Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy ka vizituar për herë të parë Katalonjën, që pas vendosjes së sundimit direkt mbi rajonin. Kreu i shtetit spanjoll premtoi t’i japë fund krizës separatiste ndërkohë që nxiti qytetarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet rajonale që do të mbahen në dhjetor.
Zgjedhjet e dhjetorit do të ndihmojnë në përfundimin e krizës separatiste që ka përfshirë Katalonjën.
Kështu u shpreh kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, i cili zhvilloi vizitën e tij të parë në rajonin verilindor, dy javë pas vendosjes së sundimit direkt.
Duke mbrojtur vendimin e marrë prej tij në Barcelonë, Rajoy u shpreh se ai kishte përdorur çdo mënyrë pas deklaratës së qeverisë katalanase për shpalljen e pavarësisë muajin e kaluar.
Rajoy kërkoi pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 21 dhjetorit, për t’i dhënë fund krizës separatiste dhe për të rikthyer Katalonjën e lirë dhe demokratike që i përket të gjithëve.
Udhëheqës të rëndësishëm katalanas ndodhen aktualisht nën arrest pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë.
Rreth 750,000 persona protestuan në rrugët e Barcelonës një ditë më parë, duke kërkuar që zyrtarët e ndaluar të lirohen.
Nën sloganin “Ne jemi një republikë”, protestuesit u shprehën se të ndaluarit janë të burgosur politikë.
Kujtojmë se udhëheqësit katalanas përballen me akuzat për rebelim e kryengritje, ndërkohë që presidenti i shkarkuar rajonal Carles Puigdemont ndodhet në Belgjikë.