Veliaj: Fund mësimit me dy turne, do ndërtojmë dhe 16 shkolla të reja

27 Shtator 2017, 10:15Sociale TEMA

Kryerbashkiaku Erion Veliaj deklaron se falë miradministrimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës dhe mbledhjes së të ardhurave, është realizuar përmirësimi i infrastrukturës së institucioneve arsimore, duke ofruar klasa, laboratorë dhe kënde sportive të përshtatshme.

I ftuar në Neës 24, Veliaj deklaroi se në pjesën më të madhe të shkollave i është dhënë fund mësimit me dy turne. “Deri  tani jemi në gjysmën e mandatit dhe është arritur gjysma e premtimit, pra nga gjimnazet që kemi pasur mbi 10 me dy turne, sot kemi vetëm dy, kemi vetëm “Sami Frashërin” dhe “Ismail Qemalin”.

Mbaj mend çfarë tmerri ka qenë “Qemal Stafa”, sot shkolla është dyfishuar, është dita me natën. Nëse ke parë shkollën e re them që është dita me natën. Investimi në infrastrukturë, por edhe disiplinimi kulturor. Me Portalin “Mësues për Shqipërinë”, më të mirët po shkojnë tek shkollat e reja”, tha ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se investimet kanë prekur edhe ato shkolla që ndodhen në periferi të qytetit. Veliaj theksoi se shumë shpejt Bashkia do të fillojë ndërtimin e 16 shkollave të reja që do të zgjidhin problemin edhe për vitet e ardhshme.

“Sot me shkollën e re në Kombinat “Betim Muço” është shfryrë një pjesë e madhe e mësimit me dy turne në Kombinat, me shkollën e re te njësia 4 dhe Bregu i Lumit “Ardian Klosi” është shfryrë një pjesë e madhe e atij stresi, me shkollën e re “Hasan Tahsin” që u ndërtua nga e para tre herë më e madhe, është ulur fluksi tek “Fan Noli” dhe tek shkolla e Kuqe dhe me disiplinim , shkollat kombëtare Liceu dhe shkolla e Baletit, shkolla e re Kosova që mbaron këtë vit dhe 16 të tjera që do fillojnë”, u shpreh Veliaj, ndërsa u bëri thirrje prindërve që të dërgojnë fëmijët në shkollat e reja.

Duke u ndalur në investimet në institucionet arsimore, Veliaj u shpreh se ndërhyrje janë realizuar edhe në shkollat në zonat rurale të cilat ishin lënë në harresë për vite me radhë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje