Ashpërsohet lufta e fjalëve midis Trump dhe diktatorit korean

22 Shtator 2017, 19:42Bota TEMA

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se fjalimi i presidentit amerikan, Donald Trump, para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e ka bindur atë se ka të drejtë të zhvillojë armë bërthamore.

Kim tha se Trump “do ta paguajë shtrenjtë”, pasi ka deklaruar se SHBA do ta “shkatërrojë tërësisht” Korenë e Veriut, nëse ajo paraqet kërcënim për të ose aleatët.

Trump u përgjigj, duke thënë se “njeriu i sëmurë do të tesohet si kurrë më parë”.

Dy vendet janë përfshirë në një retorikë edhe më të urryer në muajt e fundit.

Kina ka reaguar ndaj luftës së fjalëve, duke paralajmëruar se “situata është e komplikuar dhe e ndjeshme”.

Rusia po ashtu ka bërë thirrje për përmbajtje.

Koreja e Veriut, vetëm në shtator, ka testuar një bombë të dyshuar hidrogjeni dhe një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi.

Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong-ho, i cili më herët e ka krahasuar fjalimin e Trumpit me “zhurmën e një qeni që leh”, paralajmëroi se Phenjani mund të testojë një bombë hidrogjeni në Oqeanin Paqësor, në përgjigje të kërcënimit nga presidenti amerikan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje