Gjermania ndërhyn për të zgjidhur ngërçin e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë

14 Shtator 2017, 17:13Ekonomia TEMA

Qeveria Federale e Gjermanisë ka dorëzuar një kërkesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës në lidhje me statusin e operatorit të transmetimit të Kosovës, mosmarrëveshje që ka bllokuar funksionimin e linjës së re të interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Nga Gjergj Erebara

Ministria e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit të Gjermanisë ka kërkuar në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vienë të vendosë në lëvizje Qendrën për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve dhe Negociatave për të lehtësuar komunikimin mes Serbisë dhe Kosovës për mosmarrëveshjen e vjetër mes operatorit të transmetimit të Serbisë, EMS dhe operatorit të transmetimit të Kosovës, KOSTT, bëri të ditur Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vienë përmes një njoftimi për shtyp. Sipas njoftimit, Ministria Gjermane e Bashkëpunimit Ekonomik “është veçanërisht e shqetësuar për shkak se kjo mosmarrëveshje po pengon investimet në sektorin e energjisë në rajon dhe po bllokon integrimin e tregut rajonal të energjisë në Ballkanin Perëndimor”.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë është një zyrë rajonale me qendër në Vienë që ka për detyrë zbatimin e Traktatit të Athinës, i cili parashikon një treg të përbashkët energjetik mes Ballkanit dhe Bashkimit Europian. Traktati është nënshkruar në Athinë në vitin 2005.

Banka Gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim KfË ka financuar pjesën më të madhe të kostos së ndërtimit të një linje interkonjeksioni që lidh sistemin elektroenergjetik shqiptar me sistemin elektroenergjetik të Kosovës. Linja, e cila ka kushtuar 75 milionë euro, kërkoi shumë vite për t’u ndërtuar dhe shumë vonesa. Ajo u inagurua me fanfara në qershor 2016, por pavarësisht se është gati prej mëse një viti, nuk është vënë në punë për shkak se Serbia nuk njeh operatorin e transmetimit të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT dhe ka të drejtë vetoje në rrjetin europian të operatorëve të transmetimit ENTSO-E. Shqipëria dhe Kosova janë duke humbur miliona europërfitime potenciale nga mosfunksionimi i linjës, ndërsa Serbia e ka kushtëzuar njohjen e KOSTT si entitet të veçantë me dhënien e një licence për shpërndarjen e energjisë elektrike në Mitrovicën e veriut brenda territorit të Kosovës.

Qeveria shqiptare është ankuar më herët në Sekretariatin e Energjisë në Vienë dhe në tetor 2016, Serbia u shpall fajtore për shkeljen e Traktatit të Athinës dhe iu kërkua të lirojë rrugën brenda dhjetorit 2016. Megjithëse dhjetori kaloi, Serbia nuk iu bind kërkesës dhe as nuk u ndëshkua për shkeljen për shkak se ndëshkimi duhet të vijë në formën e masave politike nga ana e këshillit të ministrave të Komunitetit të Energjisë.

Sipas njoftimit për shtyp, Sekretariati i energjisë “do të kontaktojë qeveritë e Serbisë dhe Kosovës dhe do të organizojë procesin e ndërmjetësimit në të ardhmen e afërt”. Ndërmjetësimi nga Sekretariati nuk është lajm i ri për situatën. Gjithsesi, supozohet se kërkesa e ardhur kësaj here nga qeveria Gjermane do të mund t’i japë zgjidhje problemit.

Funksionimi i linjës së interkonjeksionit mund t’i hapë rrugën një bashkëpunimi më të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë në sektorin e energjisë elektrike me përfitime të ndërsjellta financiare për të dyja vendet.

4 komente në “Gjermania ndërhyn për të zgjidhur ngërçin e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë”

  1. dum-dum says:

    Më mirë mos funksionojë linja me Kosovën, sepse pastaj do të shikoni që do të fillojmë t’i japim energji “patriotike” Kosovës, me paret tona dhe duke e hequr nga vetja…(sidomos në zona rurale që të mos bjerë në sy…) Ky çorapekuqi ynë, “është i aftë” për këto gjera…!

  2. Lalai says:

    Po po do jepet o Dum Dum por jo pa lekë….!
    Do nënshkruhet pa lekë se Thaci paret do i coje ne Panama ne llogari.
    Ketej do jepet per patriotizëm……andej do paguhet për Patriotizëm….dhe paguajne 5 mil qypa te Albanistano Kosovo

  3. Arber says:

    Dum dum dhe Lalai!
    300 miljon euro fiton Serbia ne kurriz te Shqiperise dhe Kosoves duke penguar funksionimin e linjes. Prandaj kundershton qe cdo vit te vjele shqiptaret. Me vumjen ne funksion te linjes ato para mbeten ne mes Shqiperise dhe Kosoves. Ju nuk e dinit se ndryshe si do shkruanit ashtu?

  4. Kuq e zi says:

    Mekot e ka BE vetem kur ta ve serbine para nje zgjidhje do kete seriozitet prej saj
    deri atehere prit gomar te mbij bar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje