Presidenti i Zimbabves, Robert Mugabe i dha fund krizës politike në vend përmes dorëheqjes së tij të shumë pritur dhe të shumë kërkuar.
Lajmërimi i dorëheqjes së Mugabes vjen plotësisht papritur dhe pikërisht kur deputetët në Parlamentin e Zimbabves kishin nisur diskutimet e ashpra për mocionin e hetimit të tij. Mugabe refuzoi që të dorëhiqej ditët e shkuara pavarësisht se ushtria mori kontrollin e vendit dhe me mijëra njerëz në rrugë kërkonin largimin e tij.
Fundi i Mugabes erdhi kur ai shkarkoi zëvendësin e tij duke i hapur rrugën drejt pushtetit bashkëshortes Grace Mugabe, por askush në Zimbabve nuk pranoi trashëgimin e shtetit. Ekspertët thonin se Mugabe e ka pasur të qartë fundit e tij që prej fillimit të krizës, por vonoi dorëheqjen në përpjekje për të marrë sa më shumë garanci për veten dhe familjen e tij.
Se sa i ka arritur kjo mbetet për tu parë. Robert Mugabe drejton Zimbabven që prej 1980-ën kur vendi mori Pavarësinë nga Britania dhe krizë politike apo jo, shumë banorë të vendit mendojnë se kishte ardhur koha që ai të largohej.