Rama-Basha dhe pakti i ri sekret!

10 Nëntor 2017, 20:20Politika TEMA

Nga Alfred Peza

Ka një pakt të ri mes kryetarit të PS Edi Rama dhe atij të PD Lulzim Basha. Eshtë një pakt “sekret”, më i fshehtë, më i sofistikuar e i rafinuar se sa ai i arritur mes tyre në mesnatën mes 17 dhe 18 majit të këtij viti në ambjentet e Kryesisë së Parlamentit të Shqipërisë. Madje, një pakt shumë më ambicioz sesa ai që e nxorri opozitën nga çadra e bulevardit dhe çoi vendin drejt zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit. Njësoj si i pari, as për këtë nuk ekziston ndonjë dokument i shkruar, ndonjë firmë apo vulë e hedhur mbi të. Mungojnë ndërmjetësit e dëshmitarët gjithashtu. Kamerat dhe gazetarët po e po. E si të mos mjaftonin të gjitha këto, madje për këtë mungon edhe një takimi fizik mes tyre.

I pari që e ka zbuluar të gjithën këtë, që e denoncoi dha alarmin dhe e bëri publike, është ai kundër të cilit duket se edhe është adresuar ky pakt. A ju kujtohet se sa herë në seancën e fundit plenare të Parlamentit, Sali Berisha kërkoi e kërkoi disa herë me insistim, këmbëngulje dhe nervozizëm praninë në sallë të Kryeministrit Edi Rama? E kërkonte dëshpërimisht. E donte aty, ta kishte përballë. A ju kujtohet se çfarë tha? Se ai kishte disa kohë që ishte zhdukur! Që ishte fshehur. Që po i shmangej. Ç’farë nënkupton kjo në kodin e komunikimit të liderëve politikë e me përvojë si Ai? Se Edi Rama nuk dukej. Nuk përgjigjej. Nuk fliste. Nuk replikonte. Nuk kundërpërgjigjej. Nuk hynte më në polemika të drejtërdrejta me të.

Me një fjalë, Sali Berisha e ka kuptuar se Edi Rama ia ka hequr shikimin!

Se ç’farë do të thotë kjo shprehje, këtë më mirë se kushdo në këtë vend, e di ai që edhe e ka shpikuar, aplikuar, e ka bërë mënyrë të funksionuari dhe filozofi të komunikimit me vartësit, bashkëpunëtorët, kundërshtarët dhe me armiqtë e tij. E ai është as më pak e as më shumë, por Sali Berisha dora vetë. Ti heqësh dikujt shikimin, është shenjë e parë e madhe dhe kryesore se atë nuk e ke më në defter, në llogari, në listë me një fjalë. A e mbani mend sesi nisi largimi i Spartak Ngjelës përshembull nga Partia Demokratike? E dinë të gjithë në ambjentin politik dhe mediatik të Tiranës. Ditën që Berisha i hoqi shikimin, ai e kuptoi se nisi ftohja rreth e rrotull, menjanimi, mosfutuja në listat e kandidimit për deputet dhe në fund, erdhi edhe akti formal i largimit. Kaq mjafton për të kuptuar se si ka funksionuar edhe për shumë e shumë të tjerë.

Sali Berisha ishte i shqetësuar këtë radhë, sepse Edi Rama i ka hequr shikimin. Kjo do të thotë, se Kryeministri nuk e konsideron më si “homologun” e tij tek opozita, si “të barabartin”, “të singjashmin”, “simetrikun”, pikën e referimit të tij ish Kryeministrin. Këtë “privilegj” tashmë e gëzon vetëm Kryetari i PD, Lulzim Basha. Shikimi, fokusi, pika e referimit tashmë për liderin e mazhorancës, nuk është më lideri “de facto” por ai “de jure” i opozitës kryesore shqiptare. Ndaj, është kjo edhe arësyeja se përse prej disa kohësh, Edi Rama dhe Lulzim Basha replikojnë vetëm e vetëm me njëri tjetrin.

A doni prova për paktin e ri mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës? Mjafton përshembull që për këtë të shihni postimet e tyre në faqet zyrtare të facebook-ëve respektivë. Ku më e fundit, ishte debati i sotëm për median. Për gazetarët. Për lirinë e shtypit. Për raportin e tyre si politikanë dhe liderë politikë e drejtues të mazhorancës e opozitës shqiptare, me punonjësit e redaksive, reporterët, analistët, botuesit dhe pronarët e tyre. “Mos e harro, ta kam thënë shpesh, në publik po edhe sy më sy, kush i merr shqiptarët për budallenj e pëson dhe sa më shumë t’i bëjë për budallenj aq më keq e pëson! Çudi e madhe me ty o mik që nuk mëson”,- ishin fjalët e Edi Ramës për Lulzim Bashën.

Fjalë kofidenciale për dy liderë kundërshtarë ballkanikë. Një gjuhë e re, megjithëse ende e ashpër në brendësi dhe pa një adresim konkret, thelbësor, substancial për një çështje të caktuar që kërkon zgjidhje dhe kontribut të të dyja palëve. Por gjithësesi duhet inkurajuar si një qasje e re. Si një mënyrë e re. Një kulturë e re. Një fazë e re cilësisht ndryshe e diskurit të tyre politik në publik.

Pikërisht kjo është edhe marrëveshja e tyre e re. Kjo është kontrata e re. Pakti i ri “sekret” mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Një pakt që i bën ata të dy faktorët dhe aktorët realë e të vetëm të lojës dhe të skenës së madhe politike të Tiranës. Dy pikat e vetme të referimit në mazhorancë dhe në opozitë. Dy majat më të larta politike të Shqipërisë, që japin e marin mes tyre, në të mirë e në të keq, pa pengesa, interferenca, mbivendosje dhe zhurmues në mes. Sali Berisha ka arësye të ndihet i shqetësuar për këtë, sikundër edhe lidershipi i LSI.

Lulzim Basha tani që është rikthyer në sallën e Parlamentit. Ndodhet vetë aty çdo të enjte, në arenën kryesore të betejës politike të opozitës në një sistem demokratik. Duke patur një mundësi të re për tu ngjitur realisht në lartësinë e të qenit jo vetëm “de jure”, por edhe “de facto” lideri i vetëm dhe real i PD dhe opozitës shqiptare. Edi Rama ia zgjati edhe njëherë dorën e ndihmës dhe shpëtimit. A do ia dali që ta shfrytëzojë si duhet ai mundësinë e re këtë radhë? Varet vetëm nga Lulzim Basha nëse do të rezistojë deri në triumf, qoftë edhe me çmimin e heqjes së shikimit për të, nga Sali Berisha./AlpeNews.al

13 komente në “Rama-Basha dhe pakti i ri sekret!”

  1. adi says:

    Alfred
    Te gjitha i mora vesh o byrazer.
    Vetem nje gje nuk kam kuptuar nga ty une.
    1 milione $ si behen me rroge.
    Apo edhe ti kete hall ke te atyre prandaj te kane vene te besh palacon.

    1. Kaci says:

      Per ato 1 milione euro po punon. Nuk e sheh si i lepin torren Lulkarit dhe Edboles?

  2. Nadi says:

    Po bravo mor djalë!
    Çtë duhet parlamenti ty?
    Ti ke penën e artë!??

  3. LORA says:

    Qenka shndruar ne fallxhore ky fare gazetari.
    A behesh milioner duke hedhur falle ???? Pergjigjen duhet t’a dije vete. Alfredua.

  4. kalemi says:

    EDHE KY ESHTE NE LISTE per te hyre ne burg.hajdut ordiner..//

  5. Soni says:

    Po afer mendsh morr mister 1 million $ qe Sali Berisha ka ikur dhe marreveshja e 17 majit u be midis rames dhe bashes. Ca zbulimi qe paske bere morr burre?!!° Bravo te aofte

  6. mistreci says:

    O Fredi, analiza nuk eshte kronike e zeze. Mos vazhdo me te, sepse eshte sport i rende per ty. Dhe mos kujto se po i hyn ne zemer shefit me keto furça. Sepse, “Temen”, as vete Rama nuk e merr me seriozisht.

  7. Mero mos e qas kete peqinsin te rritur ne kaveje ne gazete, ta ben pis gazeten ky qimengrire me xhel. turp madh te nxjerresh emrin e tij ne gazeten tuaj TEMA nje gazete dinjitoze.

  8. Vajmedet says:

    Duke qene se ky e mbante veten per lekist te madh kushedi sa ia ka paguar Meroja kete pacavure. Ky mbetet kampion i budallallekut per menyren se si shpjegoi origjinen e 1 milione dollareve, nuk ia besonte dot as Sokol Balla. E shkreta zysh e matematikes cdo te kete hequr me kete.

  9. Ela says:

    Nuk e kuptoj se cfare te keqe ka dhe ose duhet te skandalizohemi?! Jane politikane, per kete jane votuar. Apo ja ndonje mendjeshkurter qe mendon se politika behet vetem ne televizor? Ne tere boten keshtu ndodh dhe eshte normale te ndodhe pasi populli nuk i njeh te gjitha mbrapaskenat dhe nuk duhet ti njohi se nuk eshte dot objektiv. Prandaj quhet demokraci perfaqesuese sepse zgjedhim politikanet te na perfaqesojne dhe kemi besim tek ta. Jam dakort qe s’besoj mund te jesh shume besim tek Luli, po ky eshte problem tjeter…

  10. idjoti i Bathores says:

    U NGRITEN KEMBET TI BIEN KOKES …..

  11. Kasem gahinji says:

    Dakord,te pelqen dhe shkruaj.por nje gje nuk morra vesh,ku eshte pakti sekret qe ke zbuluar.tamam si fejesa e mexhides qe zbulove.shko xhelos floket se mbase te vine me shume mendime.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje