“Mund të bëhesh çfarë të duash në jetë, profesioni nuk ka rëndësi, mjafton të jesh gjithmonë e para”. Do të ishte ky postulat, udhërrëfyesi për gjimnasten e shkollës së mesme “Hasan Tahsini”, në Sarandë, para çeljes së studimeve të larta. Standardet për të qenë një profesioniste dhe për të punuar e shkëlqyer në çdo sektor duhet të ishin shumë të larta, ndërsa pritshmëritë duhet të ishin më të ulëta, për të menaxhuar në çdo rast zhgënjimin. Realizmi socialist përzgjidhte studentë sipas nevojave të atdheut, hapësira për të ëndërruar dhe dëshiruar nuk ishte si sot.
“Babai im ishte inxhinier, nëna mjeke pediatre. Në vitet ’70, familja ime do të duhet të shpërngulej në Sarandë. Në atë kohë unë ndiqja shkollën e mesme në gjimnazin e njohur të Tiranës “Sami Frashëri”, mesatarja e vitit të parë 10. Më pas tre vitet e tjera i bëra në gjimnazin e Sarandës. Ishte shkollë e fortë, edhe më e fortë se “Sami Frashëri”. Për të marrë 10 duhet të punoje shumë, mësuesit ishin shumë të përgatitur, nxënësit e këtij gjimnazi për vite me radhë kanë qenë ndër nxënësit më të mirë që konkurronin vazhdimisht në Olimpiada”,- tregon Mira Racakolli për Dritare.net, një nga mjeket më të njohura neurologe në vend.
Për më shumë se tre dekada ajo punon si mjeke dhe për rreth 25 vjet si pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë.
Në vitin 1978 nxënësja e gjimnazit “Hasan Tahsin” do të përfundonte maturën me mesatare 10 absolute dhe do të duhet të shënonte tre degë të dëshiruara, për vijimin e studimeve të larta.
“Më pëlqenin shumë shkencat ekzakte, më pëlqente shumë matematika, doja të bëhesha inxhiniere. Vendosa të shënoja të parën në listë inxhinierinë elektronike, inxhinierinë mekanike dhe më pas, nuk dija çfarë. Babai im inxhinier më tha: Mira vendos edhe degën e mjekësisë, mjekësia është e bukur. Asokohe, viti ’79 kishte vetëm një të drejtë studimi për inxhinieri, qyteti i Sarandës do të shpërndante vetëm një bursë në Universitetin Politeknik, kështu që unë do të ndiqja mjekësinë”,- kujton për Dritare.net doktoresha.
E çuditshme, një mjeke neurologe aspak e sertë, aspak burrneshë ashtu siç krijohet mendësia për gratë që punojnë në sektorë të vështirë dhe mes vështirësive të njerëzve.
Një doktoreshë aspak e vrazhdë, gojëmbël, me një zë të butë e të qetë, e buzëqeshur për pacientët dhe humor të hollë për kolegët e bashkëpunëtorët.
Mira Rakacolli njihet si gruaja që nuk ka rrugë të mesme, o e bën diçka o nuk e bën.
“Kështu ka qenë gjithmonë profesoresha, nuk të ushqen asnjëherë iluzione të kota, kur merr përsipër diçka e çon deri në fund, nëse të premton e mban, nëse të thotë, jo, domethënë është diçka që s’mund të bëhet”, -tregon për Dritare.net Vera, një nga bashkëpunëtoret e saj.
“Doktoreshë Mirën e kërkojnë vazhdimisht pacientë dhe familjarë. Ajo edhe sikur mos të bëjë konsultë, mjafton që të pret, të dëgjon, përpiqet të të vendosë në komodit dhe konfidencë, për të folur dhe për të arritur një konkluzion. Kjo duket se i qetëson pacientët. Unë gjithmonë i referoj pacientët te ajo”,- tregon një mesogrua që qëndron jashtë derës së dekanes. E pret të fiksojë një konsultë për një të afërmin e saj.
Zonja e luleve
Jashtë derës së zyrës e presin pedagogë, mjekë të njohur, studentë, prindër. Futemi brenda. Zyrë e zakonshme e një titullari, është e lyer me të bardhë, por aromë gruaje dhe lulesh erëmira.
Kudo ka lule, të freskëta, trëndafila klasikë, vazo dhe një kolazh modern, 55 rosas alba të thara.
“Kam pasion për lulet, kështu ka qenë gjithmonë. Në zyrë kam lule, kujdesem për to, shpesh m’i dhurojnë duke ditur dobësinë që kam për to. Në shtëpi kam shumë, kopshti i orkideve është i parapëlqyeri im”.
Një mjeke, akademike, profesoreshë pak autoritare me studentët, që ka pasion lulet, letërsinë dhe shkrimtar të preferuar Stefan Cvajg.
“Letërsia më ka pëlqyer gjithmonë, librit nuk i jam ndarë asnjëherë, kam shumë autor të preferuar por Cvajgu më pëlqen sepse mendoj se si ai nuk e njihte askush botën e gruas, psikologjinë e gruas, kjo është arsyeja pse më pëlqen”,- thotë Rakacolli për Dritare.net.
Zonja mirënjohëse
Zyra e saj është e mbushur me libra, letërsi, këndi profesional, dosje të tëra me shkresa e procedura burokrate. Një doktoreshë tepër dashamirëse ndaj të bukurës, adhuruese e artit, por edhe krijuese. Në faqen ballore të murit, rrethuar nga të tre anët me lule qëndron një vepër e vërtetë arti. Instalacion me 59 studentët e parë të fakultetit të mjekësisë. Mes tyre qëndron gruaja më e dashur për dekanen që gjithë jetën i ka qëndruar si çekan, mjekja pediatre Afërdita Gusho, nëna e Mirës.
“Këtë fotografi me këta mjek të njohur që kanë dhënë një kontribut të mira 10jashtëzakonshëm që kanë themeluar mjekësinë shqiptare, prej të cilëve trashëgojmë libra, përvojë, shembuj por edhe ndjejmë mirënjohje dhe përgjegjësi për të ecur në gjurmët e tyre, e shoh çdo ditë dhe ndihem mirënjohëse. Çdo ditë të gjithë ata dhe në mënyrë të veçantë nëna ime më duket sikur më shohin nga larg, më vëzhgojnë, më pyesin dhe më kërkojnë llogari. Kur i shoh, vendosem përpara përgjegjësisë, a thua të kem qenë mjaftueshëm e saktë? Pyes veten nëse i kam bërë gjërat shumë mirë, nëse kam punuar aq sa duhet. Nëna ime gjithmonë më thoshte: “Nuk ka rëndësi çfarë bën në jetë, çfarë bëhesh në jetë, mjafton të jesh më e mira në fushën tënde”,- tregon për Dritare.net.
Ky postulat e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, i vendosur si një slogan në krye të çdo pune.
“Këtë jam munduar të bëj në jetë, t’i them vetes si profesioniste dhe si mjeke se duhet të të marr seriozisht gjithçka dhe të mos i zgjoj njerëzve shpresa të rreme.”
Zonja që kapërceu tre kodra
Mira Rakacolli do të bënte betimin e Hipokratit në vitin 1984, do të vishte bluzën e bardhë menjëherë dhe e sapodalë nga bankat e shkollës do të nisej në Mirditë si mjeke e përgjithshme.
“Në jetën time do të mbaj mend shumë gjëra, shumë pacientë, ndodhi nga më të ndryshmet, por s’mund të harrojë asnjëherë pasi mbarova studimet për mjekësi me mesatare 9.7, më çuan si mjeke në veri.
Aty ku punoja, nuk kishim as mjete, as pajisje. Isha studente e mjekësisë së përgjithshme, por duhet të punoja edhe si patologe, edhe si pediatre, edhe si gjinekologe, pavarësisht se këto nuk ishin fusha ime.
Dila ishte njëra nga bashkëpunëtoret e mia, me profesion mami. Nuk do të harroj kurrë që një ditë na njoftojnë se një grua ishte bërë gati për të lindur. Në atë kohë nënat shpesh lindin në shtëpi. Bashkë me Dilën me të marrë njoftimin kapërcyem tre kodra, mjerim i tejskajshëm.
Atje nëna e re kishte lindur binjakë. Unë dhe Dila nuk kishim qenë në gjendje të diagnostikonim dy zemra që rrihnin në barkun e nënës. Nuk kishim as pajisje, unë nuk kisha përvojë. Mbaj mend që kur asistoja në lindje për t’i paraprirë vështirësive, apo të papriturave, mbaja me vete librin e profesor Gliozhenit, më kujtohet si tani, kafe me shkronja të verdha.
E pyeta të zonjën e shtëpisë me kureshtje, si ka mundësi që jetoni kaq larg, tre kodra për të ardhur në këtë shtëpi?! Mu përgjigj se ishte një vend i mrekullueshëm dhe ata ushqeheshin me frutat e pemëve që rrethonin shtëpinë e tyre plot me fëmijë.
E ndihmuam gruan që sapo lindi dy binjakë, u kujdesëm për kërthizat e tyre në kushtet e shtëpisë dhe u larguam, kapërcyem sërish tre kodrat për t’u kthyer në Rrëshen.
Njëri prej binjakëve pati probleme shëndetësore dhe unë asokohe e ndihmova për ta sjellë në Tiranë. Kur u ktheva në kryeqytet dhe sapo kisha nisur në Shërbimin e Neurologjisë, më njoftuan se dikush kishte ardhur të më takonte. Ishte gruaja që jetonte pas tre kodrave. Tepër mirënjohëse ajo s’më kishte harruar dhe më kishte sjellë dhuratë rrush nga i pemëve të saj.
Është një histori që në thelb ka mirënjohjen dhe me të vërtetë që më bën të ndihem mirë për punën dhe sakrificat e bëra gjatë punës”,- rrëfen kandidatja për rektore në universitetin e Mjekësisë.
Zonja që beson të rinjtë
Neurologia Mira Rakacolli, gjatë një fjalimi në ceremoninë e diplomimit të studentëve, krenare për këtë profesion iu drejtua të rinjve:
“Nuk ka shpërblim më të madh se besimi i pacientëve, ata që të besojnë hallet, ju do të përjetoni admirimin në sytë e njerëzve për kujdesin që do të tregoni. Do të provoni respektin e tyre edhe kur vdekja të ketë fituar sepse ju i keni shërbyer jetës.”
Mirënjohja duket se është një nga emocionet më të rëndësishme për dekanen. Edhe letra e disa studentëve , botuar në një të përditshme pak kohë më parë është dhurata më e bukur që mund t’i kenë bërë.
“Më pëlqen shumë brezi i ri, janë kaq pa komplekse, mund të bisedosh me ta, janë kaq të mençur, më vjen mirë që kanë edhe kaq shumë mundësira, teknologji, gjithçka e kanë në telefon ndryshe nga ne. Më vjen mirë që është një brez që ka studiuar jashtë, për të cilët prindërit kanë investuar në shkollim, kualifikim dhe ata kanë punuar shumë, herët apo vonë do të jenë ata që do të marrin frenat në dorë dhe do të çojnë përpara mjekësinë shqiptare”,- shpjegon Rakacolli. Në fakt doktoresha ka të drejtë, në Shqipërinë e pas viteve 1990, brezi i kaluar, në çdo sektor, mjekësi, universitet, jurisprudencë, arkitekturë, media, biznes e kudo, përpiqet me çdo kusht të çimentojë edhe tek të rinjtë mendësinë për të qenë vetë në krye dhe për t’i përdorur të, pa i shpërblyer asnjëherë, madje duke i lënë anonime.
Zonja e Bibliotekës
“Në tetor të vitit 2014, e kam gjetur fakultetin me 1 milion euro borxhe, ndaj të tretëve dhe me profesorë e pedagogë të papaguar për punën e tyre. Sallat e mësimdhënies, kujtoj sallën e infektivit ishte me tavan të rënë. Duke shfrytëzuar edhe njohjet personale arrita të përmirësoj infrastrukturën, të shlyej të gjitha borxhet e institucionit dhe arrita që pak katër vitesh bllokimi të shkrij procesin e specializimeve, aq të dashur për të gjithë studentët e mjekësisë,” -tregon Rakacolli.
Ajo thotë se ka qenë një punë voluminoze e bërë nga një grup ekspertësh, më të mirët të krijojë fondin e pyetjeve, 8 mijë pyetje. Kanë qenë një grup pune prej 20 personash që kanë punuar me mish e me shpirt për këtë proces kaq të rëndësishëm.
“Jam krenare që kam krijuar një databazë, një proces të tërë, kam futur në mekanizëm procesin e specializimeve, gjithçka është gati për t’u vijuar më tej. Jam krenare që kam ndryshuar mentalitetin dhe kam kthyer besimin te studentët dhe që ata sot mendojnë se edhe po nuk e fituan këtë vit specializimin, po të mësojnë më shumë do ta arrijnë vitin e ardhshëm dhe do të marrin atë që duan dhe që meritojnë”,- tregon Mira. Sipas saj, është shumë e rëndësishme puna në grup dhe kjo është një aftësi që ajo e ka dhe të tjerët ia njohin për vlerë.
Më 24 nëntor të 2015, pikërisht studentët do të bënin publik falënderimin e tyre për hapjen e specializimeve pas 4 vitesh bllokim.
Një dhuratë me iniciativën dhe frymëzimin e Rakacollit për studentët është Biblioteka që është ngritur në fakultet, ku secili prej mjekëve të ardhshëm të gjerbë një kafe edhe të konsultojë literaturën që i nevojitet.
“Në kulmin e bumit të informacionit, krijuam këtë bibliotekë online, studentët mund të kenë akses në HINARI, njohuri për kërkimet dhe fashikujt në programet shëndetësore, mund të gjejnë protokollet përmbledhëse të diagnostikimit të sëmundjeve të abdejtuara kohë pas kohe. Këtë e bëra falë një donacioni. Shpesh më kujtohet profesori ynë Xhavit Gjata, i shkolluar në Francë, i cili na jepte informacione në mënyrë tepër të mençur.
Na fliste për neurologjinë duke bërë shpjegimet e duhura dhe më pas thoshte: “Se ç’është një Frojdi, Frojdi që e shpjegon në këtë mënyrë këtë proces, por realizmi socialit na mëson….” Kush ishte i mençur e kapte mesazhin e koduar, ne kaq kishim mundësi, sigurisht profesorët tanë kanë qenë të shkëlqyer me formim evropian, por sot të rinjtë mjafton të kenë dëshirë, ta duan librin”- rrëfen për Dritare.net
Zonja e Hipokratit!
“Jam krenare që pavarësisht rezistencës apo gjithçkaje, në fund tentativat për t’i dhënë fund korrupsionit dhe për të rikthyer besimin te studentët, janë përpjekje të mira.”
Shumë interesant është fakti që çdo herë që çelet Viti Akademik, mjekët e vitit të parë me iniciativë të Rakacollit të veshin bluzën e bardhë dhe para se të nisin leksionin e parë të mjekësisë, të bëjnë betimin e Hipokratit.
“Ka rëndësi ta bëjnë në fillim të studimeve jo në fund, është shumë emocionuese për mua”, tregon Mira.
Çdo ditë ajo gdhihet me energji të reja, me pozitivitet dhe kërkon që bashkë me një grup profesionistësh të kualifikojë studentët njësoj siç kanë bërë profesorët e saj me të.
Por ka ajo ndonjë merak, si mjeke, nënë e grua?
“Zgjidhja ime ka qenë për të lënë çantën time me halle në portën e punës, kur mbaroj, dal dhe e marr sërish, për ta çuar në shtëpi. Ndryshe nuk ia del dot të jesh e vëmendshme. Gjithmonë jam rritur me frymën e dy prindërve që vetëm punonin dhe punonin.
Kjo është fryma ime, kjo është mënyra ime. Të mendoj, të punoj, të jetoj kështu. Kam një djalë, ai jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është jeta ime!”
A është Mira Rakacolli në paqe me veten? Ajo është doktoreshë Mira, nuk ka paqe për gratë si ajo, ka edhe një hap, edhe një çap, edhe një vrap drejt perfeksionit. Çfarë fati ta njohësh këtë zonjë!/Dritare.net/
Shkrimi është botuar në Dritare.net në 3 prill 2016, kur Mira Rakacolli kandidonte për postin e Rektorit të Universitetit të Mjekësisë. Po e risjellim tani që doktoresha u rikonfirmua si zv/ministre në qeverinë Rama 2.
kesaj i paska ngel filmi akoma te mesatarja, sot neurologet kane master ne robotike moj e dashur.
po ti mor shoku, ku e ke masterin, ne gjithologji?
e vetmja merite e kesaj zonje eshte se”kuron” kurizin e semure te E.Rames ,se per te tjerat eshte vajmedet,koruptuar deri ne palce, rushfetxheshe e thekur…..
Me keso njerez behet Shqiperia..!
Rar
respekte per babane tuaj Zef Rakacollin shkencet
nga ing Haxhi Musaj sr
Per njerezit qe nuk kane konceptin e intelektualit te mirefillte ose kane ligesine mund te flasin si keta mesiper. Kjo eshte nje nga ato qe duhet te drejtonte Shqiperine ne gjithe keto vite qe e kane shkateruar cdo gje te mire dhe jo anadollaket.. Urime qeverise se me mire do te behet Shqiperia. Boll me venien e gureve nen rrota…….o ligesira te gjalla
Urime per kete zonje te nderuar! Nje nder dhe privilegj per qeverin Rama 2.
na tregoni ne dini gje se kush eshte zevendes ministra e jashteme, konkurs?
Te lumte Mira. Je doktoreshe fantastike, qe sheron edhe me fjale.
Urime dhe pune te mbare ne detyren e re.
Lau borxhet kjo……prandaj nuk ka banja ku te dhjesin dhe te shurrosin studentet tek Fakulteti Mjekesise.Edhe dritare nuk ka? vaj me det
Te lumte Edi Rama qe zgjodhe njeriun e duhur per kete post .Une prinderit e saj i kam njohur kur ishja farmaciste ne Sarande.Mamane e Mires e kujtoj me shume mall e respekt.Une moj Mira nga zemra te uroj te kesh jete e shendet qe njerzimit sa me shume ti sherbesh.Gjithashtu uroj qe djali juaj te kete shendet dhe shume suksese ne jete Kur te kete ndonje rruge ketej nga Nju Jersey e ka deren te hapur ne shtepine tone.Zoti e bekofte familjen tuaj.Me shume respekt.
Mira Rakacolli dhe Dhimo Kote emerime te mrekullueshme te Qeverise! Prirje qe e pershendes!