Kur bëjnë muhabet një shqiptar dhe një serb

9 Tetor 2017, 10:56Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Një organizatë ndërkombëtare dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Beograd patën një ide. Mund të mendojnë se ishte ide gjeniale. Të mbështesim dialogun mes gazetarëve, analistëve, publicistëve e kolumnistëve nga Beogradi dhe Tirana. Të zgjedhim «njerëz të civilizuar» që flasin për vendet e tyre, që shpalosin të këqijat dhe shquajnë të mirat. Pak a shumë ky duhet të ketë qenë synimi. Mund të merret me mend se autorët nuk shkruajnë pa para. Dhe kjo është në rregull. Meqë mediat gjithkund në Ballkan kanë probleme të mëdha financiare, çdo përkrahje monetare që marrin nga organizata ndërkombëtare është e mirëseardhur.

Kur u rregulluan këto formalitete, debati filloi. U gjetën dy kolumnistë, një në Beograd, tjetri në Tiranë. Mënyra se si ata shkruajnë, i bën të duken si qortues suprem të kombit. Kjo është një barrë e rëndë, punë e mundimshme, torturë. Supet e gazetarit nuk e mbajnë këtë barrë. Gazetarët mund të kritikojnë fenomene shoqërore, politikanë, oligarkë, mund të zbulojnë afera ryshfeti. Por, të qortojnë kombin, të metat e tij, kjo është, siç u tha, barrë e rëndë.

Kolumnisti nga Tirana shkroi me humor të zi se në kryeqytetin e Shqipërisë të rrallë janë ata komentatorë politikë që e dinë emrin e ambasadorit rus, ndërsa të gjithë e njohin atë amerikan. Shqiptarët, shtoi ai, nuk e dinë as si duket kryediplomati rus në Tiranë. Në Shqipëri, vazhdoi ai, mbretëron një atmosferë antiruse. Edhe Edi Rama përshkruhet si i tillë, sepse në muajin shkurt i paskësh thënë një gazete revizioniste britanike: «Mos na lini, mos lejoni të biem në duar të rusëve».

Ndoshta ekzistojnë disa arsye përse në Shqipëri nuk është i njohur ambasadori rus. Sepse nuk flet për integrimin e Shqipërisë në BE, sepse po të kishte fuqi do e bllokonte hyrjen e Shqipërisë në NATO në vitin 2009, sepse interesat e Rusisë në Shqipëri nuk përputhen me ambiciet e shqiptarëve. Këto interesa janë përputhur gjatë çmendurisë komuniste, së paku deri në fillim të viteve ’60. Në epokën e demokracisë (së brishtë) janë të papajtueshme. Ndoshta ambasadori rus në Shqipëri nuk pëlqehet edhe për shkak të rolit të Rusisë në rajon, për shkak të refuzimit të Moskës për të pranuar pavarësinë e Kosovës, për shkak të përpjekjeve të Kremlinit për ta mbajtur në pushtet në Maqedoni partinë VMRO, një këmbësori politike e korruptuar dhe antishqiptare. Këto nuk janë gjëra që i bien në mendje gazetarit nga Tirana.

Pasi ai e ka hedhur topin në terrenin e kolegut të tij nga Beogradi, pason përgjigjja. Pas leximit të përgjigjes, s’mbetet gjë tjetër pos të thuash: mos qofsh viktimë e humorit të zi serb! Janë të pamëshirshëm në këtë drejtim, dorën në zemër edhe kreativë, cinikë deri në kupë të qiellit, fyes, arrogantë, ndonëse shpesh të aftë të mbështjellin arrogancën me mëndafsh.

Të kam thënë tashmë, shkruan gazetari nga Beogradi duke iu drejtuar kolegut nga Tirana, se ju shqiptarët (e Shqipërisë) së paku dy herë i keni fituar simpatitë tona: herën e parë kur nuk qëndruat duarkryq, por pas shembjes së firmave financiare piramidale rrokët armët, për dallim nga qytetarët e Serbisë të cilën nuk treguan ndonjë aftësi luftuese sa i përket kësaj çështjeje, dhe herën e dytë fituat simpatitë gjithëserbe, kur ia vodhët orën George W. Bushit. Sipas gazetarit nga Beogradi ky gjest shqiptar paskësh ndihmuar në relaksimin e antiamerikanizmit në Serbi.

Edhe kështu mund të zhvillohet debati. Në vitin 1997 në Shqipëri janë vrarë mijëra njerëz dhe vendi e humbi faktikisht pavarësinë: ushtria italiane hyri për ta shpëtuar Shqipërinë nga humnera, ndërsa negociatat për dalje nga kriza ish-kancelari austriak Franz Vranitzky i zhvillonte në një anije në Adriatik, sepse territori i shtetit shqiptar nuk ishte i sigurt. Armët që morën shqiptarët në kazerma të ushtrisë nuk ua kthyen paratë e humbura. Sa i përket orës së George W. Bushit: atë nuk e vodhi askush. Gjatë vizitës në Fushë Krujë ai e kishte futur sahatin e tij në xhep. Këtë më vonë e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i qeverisë së SHBA-së, Tony Snow. Por, kujt i interesojnë faktet, kur ato do e rrëzonin poentën? Kujt i interesojnë faktet, kur debati mes një gazetari serb dhe një shqiptar reduktohet në tallje me gjoja të metat e pashërueshme të shoqërive përkatëse?

8 komente në “Kur bëjnë muhabet një shqiptar dhe një serb”

  1. korçari says:

    KESHTU ESHTE KUR “Nje historiani” nga Skapari i eshte mbushur mendja apo tani po del se po ashtu portofoli te shkruaje gomarlleqe duke menduar se shqiptaret e pranojne gjuhen e tij “te pellitjes se gomarit” te me falin gomeret per krahasimin por nuk gjeta kafshe tjeter per t’a krahasuar .Ai pra Muçi duhet te dale njehere nga Skrapari pasi ka akoma bar te fresket per t’a kuptuar se eshte askushi i cili mendon se duke i vene pendet e shqiponjes SORRES kjo e fundit do te quhet shqiponje .Ruajna O ZOT nga “historianet”pa qene te tille .

  2. vang says:

    A e dini se sa preken shqiptaret nga ”levdatat” e gazetarit serb dhe se sa jane ne pergjthesi dakort, me ato qe thote Nano,kur duke menduar per vehten e tije se qendron siper mentaliteteve dhe origjinal ti ”lutet” serbit le te pranoje perkatesine serbe per nenen e Skenderbeut.Sa per Ambasaden Ruse ,mund te mos debatoje ne shtyp por nuk mbetet prapa ne aktivitetin e saje.

  3. Arrza says:

    Shume artikull i goditur z. Robelli. Muqi ka informacion per serbet sac ka per anijet kozmike, por arroganca dhe deshira e tij per tu dukur se ndalon qe ai te behet pjese e dicka qe s’e merr vesh.

  4. mirel says:

    Mucit mire ja beri se u kruajt shume pas bythes serbe me historine e nenes se Skenderbeut.
    Srrbi e trajtoi si qenie kaviatike e pazhvilluar..qe eshte tendence e frymes moderniste te Tirones, qe duan te hiqen si antifolkloriste

  5. Haka Tekizoti says:

    Robelli ka të drejtë në këtë rast. Janë zgjedhur dy vetë, të cilët duke u nisur nga ky yni, që e njohim, por edhe nga stili i njëjtë i shprehjes së mendimeve, nga cinizmi në shkrimet e tyre, nga pretendimi grotesk i tyre për të përfaqësuar të vërtetën e kombeve të tyre, duket që janë dy delirantë medemek mendjehapur, mbinacionalë, domethënë: internacionalë të thekur; ata që kanë marrë rolin e shoqatës së pajtimit të gjaqeve mes popujve. Deliri s’ka kufij; as injoranca, në këtë rast e ideatorëve dhe e sipërmarrësve të “projektit”.

  6. Dodona mbi Tomorr says:

    Gje me te bukur se kjo e gjen rralle ne shtypin tone , por ti ke marre vetem M.Nanon dhe ke harruar Sazan Gurin dhe Ilir Meten ,sepse i pari e quan Kombin tone se ka “fytyren e qenit” dhe i dyti tha” ndiqni shembullin tim”qe pasi vodha u bera president!?

  7. Dodona mbi Tomorr says:

    Gje me te bukur se kjo e gjen rralle ne shtypin tone , por ti ke marre vetem M.Nanon dhe ke harruar Sazan Gurin dhe Ilir Meten ,sepse i pari e quan Kombin tone se ka “fytyren e qenit” dhe i dyti tha” ndiqni shembullin tim”qe pasi vodha u bera president!?

  8. Baliu says:

    Serbet e kan nje thenje shum te qelluar per “njerezit” si Muqi: Nuk eshte i vetedijshem per pavetedijen e vet. Por me siguri ka gazetar shqiptar qe kan aftesi tua hedhin ftyres serbeve krejt cinizmin e tyre te “civilizuar” qe ne fakt eshte plotesisht i kopjuar nga diku tjeter.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje