.

Ai tha se ligji aktual është tepër serioz dhe e ka kaluar SHISH në një institucion informativ.

“Ligji që është në fuqi është një ligj kuadër, i cili tregon objektivat dhe mënyrat si është organizuar SHISH. Në parimet e përgjithshme, ligji është normal. Ky ligj e kthehu shërbimin në një shërbim informativ, pa kompetenca ekzekutive. SHISH nuk arreston më.

Ky ligj u bë në kuadrin e ndryshimeve të mëdha në ’97, nga shërbimet partnere, kryesisht partneri amerikan. Ligji u kalua në të gjitha NGO e Shqipërisë në atë kohë. Për mua është ligj serioz. Nuk mund t’ia hedhësh fajin ligjit për defektet që mund të ketë shërbimi”, thotë Klosi.

1 komente në “Fatos Klosi: Si duhet të reformohet SHISH, Berisha e ka përdorur për interesat e veta. Pse nuk mund të unifikohen shërbimet inteligjente”

  1. Flamur says:

    Kriminelët, trafikantët, skafistët e hajdutët e parlamentit duan të vënë nën kontroll SHISH që të jenë të lirë të bëjnë ç’të duan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje